Flet Sotiraq Filo, Kryetar i Bashkisë së Korçës
Bashkia e Korçës vlerëson se turizmi është një nga shtyllat kryesore të ekonomisë lokale që sjell, përveçse të ardhura të konsiderueshme për bizneset familjare, edhe punësim të kënaqshëm.
Por Korça, edhe pse një destinacion i konsoliduar, i vizituar gjatë gjithë vitit, sheh potencial zhvillimi përtej kësaj kornize.
Kryetari i Bashkisë, Sotiraq Filo, në një intervistë për “Monitor”, vlerëson se përdorimi i gazit përmes projektit të gazifikimit mund t’i japë nxitje edhe industrive të tjera në një zonë të posaçme, teksa krijimi i poleve të rëndësishme në zonat rurale do të rrisë mirëqenien e tyre.
Bashkia e konsideron veten si një nga palët e rëndësishme në procesin e hartimit dhe zbatimit të politikave të qëndrueshme dhe frenimi i largimit të të rinjve apo rikthimi i atyre që kanë emigruar për të investuar nuk mbetet jashtë vëmendjes.
Si ka qenë ecuria e investimeve në Bashkinë e Korçës në turizëm, flasim këtu për hotele e struktura të tjera akomoduese të hapura?
Korça njihet nga të gjithë si destinacioni cilësor më i vizituar gjithëvjetor në Shqipëri, me zhvillim të qëndrueshëm të turizmit, i cili ruan dhe rigjallëron burimet kulturore dhe natyrore, ofron vlera dhe përvoja unike, dhe kontribuon për përmirësimin e cilësisë së jetës së banorëve.
Sipas të dhënave të Bashkisë së Korçës, numri i vizitorëve vitet e fundit është rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme, nga 84,467 vizitorë në vitin 2019, në 56,310 vizitorë në vitin 2020, 89,623 vizitorë në 2021 dhe 96,940 vizitorë në 2022.
Sipas të dhënave që vijnë nga njësitë akomoduese, gjatë periudhës 2011-2019 kanë pritur 32.295 vizitorë.
Prej tyre, 75% konsiderohen turistë vendas dhe 25% turistë të huaj.
Qyteti i Korçës kishte vetëm 85 hotele dhe bujtina në vitin 2018, 94 struktura akomoduese në 2019, 98 struktura në 2020, 100 struktura në 2021 dhe 126 struktura në vitet 2022-2023.
Për vitin 2022, të ardhurat nga fjetjet në struktura akomoduese për Bashkinë e Korçës janë 7,737,460 lekë.
Kategorizimi i njësive akomoduese i përket kryesisht llojit të hoteleve bujtina, bujtina dhe fjetje me mëngjes.
Një nga pikat e forta të qytetit është organizimi i festave dhe aktiviteteve, të cilat zhvillohen gjatë gjithë vitit.
Festa e Birrës (në gusht) është festa më e madhe në qytet, duke tërhequr vizitorë nga i gjithë vendi dhe turistë të huaj që vizitojnë Shqipërinë gjatë kësaj periudhe.
Më shumë se 15,000 vizitorë çdo natë për Festën e Birrës vizitojnë qytetin dhe rrethinat e tij gjatë pesë ditëve të festivalit.
Për sa i takon turizmit, Bashkia e Korçës ka në fokus të punës së saj promovimin dhe zhvillimin e festave dhe aktiviteteve lokale në qytet dhe në të gjithë territorin e Bashkisë, përfshirë destinacionet turistike më të afërta të Dardhës dhe Voskopojës, të cilat janë ndër destinacionet kryesore gjithëvjetore në Shqipëri.
Produktet turistike të ofruara janë të shumëllojshme dhe mundësojnë zhvillimin e disa formave të turizmit si turizmi kulturor, turizmi natyror dhe ai i aventurës, turizmi i eventeve dhe festave, turizmi kulinar.
Sa është në total kapaciteti akomodues që ka Bashkia e Korçës dhe numri i personave të angazhuar në këtë sektor si të punësuar?
Aktualisht, Korça nga 126 struktura akomoduese, janë 99 hotele dhe bujtina në qytet dhe 27 struktura akomoduese në fshatrat turistikë, që ofrojnë akomodim me kapacitet prej 3354 personash. Janë 12 struktura akomoduese (hotele dhe bujtina), të cilat janë në ndërtim.
Oferta akomoduese në Korçë plotësohet me mundësinë akomoduese që ofrojnë bizneset familjare, kryesisht në destinacionet turistike të Dardhës dhe Voskopojës, si hostelet, shtëpitë pritëse, të cilat ofrojnë rreth 550 shtretër, duke e çuar kapacitetin maksimal në 3477 persona në total.
Turizmi, si një nga drejtimet më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik në Korçë, numëron 3300 persona të punësuar.
Situata aktuale, zhvillimi i partneritetit “Visit Korça” dhe strategjia rajonale për zhvillimin e turizmit janë pikat kryesore ku do të bazohet oferta turistike, e cila tashmë do të përfshijë të gjitha bashkitë e qarkut, me qëllim rritjen e numrit të vizitorëve kryesisht të huaj dhe shtimin e ditëve të qëndrimit, jo vetëm në Korçë, por edhe në destinacionet turistike të rajonit.
Cilët janë sektorët me potencial në rajonin e Korçës të identifikuar dhe ku mund të investohet?
Korça është një prej qyteteve që gjatë tre viteve të fundit ka pasur investime madhore, si ndërtimi i Qendrës promovuese për Zhvillimin e Turizmit, e cila do të ofrojë mundësi për zhvillimin e hotelerisë në aspektin e turizmit dhe të zhvillimit të guidave turistike, ndërtimi i Qendrës së Artit, Kulturës dhe Inovacionit, ndërtimi i Resortit të Skive në Nikolicë.
Këto projekte do të ndikojnë ndjeshëm në zhvillimin e turizmit për këtë qytet.
Gjatë viteve të fundit investimet e Bashkisë së Korçës nuk kanë qenë të fokusuara vetëm në projekte, të cilat kanë qëllim të shtojnë atraksionet turistike.
Ato në thelb janë investime me një vizion të qartë dhe kanë përparësi jo vetëm turizmin, por përmirësimin e standardeve sociale apo edhe të ekonomisë në qytetin e Korçës.
Të rëndësishme për t’u përmendur janë investimet në fshatra, edhe pse vazhdimisht është punuar në çdo fshat në përmirësimin e infrastrukturës. Përveç përmirësimit të infrastrukturës rrugore, mund të flasim edhe për infrastrukturë bujqësore të përmirësuar.
Përmirësimi dhe krijimi i kanaleve kullues, krijimi i rrugëve mes parcelave etj., të cilat e bëjnë më të lehtë punën për fermerët.
Sektorët më potencialë në rajonin e Korçës, për vitin 2022 janë:
-Sektori i turizmit (vihet re kryesisht hapja e bizneseve bar-kafe, restorante – 55 biznese të reja), bujtina dhe hotele – 12 subjekte të reja, të cilat aktualisht janë në ndërtim dhe do të nisin të funksionojnë së shpejti në vitin 2023.
-Sektori i ndërtimit dhe projektimit – 15 subjekte të reja.
-Sektori i transportit të pasagjerëve dhe mallrave – 13 biznese të reja.
-Sektori i shërbimeve informatike, teknologji informacioni, konsulencë, marketing – 25 biznese të reja.
Sektor potencial në rajonin e Korçës mbetet bujqësia, si dhe zhvillimi i agrobiznesit (përpunues) dhe zhvillimi i turizmit familjar, si dhe realizimi i investimeve të përbashkëta përmes mbështetjes financiare nga donatorë potencialë, bashkëpunimeve cross-border, bizneseve lokale, komunitetit për përmirësimin e infrastrukturës publike në blloqe banimi dhe qendra argëtimi.
Pritshmëritë janë që Korça të vazhdojë të tregojë zhvillim me ritme të shpejta, për sa i takon sektorit të turizmit dhe të mbetet qytet i preferuar nga vizitorët vendas dhe të huaj, por edhe nga emigrantët e rikthyer, të cilët zgjedhin së bashku me familjet e tyre të investojnë dhe jetojnë në Korçë.
Si mund të arrihet të thithet kapitali human drejt Korçës qoftë nga ata që dalin jashtë Bashkisë për studime dhe mund të qëndrojnë kryesisht në kryeqytet, ose jashtë shtetit, apo dhe emigrantët që kanë vite jashtë? A keni një plan si mund të bëhet kjo në nivel vendor, pasi jemi të ndërgjegjshëm që më shumë se në nivel vendor, kjo ka nevojë për angazhim në nivel qendror?
Turizmi, në vizionin e qeverisë, shihet si sektori që do të garantojë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke siguruar punësim, nxitje të ndërmarrjeve të vogla e të mëdha, më shumë të ardhura e më shumë mirëqenie për qytetarët shqiptarë.
Zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit është përgjegjësi e ndarë e një numri të konsiderueshëm aktorësh, përfshi institucionet qendrore dhe vendore, sipërmarrjet e turizmit, organizatat e shoqërisë civile dhe qytetarët. Në Korçë ka një bashkëpunim shumë të mirë të të gjithë këtyre aktorëve, të cilët ndikojnë drejtpërsëdrejti në menaxhimin sa më cilësor të nevojave gjithmonë edhe në rritje të sektorit turistik.
Korça ka të gjithë kapacitetet e nevojshme njerëzore për të menaxhuar cilësisht nevojat e sektorit turistik.
Aktualisht, banorët e Korçës kanë të siguruar akses të plotë me shërbime publike, mundësi më të mëdha punësimi dhe kushte cilësore banimi. Atraksionet e shumta natyrore dhe historike shfrytëzohen me eficiencë të plotë, duke sjellë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Rëndësia e zhvillimit të turizmit në harmoni me cilësitë unike të zonës, është përfshirë dhe në objektivat strategjikë të planit të veprimit të turizmit.
Vizioni i Strategjisë dhe i Planit të Veprimit për Turizmin në Rajonin e Korçës mbështet rolin që sektori i turizmit do të luajë në zhvillimin e qëndrueshëm të Korçës.
Objektivi është që Korça të zhvillohet si një destinacion me cilësi të lartë, duke tërhequr një numër shumë të madh turistësh që sjellin të ardhura të larta nga bota me interesa për kulturën dhe natyrën.
Në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme do të mbështetemi në pasuritë tona ekzistuese të prekshme dhe të paprekshme kulturore dhe natyrore.
Fokusi ynë do të jetë përmirësimi i aktiviteteve kulturore dhe eventeve, zhvillimi i turizmit të aventurës si një ofertë e re turistike, zhvillimi i infrastrukturës në mbështetje të turizmit të aventurës, forcimi i kapaciteteve e burimeve tona njerëzore; përmirësimin e cilësisë së akomodimit, objekteve turistike, agjencive turistike dhe restoranteve; njohje më të mirë të tregjeve tona aktuale dhe potenciale; dhe rritja e sensibilizimit të turistëve dhe industrisë së turizmit në Korçë si një destinacion cilësor.
Përmirësimi dhe zhvillimi i produkteve dhe i shërbimeve ka si qëllim të rrisë larmishmërinë e produkteve të reja për turistët, si rrjedhim, duke tërhequr një treg më të gjerë dhe duke i nxitur vizitorët që të rrinë më gjatë në rajon.
Gjatë zhvillimit të turizmit në Korçë, fokusi do të jetë në zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve që plotësojnë nevojat e vazhdueshme për të tërhequr dhe për t’u shërbyer asaj pjese të grupeve turistike ndërkombëtare dhe turistëve vendas që sjellin të ardhura më të mëdha siç janë turistët vendas që janë të interesuar që të zbulojnë historinë, kuzhinën lokale dhe të marrin pjesë në aktivitetet natyrore dhe të aventurës, por edhe festa të organizuara në qytet, grupet turistike ndërkombëtare, turiste në kërkim të aventurave, të cilët kërkojnë diçka më tepër se sa pushimet e zakonshme, turistët të cilët udhëtojnë për të zbuluar trashëgiminë e tyre etnike dhe gjeografike.
Aktualisht, shqiptarët që jetojnë në rajonet e Ballkanit dhe diaspora e Korçës përbën tregun më të madh të këtij qyteti. Siç pritet, ky treg do të vazhdojë të jetë një burim i rëndësishëm i vizitorëve në të ardhmen dhe është e rëndësishme të njihen nevojat dhe pritshmëritë e tyre dhe të zhvillohen produktet dhe shërbimet kryesore.
Gjithashtu është edhe mundësia që nga ky treg të nxiten investimet në Korçë, sidomos nga emigrantët nga rajoni i Korçës, të cilët kanë dëshmuar histori suksesi, jo vetëm të rikthimit të tyre në Korçë, por edhe investimit në qytetin e tyre.
Përmendim “Shtëpinë e Kuajve”, në fshatin Turan, e cila është modeli i fermës familjare, e përqendruar te mbarështimi i kuajve, e cila gjithashtu ofron shërbim akomodimi dhe restoranti. Biznesi menaxhohet nga një i ri i pasionuar pas kuajve, me përvojë 15-vjeçare si trajner dhe kampion në fushën e hipizmit në shtetin fqinj Greqi.
Ai dhe familja e tij e madhe kanë investuar me dëshirën e pasionin, për të pasur fermën e tyre, për ta kthyer në mënyrë jetese, stil, qendër edukimi për brezat, argëtimi, por edhe si një pikë e rëndësishme turistike për kalorës nga e gjithë bota.
Në fermë ofrohen xhiro me kuaj në pista të mirëfillta, si dhe kurse për grupmosha të ndryshme hipizmi, koncepte edukimi mbi kuajt, p.sh. më së fundmi koncepti “Adopto një Kalë”. Ndërkohë për fëmijët, grupmoshë e vogël, ofrohen xhiro me kuaj të vegjël, në praninë e instruktorit të fermës.
Korça tashmë është shndërruar në qendrën më të madhe të inovacionit dhe teknologjisë në rajon, e cila ka krijuar mundësi trajnimi në fushën e teknologjisë dhe inovacionit për të gjithë të rinjtë që studiojnë në këtë fushë, por edhe të rinj të tjerë të pasionuar pas teknologjisë, informacionit.
Promovimi i Qendrës ICT në Korçë, me qëllim trajnimin e mbi 5000 të rinjve për tregun ndërkombëtar të punës online, ofron një mundësi e madhe për të rinjtë korçarë e jo vetëm, të cilët tashmë kanë mundësi të trajnohen dhe të aftësohen në kurset e zhvilluara, me qëllim punësimin në tregun online nga kompani vendase dhe të huaja.
Qendra është e vendosur në Bibliotekën e Korçës dhe përfaqëson qendrën më të re të mësimeve të teknologjisë së lartë, për të motivuar të rinjtë në rrugën e punësimit në tregun global online, ku pa qenë aspak të detyruar të lëvizin nga vendlindja, ata mund të krijojnë të ardhura të larta.
Ekspertët e angazhuar do të ofrojnë mbështetje akademike dhe do të kenë rol kyç në hartimin e trajnimeve profesionale në gjuhë të ndryshme programuese, për temat që lidhen me zhvillimin e projekteve në fushën e dixhitalizimit, inovacionit, punësimit të të rinjve dhe çështje të tjera për zhvillimin e biznesit e teknologjisë.
Përmes Hub-it të madh të teknologjisë dhe inovacionit synojnë mundësinë unike për aftësimin, e më tej punësimin e të rinjve të Korçës, dhe në përgjithësi të të gjithë të rinjve sipërmarrës.
Projekte e programe që do të nxisin qëndrimin / kthimin e të rinjve në Korçë:
-Program i ICT
-Lagje për të rinjtë
-Lagje për Nomadët Dixhitalë
-Gazifikimi do të ulë koston e jetesës, pasi do të zgjidhë ngrohjen
-Do të krijohet edhe një zonë industriale, ku bizneset do të prodhojnë më lirë me gazin lëndë të parë. (mundësi për rritjen e punësimit)
-Poli rekreativ Drenovë – Boboshticë – Qartom që do të ketë Amfiteatrin më të madh të eventeve në Shqipëri, Qendrën e Argëtimit për të rinj etj.
LEXONI EDHE:
Thirrja e origjinës; “Të rikthyerit” që po investojnë në vendlindje
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.