Philip Morris, 15 vjet për t’u dhënë lamtumirën cigareve tradicionale në Itali
“Në tremujorin e fundit të vitit 2020, mbi 1 milion italianë kaluan në produkte pa tym”
Një angazhim për të zhdukur konsumin e cigareve tradicionale në Itali brenda një maksimumi prej 15 vitesh. Një strategji e re e diversifikimit që brenda pesë viteve do ta zgjerojë kompaninë drejt produkteve mjekësore dhe farmaceutike – të tilla si përmirësimi i sistemeve të inhalacionit për trajtimin e patologjive – Jacek Olczak, drejtori i ri ekzekutiv i Philip Morris International, kompania globale e duhanit me seli në Zvicër, tregon për median italiane “Il Sole 24 ore” se si do të ndryshojë kompania. Italia duket se do të mbetet qendrore në prodhimin e produkteve inovative.
A mund të na e shpjegoni misionin tuaj për vitet e ardhshme?
Ishte një vendim i guximshëm kur në vitin 2016 shpallëm publikisht ambicien tonë për një botë pa tym. Numri në rritje i studimeve dhe rishqyrtimeve shkencore që konfirmojnë potencialin e produkteve pa tym për shëndetin publik, duket se vërtetojnë se vendimi ynë ishte i drejtë. Deri më 31 mars të 2021-shit, në botë ka afërsisht 19.1 milion përdorues të IQOS, nga të cilët afërsisht 14 milion – 73 përqind – kanë kaluar në IQOS dhe kanë ndaluar së piri cigare.
Në vitin 2020 në një nivel global të ardhurat kanë rënë në 76 miliardë, por me një rritje të fitimeve dhe dividentëve. Cilat janë pritshmëritë për vitin 2021?
Performanca jonë financiare në vitin 2020 ishte mjaft fleksibël dhe e mbështetur mbi themele të forta përballë sfidave të pandemisë. Në të gjithë botën, ka pasur një rritje të konsiderueshme të duhanpirësve të rritur të cilët kanë kaluar në IQOS, duke lënë cigaren. Pandemia pati ndikim në biznesin e cigareve me djegie, me ndikimin më të madh në Duty Free – duke pasur parasysh uljen e udhëtimeve globale – dhe Azinë Juglindore. Të ardhurat neto për të gjithë vitin [duke përjashtuar taksat e akcizave që kanë një ndikim të fortë në sektorin e duhanit, red.] prej 28.7 miliardë dollarësh u ulën me 3.7 përqind për shkak të pandemisë, ndërsa të ardhurat tona operative dhe fitimet neto u rritën, duke reflektuar fokusin tonë tek prodhimi dhe efikasiteti i kostos. Tremujori i parë i vitit 2021 shkoi mirë, me të ardhura neto dhe rritje të fitimeve më shumë sesa pritej. Në këtë periudhë, produktet pa tym sollën 28 përqind të të ardhurave tona totale neto, ndërsa njësitë e duhanit me ngrohje zunë 13 përqind të vëllimit tonë total të dërgesave. Ne e kemi përditësuar synimin tonë: në vitin 2025 planifikojmë që produktet pa tym të sjellin gjysmën e të ardhurave tona neto dhe mbi 30% të vëllimit tonë total të dërgesave.
Projekti juaj për ta shndërruar prodhimin në IQOS varet gjithashtu nga vendimi i fundit nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave që ky produkt përfaqëson risk të modifikuar. Në Itali, megjithatë, pikëpamja për këtë çështje është krejt e ndryshme.
Vendimi i FDA për të autorizuar një version të IQOS si një Produkt Duhani me Risk të Modifikuar me “ekspozim të reduktuar” ndaj substancave të dëmshme në krahasim me cigaren është një moment historik për shëndetin publik, duke marrë parasysh si përdoruesit e produkteve të duhanit ashtu edhe personat që nuk përdorin produkte të duhanit. Opinionet e ndryshme midis autoriteteve të shëndetit publik tregojnë gjithashtu se sot, si kurrë më parë, është e rëndësishme të vazhdojmë të inkurajojmë shkencën e pavarur për të vlerësuar efektet e produkteve të reja, gjithmonë duke mbajtur parasysh rreziqet dhe përfitimet për popullatën në tërësi.
Cila ishte xhiroja e Philip Morris në Itali në fund të vitit 2020? Fabrika e Bolonjës prodhon vetëm rreth 30 miliardë cigare në vit.
Filiali ynë në Itali gjeneron të ardhura prej mbi 1.8 miliardë eurosh dhe shitjet e produkteve tona përfaqësojnë një kontribut prej afërsisht 7 miliardë eurosh në të ardhurat nga taksat për vendin. Ne jemi lider në tregun italian. Në tremujorin e fundit të vitit 2020, më shumë se 1 milion italianë kaluan në produktin tonë të duhanit me ngrohje. Nëse kjo tendencë vazhdon – dhe nëse panorama kombëtare nuk do të pësojë ndryshime drastike me kalimin e kohës – parashikohet që Italia të bëhet një vend pa tym për 10 deri në 15 vite.
Në Itali, taksimi për IQOS është më i ulët se ai i cigareve. Deri tani vonë ishte 25 përqind. Në fund të vitit 2020, gjithashtu pas polemikave politike, u urdhërua një plan për të rritur taksimin deri në 40% në tre vjet. Pse kjo diferencë në taksim dhe si funksionon për pjesën tjetër të Evropës?
Shumica dërrmuese e vendeve evropiane i taksojnë produktet pa tym ndryshe nga produktet me djegie, duke njohur natyrën e ndryshme të produkteve. Pasi të zbatohet plotësisht, vendimi i fundit do t’i çojë normat e taksave të aplikuara për produktet pa tym krahasuar me ato të cigareve mbi mesataren evropiane.
Çfarë ndikimi ka kjo rritje në biznesin tuaj në Itali?
Kjo rritje është aplikuar shumë kohët e fundit dhe është shumë herët për të nxjerrë konkluzione se si mund të ndikojë kjo në sjelljet e konsumatorëve. Në përgjithësi, diferenca në taksimin e cigareve dhe produkteve pa tym mund të jetë një shtysë për të gjithë ata që përndryshe do të vazhdonin duhanpirjen të kalojnë në produkte pa tym kurse për kompanitë, një shtysë që të investojnë në shkencë dhe teknologji, për zhvillimin e alternativave më të mira.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.