Sipas Bankës së Shqipërisë, ekonomia shqiptare vazhdoi të ruajë të njëjtat ritme rritje edhe në tremujorin e fundit.
Por efektet e krizës fqinje thërrasin “në apel” reformat strukturore të ekonomisë shqiptare. Ritmet e sipërmarrjeve private, jo aq sa pritej
Sipas Bankës së Shqipërisë, ngadalësimi ekonomik i dy vendeve tona kryesore partnere pritet të ndikojë negativisht në ekonominë shqiptare.
Sipas ekspertëve të bankës, “vështirësitë në tregun e punës në vendet e BE-së pritet të japin ndikim negativ mbi remitancat dhe llogaritë e shërbimeve”.
Ritmet e rënies së remitancave janë të theksuara. Në tremujorin e dytë të këtij viti ato ranë 13.2%, nga 8.2% që ranë në tre muajt e parë.
Zhvillimet ekonomike në rajon dhe Europë shihen si një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë shqiptare, ndërkohë që faktorët e brendshëm vlerësohet të ndikojnë pozitivisht.
Sipas guvernatorit, i rizgjedhur së fundi, Ardian Fullani, “vëmendja e rritur e tregjeve financiare ndaj shëndetit të financave publike ka kufizuar mundësinë e autoriteteve fiskale në ndjekjen e politikave stimuluese.
Të gjithë këta faktorë janë reflektuar në ritmet e rritjes ekonomike, duke i zbritur ato nën nivelin potencial dhe duke krijuar kapacitete të pashfrytëzuara në ekonomi”.
Në deklaratën e tij, ai shton se, sfidat me të cilat jemi përballur kanë evidentuar nevojën për vijimin e reformave strukturore dhe për ndjekjen e politikave të kujdesshme makroekonomike.
“Reformat strukturore, në nivel makro e mikroekonomik, duhet të orientohen drejt rritjes së konkurrueshmërisë së forcës punëtore, të produkteve e të shërbimeve tona në tregjet botërore.
Këto reforma duhet të synojnë forcimin e interesit të huaj ndaj ekonomisë shqiptare si destinacion biznesi”. Politikat makroekonomike po përballen me një realitet të ri, në rang kombëtar, rajonal dhe botëror. Megjithatë, guvernatori theksoi se, “ato nuk duhet ta shkëpusin fokusin nga ruajtja e stabilitetit makroekonomik e financiar.
Por, vlerësimet e bankës për performancën e ekonomisë shqiptare janë shumë më pozitive e të qëndrueshme krahasuar me vendet fqinje e Bashkimin Europian në tërësi.
Në tremujorin e tretë të këtij viti, Shqipëria ka ruajtur ritme rritje të ngjashme me atë të tremujorit të parë (3.4% i matur nga Instituti i Statistikave), ndërkohë që në tregun e Eurozonës,
për shkak të performancës së dobët të Greqisë e Italisë, rritja ekonomike ishte vetëm 1.6% në tremujorin e dytë, më e ulët krahasuar me tremujorin e parë të vitit.
Gjithsesi, banka rithekson shfrytëzimin e ulët të kapaciteteve prodhuese. “Ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në tremujorët e dytë dhe të tretë të vitit, por ajo mbetet nën potencialin e saj”, vlerëson Banka Shqipërisë.
Ajo çka pritej të udhëhiqte rritjen ekonomike të vendit në gjysmën e dytë të këtij viti, nuk duket se po ndodh. Motori i rritjes ekonomike, veçanërisht në tremujorin e parë të këtij viti, ishin investimet publike,
dhe Banka e Shqipërisë priste rol më aktiv të ndërmarrjeve private në pjesën e dytë të vitit, nisur edhe nga klima e përmirësuar e biznesit.
Por raporti i publikuar javës së kaluar vlerëson se “investimet private mbeten, gjithashtu, të ngadalta. Kërkesa e huaj në rritje ka mbështetur zgjerimin e investimeve në sektorin e industrisë,
por kërkesa e brendshme e ngadaltë nuk ka favorizuar rritjen e investimeve në sektorët e shërbimit e të ndërtimit. Normat nën mesatare të shfrytëzimit të kapitalit, të pranishme thuajse në të gjithë sektorët e ekonomisë, pritet të diktojnë një kërkesë të ulët për investime edhe në të ardhmen e afërt”.
Politika fiskale ka stimuluar kërkesën veçanërisht në tre muajt e parë të vitit.
Deficiti buxhetor në fund të nëntë muajve të parë të vitit 2011 rezultoi 30.7 miliardë lekë, duke qëndruar pothuajse i pandryshuar për tre muaj radhazi.
Në terma të PBB-së, ai vlerësohet në rreth 3.1% ose 0.5 pikë përqindje më i lartë nga një vit më parë. Kjo erdhi me ngadalësimin e shpenzimeve publike, ndërkohë që të ardhurat publike ruajtën ritme të ulëta rritjeje.
Vonesa e publikimeve të Institutit Shqiptar të Statistikave (INSTAT) ka “detyruar” bankën të bëjë vlerësime të tërthorta për disa prej prirjeve ekonomike të tremujorit të tretë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në këtë periudhë, ecuria e investimeve paraqitet pesimiste. Importi i mallrave kapitale gjatë periudhës korrik – gusht 2011 shënoi rënie me 8.6% në terma vjetorë.
Në këtë kohë edhe kredia për qëllime investimi ka ngadalësuar rritjen me 14.8% në terma vjetorë. Nga ana tjetër, vrojtimet e besimit të bizneseve të kryera në tremujorin e fundit,
tregojnë se ka përmirësim gradual në besimin e bizneseve në sektorin e industrisë dhe vlerësim më pak negativ në sektorin e ndërtimit.
Konsumi nxitet pak
Ulja e normës së interesit me 0.25 pikë përqindje në muajin shtator nga Banka e Shqipërisë, zyrtarizoi ftesën për nxitjen e konsumit.
Pas rreth dy muajsh, ekspertët e bankës vlerësojnë se ky hap i dha efektet në treg, megjithatë, prirjet e konsumit mbeten të kufizuara. Pavarësisht kushteve financiare të përmirësuara,
konsumatorët shqiptarë vazhdojnë të jenë të kujdesshëm në shpenzime. Sipas raportit të fundit të politikës monetare të BSH-së, edhe në tremujorin e tretë të këtij viti,
konsumatorët shqiptarë shtuan prirjen e tyre drejt kursimeve. “Ritmet e rritjes së konsumit privat mbeten të përmbajtura, të ndikuara nga pasiguritë për të ardhmen dhe një sjellje konsumatore hezituese.
Megjithatë, përmirësimi i treguesve të punësimit dhe rritja e të ardhurave agregate të disponueshme, sinjalizojnë për një potencial në rritje të konsumit gjatë kësaj periudhe”, theksohet në raport.
Sipas bankës, financimi i konsumit është mbështetur më pak nga remitancat.
Ndonëse besimi konsumator është përmirësuar në tremujorin e tretë, të dhënat nga vrojtimet tregojnë se pasiguria lidhur me situatën ekonomike dhe financiare ka ndikuar në nivelet
ende të larta të prirjes për të kursyer në tremujorin e dytë.
Sipas vlerësimeve të bankës, depozitat pa afat po zhvendosen drejt atyre me afat, veçanërisht tek individët, çka konfirmon rezultatet e marra nga vrojtimi i besimit të konsumatorëve për një sjellje të kujdesshme, të orientuar drejt kursimit gjatë dy viteve të fundit”. Gjithsesi, kushtet janë përmirësuar krahasuar me tremujorin e parë. “Kredia konsumatore ka trend përmirësues të filluar që në fund të vitit 2010, duke u rritur në terma vjetorë me rreth 2.5% në tremujorin e dytë të vitit 2011”, vlerëson BSH, në raportin e saj të politikës monetare.
Optimistë për inflacionin
Në tremujorin e tretë të këtij viti, inflacioni vjetor ishte 3.2%, me prirje rënëse më të lartë se ç’parashikohej në fillim të vitit.
Krahasuar me një vit më parë norma e inflacionit ra me 0.9 pikë përqindje. Rënia erdhi me zbutjen e presioneve inflacioniste nga jashtë.
Një pjesë e mirë e çmimeve të produkteve bazë të konsumit në tregjet ndërkombëtare (kryesisht mallra ushqimore) paraqiten në nivele më të ulëta se një vit më parë.
Banka e Shqipërisë vëren se, inflacioni i importuar kontribuoi në 50% të inflacionit në këtë tremujor, vlerë më e ulët se në tremujorët e parë.
Sipas BSH-së, inflacioni i importuar ndikoi më pak si rezultat i frenimit të ritmeve të rritjes së çmimeve të mallrave bazë në tregjet e huaja.
Edhe faktorët e tjerë përcaktues të inflacionit kanë qenë në favor të presioneve të ulëta të inflacionit. Sipas BSH-së, kontribuues ishte edhe qëndrueshmëria e kursit të këmbimit,
ndërkohë që kërkesa e brendshme ka prodhuar presione relativisht të dobëta inflacioniste, në kushtet kur kemi një hendek negativ të trashëguar të prodhimit dhe shfrytëzim modest të kapaciteteve prodhuese në ekonomi.
Pavarësisht ndjeshmërisë së lartë ndaj pasigurive që vijnë nga tregjet e jashtme dhe efektet e tyre të mundshme në ekonominë tonë, Banka e Shqipërisë parashikon që në një periudhë afatmesme,
inflacioni të luhatet rreth objektivit.
Duke mos llogaritur goditje të papritura, presionet inflacioniste paraqiten në rënie në një periudhë afatmesme. “Efekti i çmimeve” të huaja mbi inflacionin është zbehur,
por edhe “mangësia e duhur” e prodhimit (hendekut negativ i prodhimit), bëjnë që balanca e presioneve inflacioniste të mbetet e kontrolluar dhe në rënie gjatë horizontit të politikës monetare.
Inflacioni pritet të luhatet rreth objektivit tonë gjatë horizontit afatmesëm. Si presionet e brendshme, edhe të jashtme, pritet të jenë të balancuara.
Kreditë e ardhshme, pesimiste
Raporti vlerëson se bankat shqiptare janë në gjendje të mirë financiare dhe kanë likuiditet të bollshëm, për shkak të rritjes së fortë të depozitave, por nënvizon se rreziqet nga kriza janë rritur lidhur me uljen e fitimit të bankave dhe uljen e kapitalit.
Për të shmangur këto rreziqe, Banka e Shqipërisë po ndërmerr disa masa të shpejta. Së pari, ajo u ka kërkuar bankave private që të bëjnë një identifikim më të saktë dhe në kohën e duhur të kredive me probleme,
duke kërkuar edhe mbulimin e tyre me fondet përkatëse rezervë. Masa e dytë është ajo që detyron aksionerët e bankave të rrisin kapitalin, i cili është treguesi më i rëndësishëm për aftësinë paguese të një banke.
Ndërsa këto masa pritet t’i rikthejnë bankat te fitimet e qëndrueshme, niveli i kreditimit pritet të jetë i kufizuar. “Kushtet e ofertës do të përcaktohen nga ecuria e tregjeve financiare globale
dhe përmirësimi i portofolit të kredive me probleme”, vlerësohet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Por pasiguritë në të ardhmen pritet të frenojnë edhe kërkesën për kredi.
Gjatë këtij viti, kreditimi pati ecuri pozitive, por jo aq sa pritej për gjysmën e dytë të këtij viti. Sipas ekspertëve të bankës,
kërkesa për kredi paraqitet e kufizuar për shkak të pasigurive dhe prirjes së konsumatorëve për të kursyer, por edhe bankat nga ana e tyre janë më dorështrënguar.
“Madje për segmente të caktuara të tregut vihet re se një pjesë e tyre janë shtrënguar më tej”, vlerësohet në raportin e politikës monetare.
Për tremujorin e fundit të këtij viti, ekspertët bankarë presin që kushtet e kredisë për bizneset, të vijojnë të jenë të shtrënguara.
Në të njëjtën kohë, pritshmëritë e kërkesës për kredi nga bizneset janë pozitive dhe shumë më të larta krahasuar me balancën aktuale të kërkesës për kredi.
Në tremujorin e tretë të këtij viti, balanca e kërkesës për kredi nga bizneset e mëdha shënoi vlerën -23.5% nga +2.3% që shënonte në tremujorin e dytë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.