Pas një periudhe të gjatë negociatash, Banka e Shqipërisë miratoi një plan shpëtimi të pagëzuar si “Qasja e Tiranës”, për bizneset që kanë dështuar në shlyerjen e kredive në banka, me vlerë mbi 8 milionë euro. Plani i shpëtimit, tashmë në fuqi, do të nisë të aplikohet në muajin shtator për 9 korporata, nga grupi i të 35 kompanive që ishin problematike në kthimin e huave. Si do të funksionojë marrëveshja shumëpalëshe banka – debitor dhe pilotimi i një rasti që çoi në finalizimin e marrëveshjes
Blerina Hoxha
Bizneset me kredi të keqe, vlera e së cilës i kalon 100 milionë lekët (rreth 8 milionë euro) në disa banka kanë mundësi të rinisin aktivitetin dhe të dalin nga gjendja e falimentit, të ndihmuara nga vetë bankat. Pas negociatave të gjata dhe të vështira, bankat tregtare kanë rënë dakord për mënyrën se si do të ristrukturojnë bashkërisht një biznes, i cili ka dështuar të shlyejë kredinë. Ekspertët në Bankën e Shqipërisë shpjeguan se rënia dakord ndërmjet bankave i ndihmon ata që të rikuperojnë kredinë e humbur, ndërsa biznesi do të shpëtojë nga falimenti dhe sekuestro.
Rregullorja e pagëzuar me emrin “Qasja e Tiranës”, e ngjashme me “Modelin Podgorica”, synon të ristrukturojë të paktën 9 korporata të mëdha në vjeshtë, pjesë e 35 bizneseve të mëdha në vend që zotëronin 65% të kredisë me probleme në vitin 2015. “Qasja e Tiranës” u miratua së fundmi nga Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë dhe do të aplikohet në vijim për të gjitha bizneset që dështojnë të shlyejnë shumat e kredisë mbi 8 milionë euro.
Huatë me probleme në banka zinin 11.46% të totalit të huasë në fund të muajit prill të këtij viti Në vlerë absolute, kreditë e marra nga bizneset e individët, që janë më shumë se tre muaj vonesë në kthimin e kësteve, ishin 500 milionë euro. Kreditë e këqija shënua rekordin më të lartë në shtator të vitit 2014, ndërsa niveli i tyre arriti në 24.9% të huasë së dhënë për ekonominë.
“Qasja e Tiranës” u pagëzua nga projekti pilot
Pas goditjes që bankat pësuan pas krizës ekonomike të vitit 2008 nga moskthimi i huave, të cilat kulmuan në 24,9% të totalit të kredisë së dhënë në shtator 2014, me vlerë mbi 1 miliard euro, institucionet ndërkombëtare financiare u angazhuan për të zgjidhur ngërçin që po mban peng kreditimin normal të ekonomisë sot e kësaj dite.
Në katër vitet e fundit u bënë shumë ndërhyrje, por ristrukturimi i kredisë me marrëveshje jashtë gjykate nuk u adresua në kohë për shkak të hezitimit bankave për të gjetur një marrëveshje të përbashkët efikase për ristrukturimin e një kredie të madhe. Për ta bërë të prekshëm procesin, Banka e Shqipërisë pilotoi ristrukturimin e një biznesi, ecuria e të cilit do të bindte bankat të shkonin më tej me marrëveshjen.
Sipas ekspertëve të Bankës së Shqipërisë, rasti kishte një ekspozim në një shumë kredie rreth 26 milionë euro në më shumë se një bankë. Së pari, iu kërkua biznesit të hartonte një biznes-plan ku të tregonte mundësinë reale të ripagimit të kredisë. Në këtë proces biznesi u mbështet nga një kompani e madhe audituese nga “Big 4”, duke dhënë edhe besimin për bankat.
Më pas, me koordinimin e Bankës së Shqipërisë, bankat ranë dakord që t’i jepnin mundësinë e ristrukturimit të kredisë, duke e konsideruar si një kredi sindikale. Më tej, u negociua për një kohë të gjatë për termat. Bankat vendosën më pas për një rifinancim për kapitalin e punës. Në fund, kur të gjitha bankat ranë dakord, u nënshkruan kontrata të reja me terma të njëjta për të gjitha bankat.
Konsensusi ndërmjet bankave u quajt “Qasja e Tiranës”, objekt i së cilës është trajtimi i kredimarrësve në vështirësi financiare, duke u mundësuar këtyre të fundit shlyerjen e kredive ndaj bankave. Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, palët kërkojnë të përmbushin shlyerjen e detyrimeve nga kredimarrësit brenda një periudhe kohore të arsyeshme, nëpërmjet rishikimit të marrëdhënieve të tyre me këta të fundit, ndërsa sigurojnë vijimësinë e qëndrueshme të biznesit të tyre, duke ruajtur kontributin pozitiv në ekonomi.
Cilat biznese ristrukturohen
“Qasja e Tiranës” zbatohet për kredimarrësin e bankave (kredimarrës individual ose grup i lidhur kredimarrësish) ku ekspozimi total i tij (debitorit) në të gjitha bankat kreditore është më i madh se 100 milionë lekë. Detyrimi i kredimarrësit në një ose më shumë banka kreditore, ka qenë në vonesë të paktën 60 ditë, ose kur ndonjëra prej bankave kreditore vlerëson se kredimarrësi po përballet me vështirësi financiare dhe për këtë, nevojitet një zgjidhje. Veprimtaria e tij mund të vijojë, pavarësisht problematikave, dhe për këtë nevojitet marrja e masave për riaftësimin e tij në shlyerjen e detyrimeve, kur vlerësohet se përfitimet nga ky proces janë më të mëdha sesa nga likuidimi i biznesit.
Komunikimi mes bankave
Kur një bankë kreditore vlerëson se janë përmbushur kriteret, informon bankat me të cilat ka ekspozim debitori dhe që janë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Brenda 10 ditësh pune, bankat kreditore të ekspozuara ndaj debitorit caktojnë njërën prej bankave si Bankë Udhëheqëse, e cila në parim është banka me ekspozimin më të madh, por mund të jetë edhe një bankë tjetër nëse bankat vendosin ndryshe.
Banka Udhëheqëse do të drejtojë procesin e negociatave për zbatimin e masave për trajtimin jashtëgjyqësor. Banka e Shqipërisë mbahet në dijeni në të gjitha komunikimet e parashikuara në këtë seksion. Banka e Shqipërisë, në bazë të informacionit që disponon, informon bankat kreditore për ndonjë ekspozim të mundshëm të debitorit që rezulton të jetë jashtë dijenisë së këtyre fundit. Komunikimi me debitorin me probleme Banka Udhëheqëse, brenda 5 ditësh pune nga caktimi i saj, kontakton debitorin në mënyrë që t’i shfaqë shqetësimin lidhur me situatën dhe të kërkojë shlyerjen e menjëhershme të detyrimeve në vonesë.
Negocimi i trajtimit jashtëgjyqësor
Në ato raste kur nuk kryhet shlyerja e menjëhershme e kredisë dhe debitori bie dakord për fillimin e diskutimeve për një trajtim jashtëgjyqësor, bankat kreditore administrojnë së bashku procesin nëpërmjet nënshkrimit të Marrëveshjes Debitor-Kreditor.
Bankat kreditore do të njoftojnë Bankën e Shqipërisë, brenda 5 ditëve pune, për çdo Marrëveshje Debitor-Kreditor të nënshkruar. Sipas situatës specifike të debitorit, trajtimi jashtëgjyqësor i tij mund të përfshijë zgjatjen e afatit të kredisë dhe dhënien e financimeve shtesë nëse nevojitet, për rritjen e kapitalit qarkullues dhe/ose financimin e investimeve të reja. Financimet shtesë mund të shkojnë për likuidimin e aktiviteteve dytësore që nuk lidhen drejtpërdrejt me biznesin kryesor të debitorit, rritjen e kapitalit nëpërmjet financimit, kryerjen e ndryshimeve në drejtim ose shitjen e pasurive të luajtshme ose të paluajtshme të debitorit. Gjithashtu, masat parashikojnë konvertimin e borxhit në kapital, teksa bankat mund ndërmarrin çfarëdo mase tjetër që favorizon vazhdimin e biznesit të debitorit dhe forcon qëndrueshmërinë e tij, duke rritur në të njëjtën kohë mundësitë e rimëkëmbjes. Çdo debitor do të trajtohet, duke marrë parasysh situatën e tij specifike.
Për këtë qëllim, do të identifikohen problemet me të cilat përballet debitori dhe shkaqet e tyre, duke kërkuar të dhënat e nevojshme nga debitori. Negociatat do të kryhen në mirëbesim, në mënyrë që të gjendet trajtimi më i përshtatshëm.
Biznesi me kredi të keqe ka moratorium 120 ditë
Bizneset e përfshira në proces përfitojnë një moratorium deri në 120 ditë nga nënshkrimi i marrëveshjes së ristrukturimit. Gjatë kësaj periudhe, bankat kreditore nuk mund të ushtrojnë asnjë presion të njëanshëm ndaj debitorit për shlyerjen e detyrimeve dhe nuk mund të bëjnë asnjë përpjekje për të përmirësuar pozicionin relativ ndaj bankave të tjera kreditore. Nuk mund të marrin garanci (kolateral) shtesë nga pasuritë e debitorit. Nuk mund të vazhdojnë procedurat ligjore të nisura përpara fillimit të këtij procesi nga një bankë kreditore, përveç atyre që janë të nevojshme për të shmangur humbjen e të drejtave ligjore.
Nuk do të ndërmarrin veprime ose procese të reja e të njëanshme ligjore. Të gjitha bankat kreditore që marrin pjesë në negociatat e ristrukturimit, do të ruajnë konfidencialitetin gjatë procesit, me qëllim mbrojtjen e biznesit të debitorit dhe nxitjen e zgjidhjes.
Banka Udhëheqëse, pasi ka negociuar me debitorin, propozon një marrëveshje, për të cilën çdo bankë voton individualisht. Marrëveshja miratohet me një shumicë që kërkon miratimin e bankave që mbajnë të paktën 65% të detyrimit total të debitorit dhe mbi 50% të numrit të bankave kreditore. Kur arrihet një marrëveshje e detyrueshme, bankat kreditore bien dakord që të nënshkruajnë planin për trajtimin jashtëgjyqësor të debitorit (plani i zgjidhjes).
Plani i shpëtimit
Debitori, në bashkëpunim me bankat kreditore, harton një plan zgjidhjeje të plotë, transparent dhe të realizueshëm, duke përfshirë një analizë të industrisë dhe një parashikim të arsyeshëm të rrjedhjes së parave (cash-flow), brenda tri javësh nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje. Ai bie dakord të vendosë në dispozicion të bankave, të gjithë informacionin e kërkuar, në mënyrë të shpejtë dhe efikase. Në bashkëpunim me Bankën Udhëheqëse, mund të emërojë një këshilltar, duke përfshirë këshilltarin financiar, teknik ose ligjor, për të përgatitur dhe për të zhvilluar një plan të zbatueshëm dhe ka përgjegjësinë për të paguar kostot dhe tarifat e këshilltarit. Kostot do të përballohen sipas mënyrës së rënë dakord midis palëve.
Debitori bie dakord të bashkëpunojë plotësisht me këshilltarin në fjalë dhe i siguron këtij të fundit, të gjitha informacionet e nevojshme, në kohë dhe në mënyrë efikase.
Detyrimet e biznesit debitor
Gjatë periudhës që plani i zgjidhjes është në shqyrtim, përgatitje ose zbatim, debitori bie dakord që, pa pëlqimin paraprak të Bankave Kreditore, të mos ndërmarrë asnjë nga veprimet e mëposhtme:
– Të krijojë ose të marrë borxhe shtesë;
– Të bëjë ndonjë investim, shpenzim ose të devijojë fondet, përveçse rrjedhës normale të veprimtarisë së tij;
– Të bëjë transferimin e fondeve për qëllime të ndryshme nga biznesi i tij;
– Të transferojë, tjetërsojë ose disponojë pasuri (të luajtshme ose të paluajtshme), jashtë rrjedhës së zakonshme të biznesit të tij; e) të garantojë detyrimet e personave të tjerë fizikë ose juridikë;
– Të ndikojë në ndryshime të rëndësishme të strukturës së tij të drejtimit, ose në përbërjen e organeve drejtuese;
– Të ndikojë në ndonjë ndryshim në strukturën e kapitalit, duke përfshirë përbërjen dhe pjesëmarrjen e aksionerëve;
-Të jetë subjekt apo të fillojë ndonjë procedurë për likuidimin ose riorganizimin e aktivitetit;
-Të krijojë hipotekë, barrë siguruese ose garanci (kolateral) shtesë mbi pasuritë e tij apo aktive të tjera (duke përfshirë balancat e llogarive bankare ose të arkëtueshme);
-Të kryejë pagesa preferenciale, duke përfshirë çdo shlyerje borxhi ndaj kreditorëve;
-Të hyjë në ndonjë transaksion të këmbimit valutor, swap, ose derivativ, përveçse në rrjedhën e zakonshme të biznesit të tij për të mbuluar ekspozimet ekzistuese tregtare;
-Të angazhohet në çdo veprimtari, drejtpërdrejt ose tërthorazi, përveç veprimtarive ekzistuese të biznesit;
-Të bëjë pagesa për aksionerët, në formën e dividendëve, të shlyejë pjesë të kapitalit, të ripaguajë borxhet e varura apo të tjera pagesa të ngjashme;
-Të ndryshojë ose të modifikojë statutin e shoqërisë;
-Të ndërmarrë ose të vazhdojë ndonjë veprim ligjor ose procedurë kundër Bankave Kreditore, gjatë periudhës së negocimit.
Debitori do të zbatojë kufizimet, siç kërkohen nga bankat kreditore, gjatë gjithë periudhës së zbatimit të masave të përcaktuara në planin e zgjidhjes. Ai duhet të pranojë më tej se, në rast se ai ose garantuesit dështojnë, refuzojnë ose përjashtojnë konfirmimin e borxhit ose njohjen e përgjegjësisë për çdo kërkesë të një Banke Kreditore, Banka Kreditore mund të ndërmarrë çfarëdo veprimi që mund të konsiderohet i nevojshëm për të ruajtur pretendimin e saj kundër debitorit dhe/ose garantuesve.
Debitori bie dakord dhe merr përsipër të paguajë tarifat për përgatitjen dhe finalizimin e dokumenteve ligjore për bankat kreditore. Gjithashtu, debitori bie dakord dhe merr përsipër që të paguajë tarifa të ndryshme, si për shembull, tarifat e Bankës Udhëheqëse, tarifat për dokumentacionin etj., në varësi të planit të zgjidhjes të miratuar. Debitori do të paguajë edhe tarifat/komisionet e këshillimit. Nëse bihet dakord, tarifat e përshkruara më lart mund të ndahen ndërmjet debitorit dhe Bankave Kreditore.
Debitori njeh dhe pranon që, nëse detyrimet e planit të zgjidhjes nuk përmbushen, bankat kreditore kanë të drejtë të zgjidhin këtë marrëveshje dhe marrëdhënia e debitorit me bankat kreditore do të vazhdojë të rregullohet sipas kontratave përkatëse.
Debitori pranon dhe merr përsipër të dëmshpërblejë dhe të mbajë të paprekura bankat kreditore për të gjitha humbjet, kostot, dëmet, detyrimet, pretendimet, veprimet, gjobat, tarifat, shpenzimet e tjera (duke përfshirë tarifat e avokatëve dhe shpenzimet gjyqësore), të cilat bankat mund të jenë të detyruara të paguajnë si rezultat i kësaj Marrëveshjeje Debitor – Kreditor, dhe/ose nga angazhimet dhe përfaqësimet e përcaktuara këtu, dhe/ose nga moszbatimi i planit të zgjidhjes nga ana e tij.
Si organizohen bankat për shpëtimin
“Qasja e Tiranës” i detyron bankat të krijojnë strukturat, me qëllim shkëmbimin dhe analizën e informacionit, si dhe miratimin e masave më të përshtatshme për trajtimin e kredimarrësve, në varësi të kompleksitetit të marrëdhënies me ta. Ato përfaqësohen nga administratorët, të cilët kanë autoritetin e nevojshëm nga strukturat drejtuese të tyre (bankave), për të negociuar dhe për të arritur rënien dakord për trajtimin e përbashkët, si dhe diskutojnë dhe bien dakord, duke respektuar parimin e proporcionalitetit kundrejt madhësisë së ekspozimeve, me qëllim ruajtjen e pozitës së secilës prej tyre dhe duke vlerësuar në mënyrë të balancuar bankat me pozicion më të favorshëm.
Për të mbrojtur biznesin e debitorit dhe për të nxitur zgjidhjen, janë të detyruara të ruajnë konfidencialitetin, gjatë gjithë procesit të trajtimit jashtëgjyqësor të kredimarrësit. Bankat diskutojnë për mundësitë, të cilat i ofrohen kredimarrësit për të vijuar veprimtarinë e tij të biznesit, pa iu shmangur detyrimeve të këtij të fundit ndaj tyre. Ato zbatojnë trajtimin jashtëgjyqësor kur e vlerësojnë dhe gjykojnë se në të ardhmen gjendja financiare e kredimarrësit do të përmirësohet ndjeshëm, dhe se kredimarrësi do ta shlyejë kredinë.
Bankat njoftojnë Bankën e Shqipërisë për sa më sipër dhe e ftojnë si vëzhguese në takimet që do të bëhen midis tyre. Në çdo rast, bankat njoftojnë Bankën e Shqipërisë lidhur me zhvillime të rëndësishme për këto procese.
Këshilla përtej bankave
Në procesin e trajtimit jashtëgjyqësor të kredimarrësve në vështirësi financiare, mund të përfshihen edhe palë të treta, në rolin e këshilltarëve të jashtëm, për kryerjen e analizave financiare, ofrimin e zgjidhjeve të përshtatshme, bazuar në përvojën e këtyre të fundit, si dhe për çështje juridike.
Zgjedhja e këshilltarëve të jashtëm nuk duhet të kufizohet nga kostot e procesit dhe marrëdhëniet me këshilltarët e jashtëm rregullohen nëpërmjet marrëveshjeve paraprake, duke përcaktuar në këto marrëveshje edhe çështjen e konfidencialitetit të informacionit dhe konfliktet e interesave.
Bankat, të cilat vendosin të bashkëpunojnë me një kredimarrës të përbashkët, nënshkruajnë marrëveshjen tip dhe mund përshtatin atë sipas nevojës së rastit konkret, pa cenuar detyrimin për moratoriumin e veprimeve.
Si e mbikëqyr Banka e Shqipërisë procesin
Banka e Shqipërisë zbaton kufizimet në rast të mungesës së një qëndrimi të unifikuar kundrejt huamarrësit, që do të sillte rritjen e rrezikut të kredisë në portofolat e bankave individuale, duke kontribuar potencialisht dhe në rritjen e rrezikut sistemik.
Kufizimet zbatohen për të gjitha bankat, të cilat nuk nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit dhe janë shkaktare për mosrealizimin e marrëveshjeve të përcaktuara në rregullore.
Banka e Shqipërisë vendos për secilën bankë objektiva për uljen e treguesit të kredive me probleme për kredimarrësit e përbashkët me probleme dhe në rast të mosarritjes së objektivit përcakton për bankën një normë më të lartë të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit. Shtesa në kapital do të kërkohet në rast se banka nuk shkëmben apo shpërndan me bankat e tjera, informacion për kredimarrësin, për të cilin është në dijeni. Nëse refuzon të marrë pjesë në diskutime, ose në bashkëpunimin me bankat e tjera, pa ndonjë arsye të qëndrueshme dhe nëse ndërmerr veprime të njëanshme për ekspozimin ndaj kredimarrësit, gjatë periudhës së moratoriumit. Gjithashtu, nëse krijon bashkëpunim të favorshëm vetëm me një ose disa prej bankave kreditore dhe arsye të tjera që pengojnë procesin e trajtimit të përbashkët të kredimarrësve.
Banka Udhëheqëse, ose secila nga bankat, informon Bankën e Shqipërisë nëse një ose disa Banka Kreditore nuk zbatojnë detyrimet e kësaj marrëveshjeje, duke dhënë edhe arsyet përkatëse si dhe njofton edhe bankat kreditore për këtë informacion.
Zgjidhja e mosmarrëveshjeve
Nëse ndonjë mosmarrëveshje do të lindë ndërmjet debitorit dhe bankave kreditore, ajo do të zgjidhet në mënyrë miqësore. Në rast se mosmarrëveshja nuk zgjidhet në mënyrë miqësore, brenda 15 ditësh kjo marrëveshje deklarohet e zgjidhur dhe marrëdhënia e debitorit me bankat kreditore do të vazhdojë të rregullohet sipas kontratave fillestare.
Palët e kësaj marrëveshjeje bien dakord të respektojnë kushtet e kësaj marrëveshjeje dhe kushtet që përcaktohen në planin e zgjidhjes.
Çfarë ndodh kur debitori nuk është dakord
“Qasja e Tiranës” parashikon që, në rast se debitori nuk bie dakord me këtë marrëveshje të propozuar, bankat kreditore kanë të drejtë të bëjnë një përkeqësim të menjëhershëm të klasifikimit të debitorit. Bankat kreditore njoftojnë bankat e tjera që nuk kanë ekspozim ndaj debitorit mbi mosarritjen e konsensusit dhe këto të fundit bien dakord të vendosin kritere më të forta për financime të mundshme të debitorit.
Ky vendim iu komunikohet edhe bankave që nuk janë pjesë e kësaj marrëveshjeje, si dhe Bankës së Shqipërisë. Në mungesë të rrethanave të jashtëzakonshme që duhet të vlerësohen bashkërisht nga bankat kreditore lidhur me debitorin me probleme, negociatat duhet të finalizohen brenda 120 ditëve nga nënshkrimi i Marrëveshjes Debitor-Kreditor. Në rast se plani i masave, që paraqitet pas kryerjes së negociatave nuk arrin të finalizohet, të drejtat e Bankave Kreditore për kontratat individuale që kanë me debitorët, mbeten të pacenuara. Të gjitha bankat, brenda 10 ditësh pune nga nënshkrimi i saj, shkëmbejnë zyrtarisht kontaktet e punonjësve të ngarkuar për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kjo marrëveshje. Si dëshmi të pranimit të të gjitha kushteve të kësaj marrëveshjeje, përfaqësuesit e bankave nënshkruajnë si më poshtë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.