Një nga natyrat e qeta të piktorit Shima me titull “Lulet e shpresës”, 1984, vaj mbi kanavacë, e shitur në vitin 1994 nga piktori me çmimin 17 000 USD, në ankandin e veprave të artit në SHBA u rishit me çmimin 1 000 000 USD.Të interesuarit për blerjen e veprave të piktorit Shima, të vëna në dispozicion të revistës “Monitor” nga artisti Shima, mund të kontaktojnë me numrat e telefonit të revistës “Monitor”; numër celulari 0692348519, ose me E-mail: [email protected] Shima bën pjesë në familjet e dinastive të piktorëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të XX-të. Ajo fillon me piktorin Alush Shima dhe vazhdon me djemtë e tij Orion e Rubens. Alush Shima është piktori më i suksesshëm bashkëkohor shqiptar, që ka ngjallur te publiku shqiptar një interes të jashtëzakonshëm për nivelin e tij artistik dhe suksesin e veçantë që ka arritur prej disa vitesh dhe vazhdon të arrijë në disa nga Galeritë e rëndësishme të Londrës (Catto Gallery), Washingtonit, New Jersey, Chicagos (Hilligoss Gallery), Singaporit (HaKarn Gallery), Discovery, DC area etj.Emri i piktorit Shima është i njohur për artdashësit shqiptarë, së pari si autor i shumë filmave artistikë (piktor filmi dhe kostumesh) të realizuar nga ish-Kinostudioja “Shqipëria e Re” gjatë viteve 1967 90. Mund të kujtojmë filmat “Gjeneral gramafoni”, “Kohë e largët”, “Në shtëpinë tonë” etj. I pasionuar pas natyrës shqiptare dhe dritës së jashtëzakonshme mesdhetare Shima në këto vite, duke udhëtuar për arsye të xhirimeve filmike, ka realizuar me dhjetra e dhjetra tablo (peizazhe) nga e gjithë Shqipëria. Në vitin 1967 realizon tablonë me titull “Mbreti Skënderbe” për ta paraqitur në ekspozitën kombëtare të 500-vjetorit të përkujtimit të vdekjes së heroit kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (212 x 300 cm, vaj në kanavacë, studio e artistit), e cila refuzohet nga komisioni organizator i ekspozitës së shtetit komunist të asaj kohe. Kështu, Shima vendos të mos marrë pjesë më në ekspozitat e politizuara zyrtare të kohës. Tabloja “Mbreti Skënderbe” ishte një tablo e veçantë për kanonet e artit të realizmit socialist, pasi Shima për herë të parë e çmitizoi figurën e këtij heroi duke e paraqitur si një hero – njeri – princ me veshjen e kohës (shek. XV-të), i pikturuar në moment meditimi, i ulur në fronin mbretëror. Por “heroi Skënderbe në mendime” ishte jashtë klisheve tip të sapokrijuara sipas shembujve lindorë të artit mbi paraqitjen “optimiste” të psikologjisë së heronjve të realizmit socialist. Shima gjatë viteve 1967 1990 ka krijuar mbi 5000 vepra në grafikë; të realizuara me penë (bardh e zi) e në teknikën miks (të prekura ngjyra pasteli). Ky koleksion, përveç një sasie të vogël (rreth 150 copë) që u shit pas viteve 90-të, ruhet në studion e piktorit si dëshmi unikale e një arti ndryshe, antikonformist, dhe të një krijimtarie disidence artistike “sekrete politike”, që piktorit Shima mund ti kishte kushtuar shumë shtrenjtë nëse zbulohej në ato vite, kur Shqipëria ishte nën një diktaturë nga më të egrat komuniste të kohës. Koleksioni i grafikave të Shimës përmban brenda disa cikle, që sot mund të studjohen me kujdes, rigrupohen dhe riemërtohen nga studjuesit; por në thelb ato mijëra vepra përbëjnë “kapriçiot dhe pasionet e realizuara në fshehtësi” të piktorit Shima gjatë viteve të diktaturës. Të realizuara në kushte të jashtëzakonshme izolimi artistik e të një censure të egër, këto vepra përbëjnë një “thesar” artistik me vlerë historike, artistike dhe kulturore (grafikat janë të pasura nga elemente dhe figura simbolike të karakterit social-politik, me nudo e grup figurash të shveshura e për kohën të ndaluara, shpesh me një realizim virtuoz dhe fuqi shpirtërore magjike, që të trondisin). Një vend të veçantë – cikli “I vetmisë”Në vitin 1989 piktori Alush Shima çel në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ekspozitën vetjake me 230 tablo, e cila u mirëprit dhe ngjalli një interes të jashtëzakonshëm te publiku shqiptar. Ishte reporteri anglez Piter Haxhiristiç, që e ftoi artistin në Londër për të hapur ekspozitë (1992, ROY MILES GALLERY). Në këtë galeri Shima çel radhazi tri ekspozita, të cilat shiten me sukses të plotë me çmime nga 5 000 20 000 USD. Veprat ishin kryesisht peizazhe, natyra të qeta dhe figura arlekinësh; realizime të viteve 1972 1990. (Nga ekspozita e parë e çelur në galerinë e lordit ROI MILES, një nga blerëset ishte dhe Ivana Trump). Në janar 1992 Shima ekspozon në Florida, më 1993 1995, ai rikthehet përsëri në Londër ku njihet me Ricky Padro, i cili do të bëhet dhe administratori zyrtar i piktorit në ekspozitat e mëvonshme në Catto Gallery (Londër), HaKaren Art Gallery (Singapor), në Hilligoss Galleries (Chicago), në Diskovery Galleries (Maryland USA), në Studio of Long Grove (Illinois USA), në Parness Gallery (New Jersey).Në tablotë e Shimës ndihet një penelatë e shkathët, ngjyrat janë potente dhe me dritë pothuajse “verbuese”. Shima në vazhdimësi pikturon tre ciklet e tij tashmë të preferuara: a) peizazhet e fshatit shqiptar (mbizotëruar nga magjia e pamjeve të arkitekturës dhe rrugëve të fshatit shqiptar shoqëruar nga gjelbërimi); b) natyrat e qeta me lule të shumëllojshme; c) portretet, ku bëjnë pjesë familjarët e tij dhe cikli i figurave të arlekinëve. Tablotë e Shimës të mahnisin me mënyrën e thjeshtë të pikturimit, zgjidhjet e veçanta e të papritura kompozicionale. Ato shquhen mbi të gjitha për fuqinë koloristike, të një penelate me dritë të fuqishme, e cila ndërthurr drejt një harmonie “të egër” të kaltrat e blutë me okrat e arta, apo të gjelbërtat tingëlluese. Shima është piktori i tablove me format të madh. Ai i ka mbetur besnik teknikës së ngjyrave të vajit dhe paleta e tij piktorike tashmë ka krijuar stilin e tij të veçantë e të njohur. Shima që student mahnitej mbas veprave të Rubensit e Rembrandit, të cilat i shfletonte nga librat e paktë me riprodhimet e kohës, më vonë ai ishte ndër “fansat” e Mattisse, Van Gogh, Gogen e të Picasso-s. Piktori Alush Shima është piktori më i suksesshëm i tablosë “intime” si: natyra morte dhe peizazhi. Ai këtyre gjinive të nënvlerësuara para viteve 90 nga arti zyrtar i kohës, u ka dhënë vendin e duhur dhe të nderit në artin bashkëkohor shqiptar. Shima me veprën e tij piktorike, që arrin në mbi 1500 tablo në vaj, ka shpalosur në vazhdimësi një talent të jashtëzakonshëm, ku evidentohet veçanërisht aftësia e tij si një kolorist i lindur, aftësia mjeshtërore e organizimit të objekteve dhe figurave, realizimi i një dekorativiteti krejtësisht origjinal e të papritur. Duke kontaktuar me veprat e tij publiku zbulon një shpirt artistik të pashtershëm, që krijon magjinë e tij artistike me tablo gjithmonë impresionuese. Një nga natyrat e qeta të piktorit Shima me titull “Hope Irises”, 1984, vaj mbi kanavacë, e shitur në vitin 1994 nga piktori me çmimin 17 000 USD në ankandin e veprave të artit në SHBA, u rishit me çmimin 1 000 000 USD. Veprat e piktorit Alush Shima ndodhen në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë, në koleksionet e mjaft personaliteteve të artit, kulturës dhe politikës shqiptare dhe botërore në SHBA, Angli, Greqi, Francë, Japoni, Gjermani, Itali, Spanjë etj. Çmimi i veprave të piktorit Alush Shima luhatet nga 5 000 Euro – 20 000 Euro.Njihni piktorin Alush Shima1942: Lind në Tiranë, në familjen e Mustafa e Fatma Shimës. Mustafai ishte pronar i një punishteje të vogël të prodhimit të këpucëve në qytetin e Tiranës.1962-1966: Mbaron studimet për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë. (Sot Akademia e Arteve të Bukura) 1966-67: Emërohet piktor modelist në ish-ndërmarrjen artistike ” Migjeni”, Tiranë.1967-90: Piktor filmi në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”. Ka realizuar mbi 30 filma artistikë, nga të cilët në 15 prej tyre ka qenë piktor i kostumeve të filmit dhe në filmat e tjerë piktor filmi. Autor (si piktor filmi) në filmat artistikë “Gjeneral gramafoni”, “Në shtëpinë tonë”, “Gunat përmbi tela”, “Dhe vjen një ditë”, “Kohë e largët”.1990: Artist i lirë1994: Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve, Tiranë1996: Deputet i Kuvendit të Shqipërisë1997- në vazhdim: Artist i lirëDinastitë e piktorëveArtistët në Ballkan dhe në Europë gjatë Mesjetës i krijonin veprat e artit si familje, duke ua lënë trashëgim këtë profesionzanat fëmijëve. Në Shqipëri deri në fund të shekullit të XIX-të piktorët konsideroheshin dhe kishin statusin e zejtarit. Ishte piktori Kol Idromeno i porsa kthyer nga qyteti italian i Venecias, që krijoi për herë të parë figurën e piktorit modern shqiptar, i cili ishte njëkohësisht arkitekt, fotograf, muzikant dhe urbanist. Brezat e piktorëve nga një familje, pra “Dinastitë” e piktorëve në Shqipëri fillojnë në shekullin e XVI-të, me piktor Onufrin dhe birin e tij Nikollën, në shekullin e XVIIXIX-të me vëllezërit ikonografë korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi, me ikonografët Katro (Çetir) që përbëhej nga 6 breza piktorësh, me dinastinë e piktorëve Zengo ku bën pjesë Vangjel Zengo dhe dy vajzat e tij Androniqi dhe Sofia, me piktorin ikonograf Mihal Anagnosti dhe djalin e tij Dhimitër. Në shekullin e XX-të nga piktorët e traditës përveç familjes Zengo, nuk kemi vazhdim të traditës së dinastive të piktorëve. Por mbas gjysmës së dytë të shekullit të XX-të, vërejmë një rigjallërim të kësaj tradite dhe mund të përmendim: familjet Abdurrahim – Kujtim – Sokol Buza; Sadik – Buron – Kaceli; Nexhmedin – Anila Zajmi; Foto – Vladimir – Vjollca Stamo, vëllezërit piktorë Agim – Bujar; Qamil – Ermir Grezda, Hasan – Shpëtim Reçi; Vilson – Alba – Gesi Kilica; Kristaq – Edi Rama, Hysen – Ardian Devolli, Muntaz – Lumturi – Mirela Dhrami, Jakup – Adriana Kerraj, Hasan – Andi Nallbani, familja Edi – Klod Hila (Agostini), Gazmend – Gjergji – Alba Leka.
Ylli Drishti
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.