Qeveria po harton kuadrin ligjor për hartimin e planeve vendore për zonat që do të ndërtohen për të strehuar të dëmtuarit nga tërmeti. Pas vendimit për hartimin dhe miratimin e planit të detyruar vendor, si dhe procedura e miratimit të lejeve të zhvillimit dhe lejeve të ndërtimit, publikuar dy ditë më parë në Fletoren Zyrtare, të tjera akte janë publikuar gjatë ditës së sotme. Këto akte saktësojnë se cilat do të jenë njësitë zbatuese për hartimin e planeve të detyruara vendore dhe financimin e tyre nga fondi për rindërtimin, miratuar në buxhetin e vitit 2020.
Për 9 bashki: Durrës, Kamzë, Kavajë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirëditë, Shijak, Vorë është përcaktuar se njësia zbatuese do të jetë Agjencia Kombëtare të Planifikimit të Territorit (AKPT).
Ndërkohë, për hartimin e planit të detyruar vendor për Bashkinë e Tiranës, njësi zbatuese do të jetë vetë Bashkia e Tiranës.
Vendimi parashikon që efekti financiar, prej 262 297 000 (dyqind e gjashtëdhjetë e dy milionë e dyqind e nëntëdhjetë e shtatë mijë) lekësh, përballohet nga zëri “Fondi për rindërtimin”. Nga ky fond, Agjencia Kombëtare të Planifikimit të Territorit merr 137.4 milionë lekë, dhe Bashkia Tiiranë rreth 125 milionë lekë.
Ndërkohë, një tjetër vendm i ditës së sotme, i ka shtuar bashkisë Tiranë një fond prej 200 milionë lekësh për inspektimin dhe vlerësimin e thelluar të dëmeve në njësitë e vetëqeverisjes vendore të prekura nga fatkeqësia natyrore e tërmetit të datës 26.11.2019.
Edhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për përballimin e shpenzimeve për inspektimin dhe vlerësimin e thelluar të dëmeve në njësitë e vetëqeverisjes vendore të prekura nga fatkeqësia natyrore e tërmetit i shtohet fondi prej 160 milionë lekësh, në formën e transfertës për Institutin e Ndërtimit.
Planet vendore për rindërtimin
Qeveria ka miratuar rregullat dhe procedurën e përshpejtuar për hartimin dhe miratimin e planit të detyruar vendor, si dhe procedura e miratimit të lejeve të zhvillimit dhe lejeve të ndërtimit, në rastet e fatkeqësive natyrore, për objektet e reja dhe/ose të infrastrukturës publike, si dhe zonave të reja për zhvillim. Këto plane kanë për qëllim zhvillimin dhe/ose rizhvillimin e një zone të dëmtuar nga ngjarja e fatkeqësisë natyrore; zhvillimin e një zonë të re për të përballuar nevojën për strehim të familjeve të prekura nga fatkeqësia si dhe ndërtimin e infrastrukturave publike.
Ky vendim parashikon që njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe autoritetet përgjegjëse shtetërore për planifikimin e zhvillimin e territorit, në rast fatkeqësie natyrore, duhet të marrin masa të hartojnë dhe të miratojnë planin e detyruar vendor, si dhe lejet përkatëse për zhvillim e ndërtim, sipas kushteve e procedurave të përcaktuara në këtë vendim.
Këto njësi duhet të identifikojnë zonat të cilat do t’i nënshtrohen hartimit të planit të detyruar vendor, me qëllim përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore.
Vendimi parashikon që grupi i punës, i ngritur nga kryetari i bashkisë dhe i përbërë nga specialistë të bashkisë dhe/ose ekspertë të licencuar, të përzgjedhur sipas parashikimeve të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, harton planin e detyruar vendor, brenda 30 ditëve pune nga data e shpalljes me vendim të Këshillit të Ministrave të zonës së re për zhvillim dhe/ose nga data e identifikimit të zonës të dëmtuar nga ngjarja e fatkeqësisë natyrore që përfshihet në zhvillim dhe ia paraqet kryetarit të bashkisë për miratim.
Plani i detyruar vendor dërgohet dhe paraqitet për njohje edhe në Këshillin Kombëtar të Territorit, në mbledhjen e radhës. Njësitë e vetëqeverisjes vendore marrin masa që, pas miratimit, plani i detyruar vendor të integrohet me planin e përgjithshëm vendor, duke ndjekur përcaktimet e vendimit nr.686, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullores së planifikimit të territorit”, të ndryshuar.
Vendimi parashikon dhe procedura të përshpejtuara për shqyrtimin dhe miratimin e lejes së ndërtimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.