Përfaqësuesja e Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (United Nations High Commissioner for Refugees, UNHCR) në Mbretërinë e Bashkuar, Vicky Tennant, tha se masa do të shkelte ligjin ndërkombëtar dhe nuk ishte e nevojshme për të ndaluar kalimet e Kanalit.
Kryeministri Rishi Sunak ka thënë se ai është “i gatshëm për luftë”, për të sjellë ligjin dhe për të kapërcyer çdo sfidë ligjore.
Laburistët kanë thënë se planet rrezikojnë të “përkeqësojnë kaosin”.
Të martën, qeveria propozoi një ligj të ri, i cili në mënyrë efektive do të ndalonte këdo që arrin përmes një rruge të paligjshme, të kërkojë azil në MB.
Kushdo, që zbulohet se ka hyrë ilegalisht në vend, do të bllokohet gjithashtu nga kthimi, ose pretendimi i nënshtetësisë britanike në të ardhmen.
Masa është pjesë e përpjekjeve për të adresuar një rritje të numrit të njerëzve që mbërrijnë në MB përmes kalimeve të Kanalit çdo vit, i cili u rrit nga rreth 300 në 2018 në më shumë se 45,000 në 2022.
“Ne besojmë se është një shkelje e qartë e Konventës së Refugjatëve dhe ka shumë mundësi që edhe njerëzit me pretendime shumë bindëse, thjesht nuk do të kenë mundësinë t’i parashtrojnë ato.”
Konventa për Refugjatët, e rënë dakord për herë të parë në 1951, është një traktat shumëpalësh që përcakton se kush kualifikohet si refugjat dhe detyrimet e shteteve nënshkruese për t’i mbrojtur ata.
Zonja Tennant tha se Mbretëria e Bashkuar ka një “traditë të gjatë humanitare” dhe se çështjet me migracionin mund të trajtohen me kontrolle të duhura dhe një sistem të administruar më mirë.
“Vijeni sistemin e azilit në punë,” tha ajo. “Bëni një proces të drejtë, efikas dhe më të shpejtë të procesit të azilit.”
“Nëse njerëzit nuk kanë të drejtë për azil, kthejini ata në vendet e tyre dhe nëse kanë, atëherë lejojini të integrohen dhe ta përfundojnë këtë proces shumë më shpejt.”
Deputeti konservator Richard Graham, tha se politika e qeverisë duhet të gjykohet nëse ajo zbatohet me “vendosje, dhembshuri dhe proporcion”.
Ai shtoi se kishte “tregues interesantë që rasti ynë po ndiqet në Strasburg, ku ndodhet Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut (European Court of Human Rights, ECHR)”.
Sekretarja e Brendshme Suella Braverman, u ka shkruar të gjithë deputetëve konservatorë, duke thënë se ka “më shumë se 50% mundësi” që legjislacioni të mos jetë në përputhje me ECHR dhe legjislacioni pritet të përballet me sfida ligjore.
Çfarë do të thotë ligji i ri?
• Personave të larguar nga MB, do t’u ndalohet kthimi ose kërkimi i nënshtetësisë britanike në të ardhmen
• Emigrantët nuk do të marrin lirim me kusht, ose nuk do të jenë në gjendje të kërkojnë rishikim gjyqësor për 28 ditët e para të paraburgimit
• Do të ketë një kufi në numrin e refugjatëve, që Mbretëria e Bashkuar do të vendosë përmes “rrugëve të sigurta dhe ligjore”, të vendosur çdo vit nga Parlamenti
• Ngarkohet sekretari i brendshëm për të ndaluar ata që mbërrijnë në MB ilegalisht dhe për t’i larguar ata në Ruanda ose në një vend të tretë “të sigurt”, kjo do të ketë përparësi ligjore mbi të drejtën e dikujt për të kërkuar azil
• Moshat nën 18 vjeç, ata që nuk janë të aftë për të fluturuar nga pikëpamja mjekësore, ose ata që janë në rrezik serioz në vendin nga ku po largohen, do të mund të vonojnë largimin
• Çdo kërkesë tjetër për azil do të ndiqet në distancë
Duke folur në një konferencë shtypi në Downing Street, zoti Sunak tha se ai besonte se nuk do të ishte e nevojshme që Mbretëria e Bashkuar të largohej nga ECHR, në mënyrë që të zbatonte politikën dhe qeveria po “përmbushte detyrimet tona ndërkombëtare”.
“Unë e kuptoj se do të ketë debat për ashpërsinë e këtyre masave,” tha ai. “Gjithçka që mund të them është, se e kemi provuar në çdo mënyrë tjetër dhe nuk ka funksionuar.”
“Politika ime është shumë e thjeshtë: shteti dhe qeveria juaj duhet të vendosin se kush do të vijë këtu, jo bandat kriminale.”
Ai shtoi se besonte se politika do të kishte “mjaft shpejt” një efekt parandalues, ndaj atyre që përpiqen të vijnë në MB përmes rrugëve të paligjshme.
Duke folur në Commons, sekretarja e brendshme e laburistëve, Yvette Cooper, akuzoi qeverinë se “ka lejuar bandat kriminale të pushtojnë Kanalin” dhe se ka dështuar të japë dënime për trafikantët e qënieve njerëzore.
“Nëse qeveria do të ishte serioze, ata do të punonin ndërkombëtarisht, për të arritur një marrëveshje të re të duhur me Francën dhe Europën, duke përfshirë marrëveshjet e kthimit, rrugët ligjore të kontrolluara dhe të menaxhuara siç duhet, si bashkimi familjar dhe reforma e zhvendosjes,” tha ajo.
“Ky projektligj nuk është një zgjidhje. Është një mashtrim që rrezikon ta përkeqësojë kaosin.” / BBC