Kreditë me probleme shënuan një rënie në muajin maj, duke zbritur në 8.14%, niveli më i ulët në 11 vjet, që nga tremujori i parë i vitit 2009.
Në krahasim me fillimin e vitit, huatë me probleme janë ulur me 0.23 pikë përqindje dhe në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë rezultojnë 3.23 pikë përqindje më të ulëta.
Por bankierët pohojnë se kjo tendencë nuk tregon realitetin, por është e lidhur më shumë me ristrukturimin e kredive. Në fillim të muajit mars, Banka e Shqipërisë nxori një udhëzim që u jepte mundësi kredimarrësve të shtyjnë me tre muaj pagesat e kredisë, nëse bien dakord me bankat, si rrjedhojë e situatës së jashtëzakonshme që u krijua nga shpërthimi i pandemisë së Covid-19.
Masat për riskedulimin e kësteve të kredisë kanë hyrë në fuqi në datën 13 mars 2020 dhe zgjasin deri në datën 31 maj 2020. Ato parashikojnë që, gjatë kësaj periudhe, ata kredimarrës individë dhe biznese, gjendja financiare e të cilëve përkeqësohet nga situata aktuale, mund të përfitojnë një shtyrje, deri në 3 muaj, të pagesave të kësteve të kredive të tyre, të marra nga institucionet financiare të licencuara nga Banka e Shqipërisë: banka, jobanka dhe shoqëri kursim-krediti.
Më pas Banka e Shqipërisë e shtyu procesin e ristrukturimit edhe për tre muaj të tjerë, derinë fund të gushtit.
Bankierët pohojnë se si rrjedhojë e këtij ristrukturimi edhe bankat nuk kanë klasifikuar kredi me probleme deri në 31 maj.
Banka e Shqipërisë ka bërë të ditur se janë ristrukturuar rreth 2 miliardë euro hua, ose gati 43% e totalit të huasë së dhënë në ekonomi.
Bankierët pohojnë se rfektet që pandemia ka dhënë në moskthimin e kredive do të fillojnë të duken realisht në muajin shtator, ndonëse edhe gjatë kësaj periudhe bankat mund të krijojnë provigjione dhe klasifikojnë kredi me probleme nëpërmjet ristrukturimeve.
Guvernatori Gent Sejko në daljet e tij publike ka pohuar se sistemi mund të përballet me një rritje të huave me probleme. “Masat e kujdesit të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë ndikuan në rënien e konsumit, investimeve dhe eksporteve të mallrave dhe shërbimeve; pritet një rënie e nivelit të punësimit dhe rritje e papunësisë në vend, duke shkaktuar rënien e të ardhurave familjare dhe përkeqësimin e situatës financiare të biznesit, çka mund të sjellë dhe rritje të nivelit të kredive me probleme në sektorin banker”, ka pohuar givernatori.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.