Pezullohet përmbarimi i mjeteve të Telekomit të Kosovës

31/07/2020 12:42 PM 0 komente

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit ka arritur marrëveshje për pezullim të përmbarimit për afat të pacaktuar, deri në stabilizimin financiare të kësaj ndërmarrjeje. Përmes një njoftimi nga Zyra për Informim, thuhet se Telekomi po punon me të gjitha palët në këtë proces, përfshirë edhe kreditorin.

Bordi i përkohshëm i Telekomit të Kosovës, i kryesuar nga Mehmet Berisha, njofton se ka arritur pajtimin për pezullim të përmbarimit të mjeteve të Telekomit për një afat të pacaktuar, deri në stabilizimin e gjendjes ekonomike të kësaj kompanie publike.

Në njoftimin për media thuhet se në biseda të ndara, me kreditorët si dhe me Përmbaruesin Privat dhe me përfaqësuesit e ATK-së, u arrite marrëveshje të zhbllokohen llogaritë bankare.

“Me Administratën Tatimore janë dakorduar modalitetet e marrëveshjes, ndërsa ristrukturimet/riprogramimet e borxheve të tjera do të bëhen muajt në vijim pas stabilizimit të gjendjes financiare”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se Bordi i përkohshëm i Drejtorëve, i falënderon të gjitha palët në proces, e sidomos Qeverinë dhe Ministrinë e linjës, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit, për përkushtimin që të mbështes Telekomin e Kosovës por edhe të njoh dhe mbrojë edhe interesat e kreditorëve të kësaj kompanie publike, të cilët duke treguar mirëkuptim, po bëhen pjesë e zgjidhjes e jo pjesë e problemit.

“Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, i emëruar ditë më parë nga Qeveria e Kosovës, siguron për përkushtimin e  vet, të punojë pa paragjykime dhe me durim, me të gjitha palët në këtë proces, pra Telekomin e Kosovës dhe me kreditorët e shumtë të cilët kanë interes që kompania të konsolidohet plotësisht. Në këtë proces Bordi është i fuqizuar me përkrahjen e pakursyer të aksionarit, pra Ministrisë së linjës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin për media.

Telekomi i Kosovës dhe kompania Z-Mobile në vazhdimësi kanë pasur mosmarrëveshje në lidhje me një kontratë të nënshkruar 10 vjet më parë, kontratë kjo e cila i kishte mundësuar kompanisë Z-Mobile të ishte operator virtual i telefonisë mobile të operatorit mobil Vala, që funksionon në kuadër të Telekomit të Kosovës.

Mospajtimet mes palëve kishin nisur kur Z-Mobile kërkoi numeracion shtesë. Çështja kishte shkuar në Arbitrazh dhe më pas Gjykata e Prishtinës kishte vendosur në favor të kompanisë Z-Mobile. Borxhi i Telekomit të Kosovës ndaj Z- Mobile llogaritet mbi 25 milionë euro.

Telekomi i Kosovës është kompani publike e transformuar në shoqëri aksionare, në të cilën operon telefonia fikse dhe ajo mobile Vala me mbi 1.2 milion konsumatorë në nivel vendi.

Edhe pse është konsideruar si kompani më profitabile në vend, që nga viti 2015 është përballur me probleme të mëdha financiare dhe operative ose me humbje milionëshe brenda vitit.

Për të dalë nga gjendja e rëndë financiare, Qeveria e Kosovës, në janar të vitit 2019, pati marrë vendim që të privatizohet kjo kompani.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of