Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për normalizimin ekonomik në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator të këtij viti. Marrëveshjet u nënshkruan nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump
Nga Fatos Shala
Qeveria e Kosovës ka miratuar planin prej 16 pikash për zbatimin e Marrëveshjeve të Uashingtonit, të nënshkruar më 4 shtator, të cilat kanë të bëjnë me normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas dokumentit të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, aty parashihen zhvillimi i disa projekteve, duke përfshirë ndërtimin e “Autostradës së Paqes”, rrjeti 5G dhe studimi i fizibilitetit për Liqenin e Ujmanit.
“Duke u bazuar në udhëzimet e Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës, Zyra për Planifikim Strategjik, në bashkëpunim me ministritë e linjës, ka identifikuar dhe listuar veprimet kryesore dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e pikave të marrëveshjes. Duke qenë se për shumicën e pikave ka pasur zhvillimeve të mëhershme qoftë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian, apo edhe disa projekte infrastrukturore, kanë qenë pjesë e planeve të Qeverisë së Kosovës, që për secilën pikë është bërë një përshkrim i shkurtër i gjendjes aktuale”, thuhet në planin e Qeverisë.
Pika e parë dhe e dytë e planit është zbatimi i marrëveshjeve për autostradën dhe hekurudhat Prishtinë – Beograd, të nënshkruara më 14 shkurt.
“Përgatitja dhe miratimi i marrëveshjeve të nevojshme financiare për implementimin e këtij projekti, në bashkëpunim me Institucionet Financiare Ndërkombëtare që është në përputhje me standardet e rrugëve motorike Trans-Europiane (TEM).
Zbatimi i marrëveshjes hyn në kuadër të diskutimeve për financimin e projekteve që janë pjesë e Marrëveshjes së 4 shtatorit dhe pritet që të bëhet: formimi i grupit teknik të punës dhe hartimi i studimit të fizibilitetit për rehabilitimin e trasesë ekzistuese dhe trasesë së re të linjës hekurudhore Fushë Kosovë – Merdare, në kuadër të standardeve teknike europiane të ndërveprimit (TSI)”.
Në pikën e tretë është ndërtimi i “Autostradës së Paqes”, lidhja hekurudhore midis Prishtinës dhe Merdares dhe asaj midis Prishtinës dhe Nishit, sigurimi i financimit për të mbështetur kreditë e kërkuara për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, projekte të dyanshme shtesë dhe prania ndërkombëtare e Korporatës Financiare për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC) me kohë të plotë në Serbi.
“Në takimet me Korporatën Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), USAID dhe EXIM, projektet të cilat janë paraqitur, në takime të ndara për financim janë: autostrada Besi – Merdare, hekurudha Prishtinë – Merdare, hekurudha Prishtinë – Porti i thellë në Adriatik. Të gjitha këto projekte do të zhvillohen më tej gjatë takimeve të ardhshme që pritet të ndodhin në muajt në vijim”, vijon dokumenti.
Pika e shtatë e këtij plani është që të dyja palët do të punojnë me Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësi të tjera të Qeverisë së SHBA-së në një studim të fizibilitetit për qëllimet e shfrytëzimit të përbashkët të Liqenit Ujmanit, si burim i mundshëm i ujit dhe energjisë.
“Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, sigurojnë bashkëpunimin e nevojshëm për Departamentin e Energjisë në SHBA dhe njësive të tjera të qeverisë së SHBA-së duke krijuar grupin punues për studimin e fizibilitetit, duke u fokusuar në: përcaktimi i alokimit teknik ekzistues të burimeve ujore të liqenit; eksplorimi i mundësive, nëse ka, për të avancuar infrastrukturën e liqenit për të optimizuar furnizimin me ujë, për të mundësuar përdorimin për qëllime të tjera (p.sh. ujitje, ujë të pijshëm); dhe sigurimi që çdo rekomandim ose propozim në studim nuk duhet të rrezikojë shfrytëzimin ekzistues të ujit”, thuhet në plan.
Në pikën e tetë të planit thuhet se, Kosova dhe Serbia do të diversifikojnë furnizimet e energjisë elektrike.
“Finalizimi i studimit të fizibilitetit të gazsjellësit Kosovë-Maqedoni; përgatitja e studimit të fizibilitetit në zhvillimin e sektorit të gazit në Kosovë, sipas rekomandimit të studimit të parafizibilitetit të mbështetur nga MCC; finalizimi i Gas Master Planit – e cila do të duhet të mbështetet nga EBRD dhe tashmë është dërguar në WBIF; finalizimi i studimit të fizibilitetit për zhvillimin e sistemeve të ngrohjes qendrore në qytetet e mëdha të Kosovës – që do të duhet të mbështetet nga EBRD dhe tashmë është dërguar në WBIF; lehtësimi i diskutimeve me DFC duke organizuar tryeza të rrumbullakëta të sektorit privat për të avancuar investimet e mundshme në infrastrukturë dhe energji; përmirësimi i komunikimit ndërmjet industrisë dhe investitorëve të Kosovës dhe SHBA-së për të nxjerrë në pah mundësitë; Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të propozojnë ndryshimet e nevojshme ligjore për të mundësuar zgjerim të konsiderueshëm të gjeneratorëve vetëkonsumues të sektorit privat në burimet e ripërtëritshme; MEA dhe ZRRE duhet të përmirësojnë informimin publik dhe komunikimin me konsumatorët për të promovuar një rol më të drejtpërdrejt dhe pjesëmarrës të publikut në përgjithësi në zhvillimin e politikave në sektorin e energjisë; dhe MEA (në mungesë të një Operatori Sistemin e Transmisionit të gazit në Kosovë) duhet të angazhohet në modelimin e rrjetit rajonal të gazit natyror dhe analizimin e skenarëve të zhvillimit të infrastrukturës për rajonin përmes programit të USAID”, thuhet në këtë pikë.
Kurse, pika e nëntë e marrëveshjes së Uashingtonit është ndalimi i përdorimit të pajisjeve 5G të furnizuar nga ofrues të dyshimtë në rrjetet e tyre të komunikimit.
“MEA në koordinim me ZKM përgatit vendimin për masat parandaluese të përdorimit të pajisjeve 5G nga ofruesit e dyshimtë. Qeveria e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruajnë një Memorandum të Mirëkuptimit për ndalimin e përdorimit të pajisjeve 5G nga ofrues të dyshimtë në rrjetin e komunikimit të Kosovës”, thuhet në plan.
Ambasada Amerikane në Serbi është shprehur se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të përkushtuar për ta implementuar marrëveshjen e arritur në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ambasada Amerikane në Serbi ka deklaruar se “nuk duhet humbur kjo mundësi për të filluar një kapitull të ri në stabilitetin, bashkëpunimin dhe suksesin e Ballkanit Perëndimor”.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të siguruar suksesin e marrëveshjeve të Uashingtonit të 4 shtatorit – ne nuk duhet ta humbasim këtë mundësi për të filluar një kapitull të ri stabiliteti, bashkëpunimi dhe suksesi për Ballkanin Perëndimor!”, thuhet në postimin e ambasadës.
Reagimet
Deklarimit i ka paraprirë takimi i delegacionit të Energjisë së SHBA-së me përfaqësues institucionalë në Kosovë dhe Serbi. Ambasada amerikane në Kosovë bëri të ditur se gjatë vizitës është diskutuar për përcaktimin e një studimi serioz të fizibilitetit të Liqenit të Ujmanit.
Në njërën nga pikat në marrëveshjen e arritur në Uashington nga Kosova dhe Serbia, përfshihej edhe funksionalizimi i Liqenit të Ujmanit, i cili, disa ditë pas marrëveshjes, është emërtuar si “Liqeni Trump”. Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Uashington nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik.
Marrëveshja u arrit pas bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë, për herë të parë në një nivel të lartë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në Zyrën Ovale.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.