Arritja e marrëveshjes së liderëve të BE-së për zgjedhjen e kandidatëve në pozicionet kryesore mbetet larg. A do ta bllokojë Parlamenti Europian kandidatin e tyre për të kryesuar Komisionin Europian?
Emmanuel Macron është një njeri me fat, sepse fatkeqësisht kundërshtarët e tij i krijojnë vetes probleme dhe pengesa të shumta, të cilat ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në lehtësimin e rrugëtimit të z. Macron drejt suksesit, shkruan The Economist.
E tillë ishte edhe situata në zgjedhjet presidenciale franceze në 2017, ku rivali i tij kryesor i qendrës së djathtë humbi shumë pikë si pasojë e një skandali ku ai rezultonte të ishte i përfshirë në çështje të lidhura me korrupsionin. Edhe protestat e dhunshme antiqeveritare të jelekë-verdhëve që shpërthyen në fillim të këtij viti u shuan me po të njëjtën shpejtësi me të cilën u përhapën.
Edhe së fundmi, z. Macron ishte shumë pranë realizimit të një ëndrre të madhe në drejtim të emërimit të një prej kandidatëve të tij të preferuar në një prej posteve kryesore të BE-së, edhe kësaj here si pasojë e një gabimi të të tjerëve. Pas tri ditë bisedimesh, krerët e BE-së (me përjashtim të Theresa May) ranë dakord të emërojnë Ursula von der Leyen, ministren e Mbrojtjes të Gjermanisë, në postin e lideres së Komisionit Europian, ekzekutivit të BE-së.
Kristiano-demokratja e moderuar, Ursula von der Leyen, është një prej njerëzve më të besuar të Merkel e cila ka disa bindje të njëjta me ato të z. Macron. Presidenca e Bankës Qendrore Europiane (BQE-se) iu dha Christine Lagarde, lideres franceze të Fondit Monetar Ndërkombëtar, e cila, ashtu si z. Macron, është pro debateve paqësore të Europës dhe kundër zgjidhjes së konflikteve me dhunë. Presidenca e Këshillit Europian, iu dha Charles Michel, Kryeministrit liberal belg, edhe ky një aleat i z. Macron. Emërimi përfundimtar sheh Josep Borrell, socialdemokratin spanjoll, në postin e përfaqësuesit kryesor të BE-së për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë.
Nëntorin e kaluar, Partia Popullore Europiane (PPE), grupi i partive të qendrës së djathtë, zgjodhën Manfred Weber, një anëtar bavarez të Parlamentit Europian, si kandidatin kryesor për lider. Në zgjedhjet e Parlamentit Europian që u zhvilluan më 23-26 maj të këtij viti, PPE-ja u rendit e para, gjë që nënkuptonte se sipas konventës Spitzenkandidat (për liderin kryesor), z. Weber do të ishte kandidati kryesor për komisionin. Ai nuk ka përvojë ekzekutive, njihet shumë pak në Bruksel dhe mbështetja e tij për politikën autoritare të qeverisë hungareze është një prej dizavantazheve më të mëdha.
Për më tepër, PPE-ja humbi vende, së bashku me partnerët tradicionalë në grupin e qendrës së majtë të socialistëve dhe demokratëve. Edhe pse znj. Merkel, liderja më e fuqishme e PPE-së e mbështeti patriotin e saj, ai u kundërshtua nga shumë liderë të tjerë dhe në pamundësi për të arritur në një marrëveshje për zgjedhjen e kreut të ri, bisedimet u shtynë për më 30 qershor. Këtu, kancelarja Merkel bën gabimin e saj të dytë. Gjatë diskutimeve me z. Macron dhe Kryeministrat e Spanjës dhe Holandës, kancelarja gjermane pranoi kandidaturën e Frans Timmermans, kandidatit kryesor të socialistëve dhe demokratëve për presidencën e komisionit, ndërsa z. Weber si kandidat për President të Parlamentit. Kolegët e znj. Merkel në PPE, si Leo Varadkar i Irlandës, kundërshtuan vendosjen e z. Weber në krye të Parlamentit Europian ndërsa liderët e Italisë, nuk e miratuan kandidaturën e z. Timmermans. Rrjedhimisht, samiti i 30 qershorit u shty për në 1 korrik sepse ishte e qartë se as z. Timmermans dhe as z. Weber nuk do të merrnin mbështetjen e nevojshme.
Mëngjesin e një dite më vonë, më 2 korrik, z. Macron, paraqiti emrin e znj. Von der Leyen si një kandidaturë e mundshme. Me mbështetjen absolute të znj. Merkel, shumicës së PPE-së, qeverive lindore dhe ato të qendrës, znj. Von der Leyen, ishte kandidatja me mbështetjen më të madhe. Por me një lidere gjermane në krye të Komisionit Europian, z. Macron mund të pretendonte që të vendoste një lidere franceze në krye të Bankës Qendrore Europiane.
Megjithatë, edhe znj. von der Leyen nuk e kishte mbështetjen e të gjithëve, madje disa prej anëtarëve të PPE-së dhe disa socialdemokratë ishin kundër saj, sidomos për shkak se ajo nuk kishte kandiduar sipas konventës Spitzenkandidat. Përpjekjet e saj për të modernizuar Forcat e Armatosura, bënë që shumë të dyshonin në aftësitë e saj. Ish-presidenti i Parlamentit gjerman, Martin Schulz, shpeshherë e ka etiketuar znj. von der Leyen si ministren më të dobët gjermane. Përveç kundërshtimeve të mësipërme, kanë dalë edhe të tjera në pah. Por në një kohë tensionesh të larta politike midis Lindjes dhe Perëndimit, për të katër postet kryesore janë dhënë katër kandidatura perëndimore.
Në votat për presidencën e Parlamentit deputetët e “koalicionit të madh” të partive të moderuara pro BE-së, PPE-ja, S&D (Socialistët & Demokratët) dhe liberalët mbështetën një kandidat të partisë së gjelbër, ndërsa lindorët në PPE mbështetën kandidaturën e një çeku. David Sassoli, socialdemokrati italian, fitoi vetëm 345 vota, kjo do të thotë se ai nuk e gëzon mbështetjen e shumicës, nga 751 anëtarë që ka Parlamenti Europian. Kjo mund të sugjerojë se edhe kandidatura e znj. von der Leyen nuk është e sigurt, edhe ajo mund të mos marrë të gjithë votat e nevojshme për të siguruar Presidencën e Komisionit Europian. Votimi që edhe do të përcaktojë nëse znj. Von der Leyen do të marrë apo jo votat e duhura do të zhvillohet më 15-18 korrik. Në rast se ajo nuk do të arrijë të marrë numrin e duhur të votave, atëherë liderët do të duhet të bëjnë propozimin e një kandidature të re.
Margrethe Vestager, komisionerja liberale e konkurrencës, thuhet se mund të marrë mbështetjen e duhur. Por, në rastin se edhe kjo e fundit nuk do të miratohet, atëherë rrethi i kandidaturave do të ngushtohet shumë dhe opsionet do të mbeten të pakta. Nëse znj. Von der Leyen do të marrë numrin e duhur të votave për të kryesuar Presidencën e Komisionit Europian, çfarë lloj lidere do të jetë ajo? I vërtetë është fakti se edhe pas vitesh në postin e ministres së Mbrojtjes, Forcat e Armatosura gjermane janë thuajse të rrënuara si pasojë e mungesave të pajisjeve të ndryshme ushtarake dhe të gabimeve të ndryshme teknike. Ndërkohë partitë opozitare gjermane kanë hapur një hetim në drejtim të konsulencave të shumta gjatë këtyre viteve, të cilat mbi të gjitha kanë pasur edhe një kosto të lartë monetare.
Problemet në Forcat e Armatosura gjermane kanë ekzistuar edhe më parë se znj. Von der Leyen të merrte detyrën e ministres së Mbrojtjes. Përpjekjet për t’i rregulluar gjërat kanë qenë të shumta, edhe pse vështirësitë me të cilat ajo është përballur kanë qenë edhe më të mëdha. Ajo gëzon respektin dhe mbështetjen e kolegëve të NATO-s për luftën e vazhdueshme për të rritur buxhetin e Forcave të Armatosura gjermane dhe zgjerimin e misioneve ushtarake gjermane në vende si Mali dhe Lituania. Ajo ka shprehur edhe shqetësimin për fuqinë në rritje të Kinës në kontinentin europian dhe rritjen e vigjilencës së këtij të fundit për ta parandaluar këtë gjë. Mund të ketë pasur edhe kandidatura më të mira për postin e Presidencës së Komisionit Europian, si në rastin e znj. Vestager, por padyshim që ka pasur edhe kandidatura edhe më të këqija. Si znj. Lagarde, z. Michel dhe Z. Borrell janë të gjithë figura kompetente. Ky i fundit do të jetë një prej personave më të rëndësishëm që do të vihet në postin e përfaqësuesit kryesor të BE-së për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë që prej vitit 2009. Europa gjithmonë është drejtuar në bazë të kompromiseve dhe le të shpresojmë se situata nuk do të përkeqësohet.
Box per Ursula von der Leyen
Ursula von der Leyen, kandidatja kryesore për drejtimin e Komisionit Europian
Qëndrimi i Ursula von der Leyen, kandidates kryesore për postin e Presidencës së Komisionit Europian, ishte miqësor edhe përballë anëtarëve të Parlamentit Europian të cilët e kundërshtuan kandidaturën historike në këtë post. Ministrja e Mbrojtjes së Gjermanisë ishte një kandidaturë surprizë duke marrë në konsideratë luftën e krerëve të BE-së për të arritur në një kompromis në ditët e samitit. Von der Leyen duhet të fitojë mbështetjen e shumicës së votave të anëtarëve të Parlamentit Europian në mënyrë që të marrë në dorë drejtimin e KE-së më 1 nëntor të këtij viti dhe të zëvendësojë kështu Jean-Claude Juncker.
Javën e kaluar ajo udhëtoi në Strasburg për të takuar eurodeputetët e Partisë Popullore Europiane të qendrës së djathtë. Gjatë takimit, ajo u prezantua me deputetët duke u folur rrjedhshëm gjermanisht, anglisht dhe frëngjisht, si dhe iu përgjigj pyetjeve të shumta të drejtuara prej tyre. Nëse do të miratohej, 60-vjeçarja, e cila ka studiuar në Shkollën e Ekonomisë në Londër, do të ishte gruaja e parë që do të udhëhiqte ekzekutivin e BE-së në historinë e tij 62-vjeçare.
Përveç mbështetjes së madhe që ka marrë ajo është kritikuar ashpër nga eurodeputetët socialistë dhe anëtarët e Partisë së Gjelbër. Kandidatura e preferuar e socialistëve ishte eurodeputeti italian David-Maria Sassoli, i cili me një shumicë të ngushtë, la pas kandidatin çek të zgjedhur nga Partia e Gjelbër dhe e Majta Radike. Një prej arsyeve kryesore se përse kandidatura e znj. von der Leyen u kritikua ashpër nga socialistët dhe anëtarët e Partisë së Gjelbër ishte sepse ajo nuk e kishte injoruar Spitzenkandidaten, proces i rëndësishëm i Parlamentit Europian.