“Plani B” i Huawei, një sistem operativ të tijin brenda vjeshtës

24/05/2019 8:46 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:
AFP

“Plani B” merr formë. Sistemi operativ i Huawei do të jetë gati brenda vjeshtës së këtij viti ose maksimumi në pranverë. Ai do të përfshihet tek smartphone, tablet, notebook, smartwatch, televizorë dhe makina në vend të sistemit operativ Android (apo Windows).

Këtë e bën të ditur kreu i divizionit të konsumit të shoqërisë kineze, Richard Yu, për Global Times, e përditshmja kineze që kontrollohet nga gazeta zyrtare e Partisë Komuniste, People’s Daily. Yu foli gjithashtu me CNBC dhe theksoi se bëhet fjalë për një zgjedhje të detyruar “nuk duam, por mund të mos kemi alternativë”.

Një zgjedhje e detyruar

Në dhjetor shkruam rreth hipotezës se Huawei do të krijonte një sistem operativ të tijin, për ta përdorur si alternativë të sistemit operativ Android të Google. Ky hap rrezikohej të bëhej i nevojshëm. Kompania kineze ZTE përfundoi në listën e zezë të kompanive që nuk mund të kenë marrëdhënie biznesi me kompanitë amerikane dhe kishte mbetur pa mbështetjen e Google për sistemin operativ Android (problemi u rikthye në vëmendje në korrik me një marrëveshje midis ZTE dhe Uashingtonit). Huawei e ndiente se do t’i ndodhte e njëjta gjë, për shkak të tensionit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me akuzat për spiunazh. Kjo gjë ndodhi të hënën e kësaj jave, kur Google pezulloi licencën e Android – kur për pasojë të ndalimit të Trump, kompania kineze përfundoi në “entity list”.

Dominimi i Android dhe “pesha” e Huawei

Kalimi te një sistem i ri operativ do të ishte një zhvillim për tregun, i cili sot dominohet nga Android, i instaluar te 74,85% të smartphone-ve, ndjekur nga iOS për pajisjet Apple, me 22,9% (të dhëna nga Statcounter). Huawei është prodhuesi i dytë në botë pas Samsung, pra i dyti si përqindje të telefonave me sistem operativ Android. 19% e smartphone-ve në botë janë Huawei me sistem operativ Android.

Një sistem i tretë operativ, sfidë që deri më tani askush nuk e ka fituar

Këto shifra na ndihmojnë të kuptojmë se pse kalimi nuk është i thjeshtë, as për Huawei e as për Google. Le ta nisim nga shoqëria kineze – kalimi te një sistem i ri operativ dhe në veçanti te një dyqan i ri online me aplikacione është një sfidë ambicioze, pasi duhet të kesh pas vete zhvilluesit për të bërë të disponueshme aplikacionet. Ren Zhengfei, themelues i Huawei, u tha të martën mediave kineze që “nuk është e vështirë të krijosh një sistem të ri operativ, e vështirë është të ndërtosh një ekosistem. Është diçka e madhe, që bëhet hap pas hapi”.

A janë gati përdoruesit për një sistem të ri operativ?

Pikërisht sepse është e vështirë Yu theksoi për CNBC disa herë se “nuk duam ta braktisim Android, por do të jemi të detyruar që ta bëjmë si pasojë e masave të qeverisë amerikane. Mendoj se ky nuk është vetëm një lajm i keq për ne, por edhe për kompanitë amerikane, pasi mbështesim biznesin e tyre. Nuk duam që ta bëjmë, por nuk kemi alternativë tjetër”.
Për shkak të tensioneve midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, këto fjalë nuk mund të shihen veçse nën optikën e një lufte tregtare. Global Times citon disa analistë kinezë që paralajmërojnë Google për rrezikun e humbjes së 20% të telefonave të tij Android.

Marrë me shkurtime: Il Sole 24 Ore

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of