Flet Edlira Muka, Drejtoreshë e Përgjithshme e grupit BALFIN
Pandemia e shkaktuar nga koronavirusi ka ndryshuar dukshëm sjelljen e konsumatorëve, ndërsa po detyron bizneset të përshtaten.
Grupi Balfin, më i madhi në vend për tregtinë me pakicë, ka ndërtuar një plan strategjik me mekanizmat përkatës, për të menaxhuar krizën në çdo sektor ku operojmë. “Jemi përgatitur për të qenë elastik e për t’u përshtatur me format e ndryshme që mund të marrë kriza”, thotë Edlira Muka, Drejtoreshë e Përgjithshme e grupit Balfin.
Ajo shton se dy sektorët e ndikuar më shumë nga pandemia janë shitjet me pakicë dhe industria e rëndë e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve. Znj. Muka shton se është e vështirë të parashikohet se kur do të ndodhë rikthimi në normalitet, për sa kohë që nuk dihet ecuria e virusit.
Por, ajo është e sigurt se ekonomia dhe bizneset nuk do ta përballonin një karantinë të dytë, teksa rekomandon që qeveritë duhet të parashikojnë si të lehtësojnë individët nga disa taksa personale, duke i dhënë mundësi që të kenë më shumë të ardhura në përdorim për këtë periudhë të vështirë.
Grupi, nga ana tjetër, po përpiqet ta kthejë krizën në mundësi, duke vijuar me strategjinë për t’u shtrirë më tutje gjeografikisht. Në vitin 2019, 50% e investimeve ishin në Shqipëri dhe 50% jashtë.
Si ka qenë ecuria e kompanive të grupit në vitin 2019?
Viti 2019 mund të përfshihet te vitet e suksesshme për ecurinë në tërësi të shoqërive të Grupit Balfin. Pothuajse të gjithë sektorët ku ne jemi të pranishëm kanë shënuar rritje gjatë 2019, duke iu referuar ecurisë në të gjitha vendet ku jemi të pranishëm.
Këtu do të doja të ndalesha tek industria minerare, e cila edhe gjatë 2019-s nuk ka kaluar një moment të mirë, për shkak të rënies së çmimeve në tregjet globale. Pavarësisht krizës u morën disa masa, që të mos ndikoheshin punonjësit dhe të mos ngadalësoheshin investimet e nisura.
Gjatë vitit 2019 kemi ndërmarrë apo përfunduar disa investime shumë të rëndësishme për shoqëritë e Grupit si: hapja e pusit nr. 9 në minierën e Albchrome, zgjerimi i QTU, vijimi i ndërtimit të Green Coast dhe projektit të rezidencave në Vjenë, zgjerimi i rrjeteve të shoqërive që operojnë në shitjet me pakicë, ndërtimi i SEG në Shkup, etj.
Ndërkohë janë përmirësuar një sërë standardesh të brendshme në mirëqeverisjen e Grupit. Jemi shumë krenarë që, në vitin 2019, kemi arritur të prezantojnë standarde të reja, duke e përgatitur Grupin dhe shoqëritë e Grupit për t’u përballur denjësisht në tregjet e Bashkimit Europian, ku ne aktualisht jemi të pranishëm, por kërkojmë më shumë hapësirë.
A kishit ndikim në aktivitet nga tërmeti i 26 nëntorit?
Kur ka ngjarje të tilla si tërmeti i nëntorit 2019 është më se e pritshme që të ketë ndikim edhe te pjesë të tjera përbërëse të shoqërisë. Ndonëse tërmeti i nëntorit 2019 nuk pati ndikim të qenësishëm në aktivitetin ekonomik të Grupit, ne arritëm që të aktivizoheshim shumë shpejt për të dhënë ndihmë.
Një pjesë e mirë e stafit nëpër shoqëritë e grupit u fokusuan tërësisht te misioni për t’u ofruar ndihmë familjeve të prekura nga tërmeti. Grupi Balfin arriti të krijojë një fond prej më shumë se 1.2 milionë eurosh që të prekurit nga tërmeti ta kalonin sa më lehtë tragjedinë dhe të kishin mundësi ta rinisnin sa më lehtë nga e para.
Ndikimi negativ nga tërmeti i nëntorit 2019 në Shqipëri u shmang edhe për arsye të shtrirjes gjeografike të Grupit Balfin në rajon dhe vendet e Bashkimit Europian, e kombinuar kjo me zgjerimin e portofolit në disa sektorë të ekonomisë. Kjo strategji e Grupit Balfin ka rezultuar një “mburojë” për rastet kur ka pasur vështirësi apo ngadalësim në parametrat ekonomikë të një shteti apo të një sektori ekonomik të caktuar.
Si po rezulton ecuria në pjesën e deritanishme të vitit 2020. Cilat kompani janë goditur më shumë nga pandemia?
Pandemia globale, përveçse ka vënë në krizë të gjithë sistemin e shëndetësisë, po paraqitet si një sfidë e vështirë për të gjithë ekonominë botërore. Për sa i përket Grupit Balfin, mund të themi që dy sektorët e ndikuar më shumë nga pandemia janë shitjet me pakicë dhe industria e rëndë e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve.
Sektori i nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve, edhe më parë pandemisë ka qenë nën trysninë e rënies së vazhdueshme të çmimeve në nivel global. Pandemia e bëri edhe më të vështirë situatën për ferro-kromin dhe ferro-nikelin.
Shitjet me pakicë janë ndikuar nga masat shtrënguese, ku në pranverë u shoqëruam me mbyllje të shumicës së aktivitetit. Edhe tani që nuk kemi të bëjmë më me mbyllje të përgjithshme, shikojmë që blerësit janë shumë më të kujdesshëm në shpenzime.
Kriza shëndetësore që infektoi edhe ekonominë e rajonit dhe Bashkimit Europian, na ka bërë që të rishikojmë një pjesë të objektivave dhe strategjive. Askush nuk pret që shoqëritë e Grupit të kenë rezultate më të mira apo të njëjta me vjet. Tani, fokusi ynë kryesor është të ruajmë ecurinë e shoqërive dhe të stafeve dhe punonjësit tanë, si aseti kryesor që kemi dhe ku është investuar gjatë këtyre viteve.
Këndvështrimi pas pandemisë
Kriza shëndetësore që infektoi edhe ekonominë e rajonit dhe Bashkimit Europian, na ka bërë që të rishikojmë një pjesë të objektivave dhe strategjive. Askush nuk pret që shoqëritë e Grupit të kenë rezultate më të mira apo të njëjta me vjet. Tani, fokusi ynë kryesor është të ruajmë ecurinë e shoqërive dhe të stafeve dhe punonjësit tanë, si aseti kryesor që kemi dhe ku është investuar gjatë këtyre viteve.
Ju jeni operatori më i madh i retail në vend. Sa e vlerësoni se është goditur konsumi dhe për cilat segmente? Si e prisni ecurinë deri në fund të vitit (nëse keni ndonjë vlerësim për rritje ose rënie në përqindje).
Është pak e vështirë që të bësh një përllogaritje të saktë të gjithë tregut të shitjes me pakicë. Nga të dhënat tona, që gjithsesi nuk mund të përfaqësojnë gjithë tregun, rënia në total e shitjeve me pakicë është mesatarisht rreth 12% në krahasim me 2019.
Këtu përfshijmë harkun kohor nga janari në gusht 2020, duke marrë së bashku shoqëritë e Grupit Balfin jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Rënia e blerjeve ka qenë më e dukshme te sektori i veshjeve, elektronikës dhe artikujt e dekorit, plazhit, lodrave etj. Më pak është ndikuar aktiviteti i supermarketeve. Kjo është një tablo e përngjashme edhe me ecurinë globale të rënies së shitjeve me pakicë.
Parashikimi deri në fund të vitit 2020 do të jetë me po këtë rënie të përgjithshme të blerjeve, sepse nuk shohim ndonjë përmirësim të situatës me pandeminë në rajon, por edhe në nivel botëror. Pandemia ka shkaktuar një goditje edhe psikologjike te blerësi, i cili sot është më i shqetësuar dhe i frikësuar sa u takon blerjeve, pasi përballet me pasiguri për të ardhmen. Fundi i vitit është një periudhë shumë e rëndësishme për shitjet me pakicë. Këtu do të shikohet edhe sesa rëndë e ka prekur pandemia ekonominë dhe shitjet me pakicë në ato vende ku ne jemi të pranishëm.
Për sa kohë prisni që të bëhet rikthimi në normalitet dhe çfarë politikash nxitëse mund të ndërmarrë qeveria për të përshpejtuar këtë proces?
Për sa kohë që nuk kemi ende një parashikim sesi do të shkojë pandemia, edhe ekonomia është e detyruar të hedhë hapa të vegjël në një terren aspak të qëndrueshëm. Përveçse jemi duke ndjekur nga afër ecurinë e pandemisë dhe parametrave ekonomikë të vendeve ku ne jemi të pranishëm, ne kemi ndërtuar edhe një plan strategjik me mekanizmat përkatës për të menaxhuar krizën në çdo sektor ku operojmë. Jemi përgatitur për të qenë elastikë e për t’u përshtatur me format e ndryshme që mund të marrë kriza.
Edhe nga Qeveritë e vendeve ku ne jemi të pranishëm pritet që të jenë mjaftueshëm elastikë në ndihmën që duhet dhënë për të përballuar krizën. Për bizneset duhet të ndërtohen skema që të sigurojnë vijimësinë e aktivitetit dhe sidomos në ata sektorë të cilët janë shumë të rëndësishëm për shoqërinë në këto momente. Nuk bëhet fjalë për të ndihmuar shoqëritë e biznesit në vetvete.
U duhet dhënë siguri ekonomive kombëtare dhe punonjësve që mund të preken nëse kriza thellohet. Qeveritë duhet të parashikojnë si të lehtësojnë individët nga disa taksa personale, duke i dhënë mundësi që të kenë më shumë të ardhura në përdorim për këtë periudhë të vështirë. Gjithnjë duhet të shikohen raportet e ndihmës për të përballuar krizën aktuale dhe për të siguruar rikthimin e shpejtë në normalitet.
Shëndeti vjen i pari dhe çdo masë që merret në këtë drejtim është e mirëkuptueshme. Në këtë drejtim, ne si Grupi Balfin mund të ofrojmë edhe ekspertizën tonë ndërkombëtare, në hartimin e protokolleve të sigurisë për sektorë të veçantë të ekonomisë.
Në lidhje me ecurinë e bizneseve, nëse do të kishte një mbyllje tjetër të ngjashme me atë të pranverës, mund të themi që situata do të bëhej mjaft e zymtë. Shumë biznese, dhe jo vetëm në rajonin tonë, do ta kishin të vështirë të përballonin një përsëritje të mbylljes. Kjo do të vinte edhe vetë shtetet në vështirësi të mëdha, pasi do të rritej papunësia dhe do të uleshin të ardhurat e shtetit nga taksat si pasojë e mbylljes së bizneseve.
Edhe më e vështirë do të ishte rindezja e motorëve të ekonomisë, pas një mbylljeje të dytë. Jo të gjithë bizneset do t’ia dilnin të rihapeshin. Pra, nuk do të ishte e lehtë për askënd, por gjërat duhen gjykuar rast pas rasti dhe në varësi të situatës shëndetësore, duke shpresuar gjithnjë për më të mirën.
Cilët janë sektorët që shihni më me interes për investime dhe si ka ndryshuar këndvështrimi për investimet e pritshme dhe diversifikimin pas pandemisë?
Pandemia ka ndryshuar shumë raporte ekonomike dhe sidomos në lidhje me planifikimet afatgjata që të gjitha bizneset serioze bëjnë. Deri para pandemisë, turizmi në rajonin e Ballkanit Perëndimor ishte një sektor me rritje të vazhdueshme, këtu bën pjesë edhe Shqipëria. Pandemia duket sikur e ka lëkundur pak interesin e investitorëve, pasi turizmi ishte edhe një ndër sektorët më të prekur.
Megjithatë, besoj që pasi të kalojë pandemia, turizmi do të rifitojë joshjen e humbur. Vetë Grupi Balfin ka disa plane shumë ambicioze në fushën e turizmit, kryesisht në Shqipëri, që synojnë ta kthejnë vendin në një pikë referimi në Mesdheun europian.
Njëkohësisht, ne nuk jemi duke humbur shumë kohë, por jemi duke studiuar tregun rajonal dhe disa vende të Bashkimit Europian për mundësinë e zgjerimit të aktivitetit në sektorin e shitjeve me pakicë. Besojmë që ky është një moment i mirë, për të vijuar me strategjinë tonë për t’u shtrirë më tutje gjeografikisht, duke përdorur përvojën tonë shumë të mirë në sektorin e tregtisë me pakicë.
Zhvillimi i pronave të paluajtshme është një tjetër sektor ekonomik, ku ne kemi arritur standarde të larta dhe synojmë më shumë hapësirë në rajon dhe vendet e BE. Në Austri, dy projektet e para në zhvillimin e pasurive të paluajtshme, po tregojnë që mund të kemi hapësirë për më shumë.
Balfin ka qenë mjaft aktiv dhe në investimet jashtë vendit. Si ka qenë ecuria dhe si e vlerësoni mjedisin për të bërë biznes, në krahasim me Shqipërinë?
Ne jemi gjithnjë të vëmendshëm ndaj zhvillimeve të reja dhe vlerësojmë çdo mundësi që paraqitet në rajon dhe në vendet e Bashkimit Europian. Tregjet e vogla të Europës Juglindore të ofrojnë mundësi që të tranzitosh drejt Bashkimit Europian.
Ne jemi në disa tregje të rajonit prej vitesh. Gjetëm një treg të shitjes me pakicë më të zhvilluar dhe mund të themi se kemi mësuar shumë nga kjo përvojë duke rritur standardin tonë, duke qenë të suksesshëm. Gjithashtu, kemi guxuar të depërtojmë në tregje të Bashkimit Europian, ku rregullat, procedurat janë mjaft kërkuese, dhe përsëri kemi qenë në gjendje të përshtatemi dhe të konkurrojmë si të barabartë.
Shumë prej shteteve të Europës Juglindore mund të bëjnë më tepër për t’i integruar ekonomitë e tyre me njëra-tjetrën. Ligjet dhe rregullat mund të harmonizohen më mirë dhe njëkohësisht, disa prej politikave fiskale mund të njehsohen midis shteteve. Këto politika duhet dhe mund të arrihen pa qenë nevoja të pritet anëtarësimi në BE. Kjo do të krijojnë një mjedis ku biznesi do të zhvillohej dhe mirëqenia e shoqërive të kësaj hapësire gjeografike të rritej me ritme më të shpejta.
Duke nisur nga viti 2019, Grupi Balfin ka vendosur për të rritur praninë gjeografike të investimeve në tregun rajonal dhe atë europian, si pjesë e një përqasje të re strategjike. Gjatë vitit 2019, Grupi Balfin ka pasur rreth 112 milionë euro investime, prej të cilave rreth 50% janë në Shqipëri dhe 50% jashtë.
Kjo përqasje e re strategjike e Grupit Balfin nuk do të thotë që në tregun shqiptar, Grupi do të ketë më pak vëmendje. Kjo tregon për një ecuri normale ku Grupi, pasi ka arritur të konsolidojë aktivitetin, po kërkon hapësira në tregje të reja.
Normalisht që kriza e këtij viti ka ndikuar në planet dhe parashikimet që kishim bërë. Megjithatë, strategjia për të rritur praninë e Grupit në tregjet jashtë Shqipërisë, sidomos ato të Bashkimit Europian, nuk ka ndryshuar. Kemi treguar që jemi konkurrues dhe të suksesshëm në tregjet e Ballkanit Perëndimor dhe tani synojmë të tregojmë veten edhe në tregjet e vendeve të Bashkimit Europian. Kemi punuar shumë së brendshmi për të përmirësuar standardet e qeverisjes së Grupit dhe shoqërive brenda Grupit, duke u përgatitur për të qenë konkurrentë në tregjet e Bashkimit Europian.
Rreth Grupit Balfin
Balkan Finance Investment Group, BALFIN Group, është një nga grupet investuese më të rëndësishme dhe më të suksesshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me një qarkullim neto të pakonsoliduar prej më shumë se 620 milionë eurosh në 2019.
Gjeografikisht, Grupi BALFIN është i pranishëm në Austri, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Holandë, me afërsisht 6,000 punonjës në total.
Aktivitetet e Grupit BALFIN përfshijnë zhvillimin dhe menaxhimin e pasurive të patundshme, shitjet me pakicë, industrinë minerare, sistemin bankar, turizmin, energjinë, logjistikën, etj.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.