PISA 2018, Shqipëria përmirëson aftësitë në matematikë, i përkeqëson në shkencë

03/12/2019 3:27 PM 0 komente

PISA, një instrument i vendeve në OECD, që mat performancën e 15-vjeçarëve në matematikë, lexim dhe shkencë, e renditi Shqipërinë në vendin e 61-të, në mesin e 79 vendeve që morën pjesë në testimin e vitit 2018.

Shqipëria u rendit në fashën e dytë, me përgatitjen më të ulët nga pesë fashat e kategorizuara, ku në të pestën u grupuan vendet që spikasin me njohuritë më të larta të 15-vjeçarëve dhe fasha numër 1 me njohuritë më të ulëta.

Në rajon, Shqipëria ka një renditje më mirë se Bosnja, Maqedonia dhe Kosova, ndërsa Mali i Zi dhe Serbia kanë një renditje më të mirë se Shqipëria.
Rezultatet e PISA 2018 treguan se 15-vjeçarët e Shqipërisë morën 437 pikë nga 600 pikët e mundshme në testin e matematikës. Shqipëria përmirësoi rezultatin në raport me testimin e vitit 2015 në matematikë me 24 pikë. Vendi ynë, mori në matematikë një vlerësim më të ulët se mesatarja e OECD, e cila u përllogarit me 489 pikë.

Në aftësitë e të lexuarit, Shqipëria u vlerësua me 405 pikë nga 600 të mundshme, duke mbajtur të njëjtin rezultatet me vitin 2015. Edhe në lexim të rinjtë e Shqipërisë shfaqin aftësi më të ulëta se mesatarja e OECD-së e cila ishte 487 pikë. Në shkencë, 15-vjeçarët shqiptarë morën 417 pikë ose 10 pikë më pak se në vlerësimin e vitit 2015. Mesatarja e nxënësve të OECD në shkencë ishte 489 pikë.

Një nga gjetjet kryesore të testit PISA tregoi se niveli i mirë ekonomik i një vendi jo domosdoshmërisht përkthehet në njohuri të mira arsimore.
Kina, me katër rajone të saj, ishte e para në klasifikimin PISA 2018. Kinezët jo vetëm që kishin rezultatet më të mira në lexim, matematikë dhe shkencë, duke marrë gati pikët maksimale por ata kishin diferencë shumë të lartë me vendin të dytë në renditje me Singaporin me mbi 40 pikë në të gjitha testimet.

Katër vendet e para në aftësitë arsimore i shfaqën vendet aziatike si Kina, Singapori, Macao, Hong-Kong. Ndërsa në Europë, vendin e parë në PISA 2018 e zuri Estonia. Rezultatet treguan edhe në Europë se të ardhurat për frymë dhe investimet në arsim nuk janë mjeti kryesor për rezultate të larta. Estonia investon për arsimin 30% më pak se mesatarja e OECD. Kosova u rendit e treta nga fundi, me 353 pikë në lexim, 366 pikë në matematikë dhe 365 pikë në shkencë, duke lënë pas vetëm Filipinet dhe Republikën Dominikane.

Për më tepër, 10% e studentëve më të dobët në Kinë treguan aftësi më të mira leximi sesa ato të studentit mesatar në vendet e OECD, si dhe aftësi të ngjashme me 10% të studentëve më të përparuar në disa prej këtyre vendeve.

PISA është një studim ndërkombëtar që u fillua nga OECD në 1997, u administrua për herë të parë në vitin 2000 dhe tani mbulon mbi 80 vende. Studimi kryhet ccdo 3 vjet dhe siguron të dhëna krahasuese mbi performancën e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë.
Rreth 600 000 nxënës e përfunduan vlerësimin në 2018, duke përfaqësuar rreth 32 milionë 15-vjeçarë në shkolla nga 79 vendet pjesëmarrëse.
Testet ishin të bazuara në kompjuterë në shumicën e vendeve, me vlerësimet që zgjatën gjithsej dy orë. Në lexim, testet ishin një përzierje e pyetjeve me zgjedhje të shumëfishta që u kërkonin studentëve të ndërtojnë vetë përgjigjet. Artikujt u organizuan në grupe bazuar në një pasazh të tekstit që përshkruan një situatë në jetën reale.

Studentët gjithashtu iu përgjigjën një pyetësori, plotësimi i të cilit kishte afat 35 minuta. Pyetësori kërkoi informacione për vetë studentët, qëndrimet e tyre, përkushtimin dhe besimin, shtëpitë e tyre dhe përvojat shkollore dhe mësimore. Drejtorët e shkollave plotësuan një pyetësor që përfshin menaxhimin e shkollës dhe organizimin dhe mjedisin e të mësuarit.
Në disa vende u pyetën edhe prindërit duke u kërkuar atyre të japin informacione për perceptimet e tyre dhe për përfshirjen në shkollën dhe mësimin e fëmijës së tyre. Në 52 vende u shpërndanë një pyetësor për familjaritetin e studentëve me kompjuterët.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of