Sektori i ndërtimit duket se do të vijojë të përkeqësohet në një situatë kur lejet e ndërtimit janë ende të bllokuara dhe kur investimet publike gjithashtu do të tkurren.
Sipas Shoqatës së Ndërtuesve numri i kompanive që do të falimentojnë do të rritet në 2012-n.
Edhe në sektorin e tregtisë me pakicë (retail) pritet një rënie në volum, kjo e paralajmëuar nga rënia e konsumit edhe në 2011 (konfirmuar zyrtarisht nga Banka e Shqipërisë dhe Instituti i Statistikave).
Sipas operatorëve, edhe skontot e fundvitit nuk kanë arritur që të thithin klientët e pritshëm duke shënuar rënie krahasuar me dhjetor-janarin (2010,2011).
Rënie pritet të ketë në veshje e argëtim. Ndërsa në elektroshtëpiake, tkurrjen mund ta “pësojnë” operatorët e vegjël që janë më pak të konkurrueshëm.
Një panorame jo optimiste ka gjithashtu edhe zëri më i rëndësishëm i eksporteve shqiptare, fasoni (tekstile dhe këpucë). Fasonistët thonë se thellimi i krizës në Itali, partneri kryesor i tyre mund të çojë drejt mbylljes shumë ndërmarrje, të cilat janë shumë më pak konkurruese se ndërmarrjet në rajon si pasojë e shkallës së ulët investimeve dhe specializimit.
Në shumë kompani fasoni, drejtuesit kanë nisur të largojnë punonjësit duke u përpjekur të kursejnë kostot në një kohë kur ankthi i krizës është në rritje. Ky sektor ka një peshë mjaft të rëndësishme në punësim, me mbi 60 mijë të punësuar.
Fasoni nën “ethet” e krizës italiane
Viti 2012 ka rritur pesimizmin në radhët e fasonistëve shqiptarë. Sektori kryesor i eksporteve shqiptare, i cili punon me material porositës, i trembet thellimit të mëtejshëm të krizës në Itali.
“Viti 2012 na tremb, sepse partneri ynë kryesor, Italia, duket se po shkon drejt një krize më të thellë që do të prekë konsumin dhe si pasojë do të rëndojë edhe sektorin e veshjeve”,
thotë Flamur Hoxha, president i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve.
Sipas të dhënave të Dhomës, efektet e para negative kanë nisur të ndihen tek disa ndërmarrje vendase të fasonit, që kanë reduktuar numrin e punonjësve ose kanë mbyllur përkohësisht aktivitetin.
“Gjithsesi një panoramë më të qartë mbi efektet e krizës do ta kemi në fund të këtij muaji kur edhe të nënshkruajmë kontratat e para dhe të marrim porositë”, thotë Hoxha.
Por gjithsesi fasonistët janë duke u përgatitur për t’i bërë ballë krizës.
Shumë drejtues ndërmarrje po largojnë staf dhe po mbajnë një numër të limituar punonjësish, me qëllim që nëse do të ketë rënie të volumit të punës, të mos ndodhen në vështirësi për të paguar punonjësit.
“Kjo skemë ka nisur të aplikohet dhe do të vazhdojë. Menaxherët preferojnë më mirë që të punojnë me turne më afatgjatë nëse do të kenë punë, sesa të paguajnë punonjës të tepërt”, thonë drejtuesit e Dhomës.
Partnerë të rinj, pak shanse
Ato që mund të dëmtohen më shumë me thellimin e krizës në Itali do të jenë ndërmarrjet e vogla të fasonit, të cilat duke pasur nivel të ulët specializimi do ta kenë të vështirë të gjejnë partnerë të rinj.
Siç tregojnë edhe fasonistët, janë të shumtë partnerët e huaj, qoftë italianë, gjermanë etj., që kanë interes të nisin bashkëpunim me ndërmarrje shqiptare, por shanset që këto të fundit të lidhin kontrata janë të pakta.
Kjo sepse vetëm 10% e ndërmarrjeve shqiptare të fasonit janë të afta kryejnë të gjitha ciklet e punës dhe të mëdha, ndërsa të tjerat janë të vogla dhe me investime të pakta.
Siç thotë edhe presidenti i DHKPV, biznesmenët kanë menduar thjesht të inkasojnë të ardhura dhe shumë pak të investojnë e të mendojnë për një të ardhme afatgjatë.
Kjo shkallë e ulët e specializimit rrezikon të lërë “zbuluar” mjaft ndërmarrje të fasonit dhe nga kriza të mund të përfitojnë konkurrentët e rajonit.
Rasti i fundit, është kompania “Calzedonia”, një nga më të mëdhatë në Itali, e cila për shkak të krizës vendosi të zhvendosë prodhimin në Serbi. Të njëjtën e gjë e ka bërë edhe kompania tjetër e madhe italiane “Beneton”.
Në Shqipëri, asnjë kompani e njohur italiane nuk e ka zhvendosur prodhimin në Shqipëri.
Vetë fasonistët, sidomos ata që kanë ndërmarrje të mëdha, janë duke kërkuar partnerë të rinj për t’i bërë ballë krizës.
“Unë kam biseduar me disa kompani në Italinë e Veriut që kanë ndërmarrjet në Rumani dhe kemi rënë parimisht dakord që të sjellin prodhimin këtu. Tashmë në ndërmarrjen time jemi duke bërë provat dhe presim si do të konkludojmë”,
thotë Flamur Hoxha.
Ndërtimi, vazhdon rënia
Situata e përkeqësuar e ndërtimit nuk pritet të përmirësohet as gjatë këtij viti. Të dhënat e fundit nga përfaqësuesit e sektorit konfirmojnë se edhe gjatë vitit 2012 sektori do të vijojë të vuajë mungesën e likuiditeteve,
si pasojë e bllokimit të lejeve.
Zëvendëspresidenti i Shoqatës Kombëtare të Ndërtuesve, Ilir Hebovija, e argumenton gjendjen e sektorit të ndërtimit në vend me krizën ekonomike, e cila po dëmton rëndë këtë sektor.
“Muajt e fundit, shumë kompani ndërtimi kanë falimentuar dhe kjo për shkak të krizës. Kjo gjendje ka ardhur për shkak të mungesës së blerësve dhe mosdhënies së kredive prej bankave”, thotë Hebovija.
Ai kërkon që të merren masa dhe të stimulohet ndërtimi si një sektor i rëndësishëm për ekonominë e një vendi.
Edhe Arben Dervishi, konfirmon se bllokimi i lejeve të ndërtimit e keqëson shumë situatën e sektorit. Deri në muajin maj pritet që Bashkia e Tiranës të miratojë planin rregullues të qytetit,
ndërkohë që derisa të gjitha procedurat dhe institucionet e dhënies së lejeve të nisin punën, fillimi i dhënies së lejeve të ndërtimit mund të arrijë në rastin më të mirë deri në muajin shtator.
“Kjo do të shkaktojë frenim të mëtejshëm të ndërtimeve të reja duke ulur më shumë volumin e sektorit”, thotë Dervishi.
Nga ana tjetër, edhe fuqia blerëse që pritet të jetë e njëjtë me atë të një viti më parë, do të ndikohet negativisht nga krizat në Europë dhe do të hezitojë të blejë pasuri të patundshme duke përkeqësuar tregun.
Një tjetër anë e medaljes janë investimet publike, të cilat si pasojë e thellimit të borxhit të qeverisë, për 2012 do të pësojnë rënie.
“Ulja e volumeve të punëve publike do të ulë aktivitetin e firmave të infrastrukturës, që kanë peshë të rëndësishme në sektor. Kjo do të ndikojë negativisht në likuiditete, ndërkohë që rëndohet edhe nga fakti se ende shumë prej tyre nuk janë paguar nga qeveria apo bashkitë për punët që kanë bërë.
Kjo pritet të rrisë numrin e kompanive të ndërtimit në vështirësi, dhe si pasojë më shumë do të falimentojnë në vitin 2012”, thotë Arben Dervishi, sekretar i përgjithshëm në Shoqatën e Ndërtuesve.
Uljes së investimeve publike nga ana e qeverisë i shtohet edhe rënia e investimeve nga pushteti lokal, kjo për shkak të tkurrjes së të ardhurave nga taksat e kompanive të ndërtimit (këto të fundit kanë pasur aktivitet minimal, çka do të thotë më pak taksa).
Retail, pritet rënie
Me gjithë hyrjen e operatorëve të mëdhenj në treg (Tirana East Gate ishte qendra e fundit tregtare që u hap në nëntor 2011) në sektorin e tregtisë me pakicë nuk parashikohet të ketë rritje krahasuar me vitin që lamë pas.
Të dhënat e fundit të operatorëve të tregtisë me pakicë konfirmojnë se kriza do të japë efektet e saj negative në sektor, duke tkurrur shitjet. Tendenca është që konsumatorët të reduktojnë blerjet, duke ulur konsumin. Fakti është konfirmuar së fundmi edhe nga Instituti i Statistikave. Rënia e konsumit për shkak të pasigurisë që ndjejnë qytetarët për të ardhmen, një fakt i konstatuar vazhdimisht gjatë vitit 2011 nga Banka e Shqipërisë, është konfirmuar edhe nga të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave. Sipas INSTAT-it, në 3-mujorin e dytë të vitit që lamë pas, indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë është ulur me 6.9%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo do të thotë se konsumatorët kanë blerë më pak dhe janë prirur më tepër që të kursejnë. Rënia e konsumit dhe investimeve private mbetet një problem shqetësues për ekonominë edhe gjatë këtij viti.
Madje Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, duke u bërë apel qytetarëve dhe bizneseve që të rrisin shpenzimet dhe investimet, deklaroi pak kohë më parë se këta dy tregues do të jenë përcaktues për rritjen ekonomike gjatë 2012-s.
Sipas të dhënave nga bizneset, konsumi do të vijojë të jetë më i ulët, ku më shumë do të preken veshjet dhe argëtimi e restorantet.
Sipas presidentit të “Balfin Group”, Samir Mane (aksioner kryesor në dy qendra tregtare, Qendra Tregtare Univers dhe Tirana East Gate) njerëzit do të kenë tendencë të konsumojnë më pak për veshje e restorante,
dhe për shkak të krizës do të dalin më pak nga shtëpia dhe do të shpenzojnë më shumë për të blerë ushqime, por edhe elektroshtëpiake (kryesisht televizorë).
Administratori i rrjetit më të madh të tregtimit të elektroshtëpiakeve “Neptun” thotë se nëse sektori do të vuajë rënien e shitjeve, ato që do ta pësojnë do të jenë njësitë e vogla.
“Ne kemi parashikuar shtim të rrjetit të shitjeve dhe një nivel të ardhurash të njëjtë me vitin që sapo lamë pas. Parashikojmë që rënien e shitjeve do ta pësojnë dyqanet e vogla për shkak të konkurrueshmërisë së ulët që kanë”, thotë Mane.
Sipas drejtuesve të “Neptun”, sjellja konsumatore në blerje po ndryshon, sidomos në dy vitet e fundit. Këtë vit është rritur blerja me kredi me 50%, tregues që konfirmon se klientët preferojnë këtë lloj mënyre pagimi sesa cash.
Ky është një trend i tregut tashmë, meqë kreditimi po bëhet tërheqës dhe gjithnjë e më shumë kompani po e ofrojnë atë. Kjo ka sjellë që shumë kompani të retail të ofrojnë në çdo pikë shitjeje financime, bazuar në nevojat e klientëve.
Në përgjithësi, pjesën më të madhe të shitjeve në tregun e elektroshtëpiakeve e zënë artikujt e nevojës së parë dhe sigurisht ka një përgjigje pozitive ndaj artikujve në promocion.
Ç’pritet në 2012…
Sipas drejtuesve të rrjetit të elektroshtëpiakeve “Neptun”, sa i përket produkteve të portofolit, ka kategori si notebook-ët, pajisje lëvizëse dhe smartfone që pritet të kenë potencial për një rritje të madhe në 2012-n.
“Gjithashtu ka një kthim në treg drejt pajisjeve elektroshtëpiake, një trend ku konsumatorët janë duke zëvendësuar elektroshtëpiaket e tyre të lira me pajisje bashkëkohore, fakt që kthehet në një mundësi shumë interesante për ne.
Sigurisht, që zhvillimet në teknologjitë e televizorëve dhe veçanërisht zhvillimi i funksionaliteteve të “smart TV” është një incentivë që do të drejtojë këtë kategori të rëndësishme drejt një rritjeje të mëtejshme vitin e ardhshëm.
Megjithatë, ka një rritje të dukshme në artikujt me çmime të mesme dhe të larta, sidomos ato argëtues”, shtojnë drejtuesit e “Neptun”.
Elektroshtëpiaket janë një nga degët më potenciale të tregtisë me pakicë, tregu i të cilave përllogaritet të arrijnë në mbi 120 milionë euro/vit. Tashmë në vend janë fuqizuar disa zinxhirë të tregtimit të elektronikës,
si “Neptun”, “Euronics”, “Gotech” etj. Sipas drejtorit operacional në “Neptun”, Alexandros Kosenas, tregu i elektronikës është një sektor në një fazë zhvillimi sa i përket cilësisë së shërbimit ndaj konsumatorit,
rritjes së eksperiencës së klientit dhe vazhdimësisë së zinxhirit të ofertës si dhe strukturës aktuale të retaileve.
“Nga ana jonë, ne nuk jemi të fokusuar vetëm në ekspansionin numerik, por edhe nga cilësia. Për vitin 2012 planet tona janë për zgjerim rrjeti nga 13 në 16 pika, duke mbuluar rajone të Shqipërisë”,
thotë Julian Mane, administrator i “Neptun”.
Shtim konkurrence pritet të pësojë më shumë rrjeti i hipermarketeve apo supermarketeve, sidomos pas hyrjes në treg të kompanisë franceze “Carrefour”,
e cila hapi në nëntor të këtij viti hipermarketin 10 mijë metra katrorë, më të madhin në vend dhe parashikimet janë për zgjerim të tij.
Për operatorët e tregut, konkurrenca do të ndikojnë jo vetëm në ulje çmimesh, por edhe në rritje të cilësisë.
Sipas Elton Qiricit, drejtues i retail në “Mercator”, tregu shqiptar është ende në formim e sipër dhe prezantimi i hipermarketeve në vendin tonë, ku prej 2 vjetësh bën pjesë dhe “Mercator”, do të përshpejtojë konfigurimin e plotë të tregut.
“Hyrja e operatorëve internacionalë në sektorin retail ose shitjes me pakicë do të rrisë standardet e shërbimit ndaj konsumatorëve, si dhe do të influencojë direkt në zinxhirin prodhues-konsumator,
duke sjellë reduktim të kostos të produktit nga prodhuesi te konsumatori.
Sipas Qiricit, në vend pjesa më e madhe e konsumatorëve blejnë produktet e konsumit të përditshëm në kushte johigjienike dhe të papërshtatshme.
“Shtimi i hipermarketeve dhe supermarketeve do të influencojë direkt në sjelljen konsumatore, duke i bërë ata më të përgjegjshëm për cilësinë dhe kushtet e tregtimit të produkteve që ata blejnë.
Një nga arsyet që klientët e “Mercator Albania” frekuentojnë rrjetin tonë është ofrimi i produkteve në standardin më të mirë cilësi-çmim, si dhe higjienë dhe kushte blerje të mira”, shton kreu i retail në “Mercator”.
“Colliers”: Qendrat do të ulin qiratë e dyqaneve
Në gjysmën e dytë të 2011-s, tregu i shitjes me pakicë vazhdon të jetë dinamik, si në drejtim të kërkesës dhe ofertës. Nga ana e ofertës, në muajin nëntor, 41,200 m² janë shtuar në treg me hapjen e Tirana East Gate,
qendra më e madhe tregtare në Shqipëri. Ndërsa në anën e qiramarrësit, u shënua hyrja e markave të reja duke përfshirë “Carrefour”, zinxhirin e dytë më të madh të shitjes me pakicë në botë,
“Kids Jumbo”, shitësin më të madh të Greqisë tw lodrave dhe markave të tjera të shitjes me pakicë. Shumica e këtyre llojeve të reja janë të gjithë të pranishëm në qendrën TEG.
Nga ana tjetër, pas dy vjetësh aktivitet, “Praktiker”, kompania gjermane DIY, mbylli hipermarketin e saj të vetëm në Shqipëri.
Kërkesa e re është thithur tashmë nga TEG megjithatë nuk pritet rritje e kërkesës në vitin 2012. Kërkesa do të nxitet vetëm nga rinovimet ose qiramarrësit sporadikë.
Edhe pse ka projekte të reja që përfshijnë në vetvete tregtinë me pakicë, asnjë prej tyre nuk pritet të hyjë në treg në vitin 2012.
“Për shkak të rritjes së ndjeshme të hapësirave të tregtisë me pakicë, ne presim rënie të lehtë të qirave te qendrat tregtare si dhe te dyqanet në rrugët kryesore”, thotë Dhami.
Bie optimizmi për mineralet
Ajo çka mund të konsiderohej lokomotiva e eksporteve të vitit të kaluar, rrezikon të mos udhëheqë eksportet e këtij viti. Çmimi në rënie i mineralit të kromit dhe muajt e fundit edhe i mineralit të bakrit,
i bën shfrytëzuesit e minierave të mos jenë shumë optimistë. Çmimi i mineralit të kromit, i cili fillon të bjerë në tregjet ndërkombëtare që në gjysmën e parë të vitit të kaluar,
vlerësohet të ketë arritur nivelin më të ulët prej më shumë se një viti. Nga më shumë se 300 dollarë/ton që ishte në fillim të vitit të kaluar, viti u mbyll me një çmim prej rreth 170 dollarë/ton.
Sipas eksportuesve të mineraleve të kromit, efekti imediat është ndërprerja e eksporteve në pritje të një çmimi më të favorshëm. Por, ata shtojnë se nëse çmimi do të vazhdojë të jetë i ulët për disa muaj,
do të kemi edhe një ulje të sasisë së mineralit të nxjerrë.
Më pak optimistë se një vit më parë janë operatorët që nxjerrin e tregtojnë mineralin e bakrit. Nga 1900 dollarë/ton që kuotohej në muajin shtator, çmimi i ditëve të fundit ka zbritur në 1300 dollarë/ton.
“Deri më tani, efekti i uljes së çmimit nuk na ka prekur, pasi punojnë me kontrata afatgjata”, thotë Nazmi Kumanova, administrator i kompanisë së nxjerrjes, pasurimit dhe eksportit të mineralit të Bakrit “Beralb”.
Në pritshmëritë për këtë vit, ai e ka të vështirë të bëjë një parashikim duke saktësuar se, “ecuria e nxjerrjes dhe eksportit do të varet nga luhatja e çmimit”.
Por, ajo që “ngushëllon” industrinë e nxjerrjes së mineraleve është kërkesa ende e fortë në tregjet ndërkombëtare.
Agropërpunim/Shtohen investimet në teknologji
Agropërpunuesit janë më optimistë për ecurinë ekonomike të këtij viti. Planet e investimeve pritet të shtojnë prodhimin e të ulin njëkohësisht kostot
Investimet që rrisin produktivitetin, kohët e fundit janë kryefjala e tregjeve në vështirësi. Ky rregull pritet të udhëheqë edhe industrinë ushqimore shqiptare këtë vit.
Shumë sipërmarrës shqiptarë tregojnë se kanë plane ambicioze investimi në teknologji, që do të ulin kostot e tyre të prodhimit dhe rrjedhimisht që mund t’i bëjnë më konkurrues në tregje.
Alban Zusi, sipërmarrës në industrinë e përpunimit të peshkut dhe zorrëve, tregon për “Monitor” se “kam në plan të investoj në linja të reja përpunimi”.
Me një investim që do të jetë mes 300-400 mijë eurove, ai parashikon të dyfishojë numrin e të punësuarve në ndërmarrje. Aktualisht në fabrikën në Lezhë ka 80 punëtorë.
Edhe për prodhuesit e pijeve, 2012-a do të thotë rritje. Sigurisht kjo nuk vjen nga ndonjë rritje e papritur e kërkesës konsumatore, ndërkohë që në treg janë disa operatorë të mëdhenj të prodhimit të birrës.
Faktorë për rritjen janë investimet. Në kompaninë “Stefani & Co”, investimet parashikohet të rriten deri në 12%. Sipas sipërmarrësit Stefan Pinguli, investimet do të shkojnë për teknologji përpunimi dhe rritjen e
kapacitetit të prodhimit. Me këto investime, por edhe ato të bëra një vit më parë, prodhimi i birrës “Stela” pritet të rritet 15%. Rritjen më të madhe të aktivitetit, z. Pinguli pret ta shohë në kompleksin e shërbimeve e argëtimit “Te Stela”.
I ngritur në shërbim të birrës, ky kompleks ka marrë vlerat e një biznesi më vete me shërbime restoranti, pishina etj.
Rritje të prodhimit presin të gjitha sipërmarrjet që investuan dukshëm vitin e kaluar. Përfaqësuesit e “Floryhen” u zgjeruan në treg me qumështin dhe nënproduktet e tij.
Sipërmarrjet që gjetën burime financiare vazhduan të diversifikojnë shportën e prodhimeve të tyre, duke e bërë atë më të larmishme.
Këtë vit, në tregun e qumështit të përpunuar pritet të dalin edhe një grupim fermerësh vendas, të cilët kanë investuar në ngritjen e një fabrike përpunimi.
Nxitja vjen nga kreditë e buta
Enver Ferizaj, president i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar (KASH) mendon se pas investimeve të bëra, ky vit mendohet të jetë pozitiv.
Gjithsesi, sipas tij, 2012-a nuk do të jetë i lehtë për industrinë ushqimore, veçanërisht për atë eksportuese. Luhatja e euros rrezikon të japë presione negative te sipërmarrësit
dhe t’i shtyjë ata të jenë më të matur në investime. Ferizaj vëren se ka një tkurrje të biznesit për t’iu drejtuar bankave për kredi. Bankat konfirmojnë shtrëngimin e kreditimit për bizneset gjatë këtij viti pak të sigurt.
Si burime financiare në investime, sipërmarrjet pritet të përdorin fitimet e tyre dhe në rastin më të mirë, të bëhen pjesë e fondit të parashikuar nga qeveria për nxitjen e kreditimit në agropërpunim.
Sipas të dhënave nga Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, krahas rritjes së fondit për subvencionet, këtë vit pritet të ketë një fond të veçantë për kreditimin e agropërpunuesve.
Një fond prej rreth 4 milionë dollarësh do të menaxhohet nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor e Rajonal (AZHBR).
Përfaqësuesit e Ministrisë së Bujqësisë thonë se ky fond do të shkojë për financimin e linjave të reja të përpunimit, në formën e kredive pa interes për shtatë vite.
Ndonëse nuk ka një ndarje përfundimtare të financimeve nga fondi i subvencioneve në bujqësi, investimet në ngritjen e kapaciteteve ruajtëse pritet të jenë më të mëdha se vjet. Vetë vlera e subvencioneve është rritur në 15 milionë dollarë për këtë vit, nga 10 milionë dollarë që ishte vitin e kaluar.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.