Plani Kombëtar për Menaxhimin e Ajrit, gati në 2017-n

02/11/2016 4:22 PM 0 komente

Ministria e Mjedisit dhe Delegacioni i Bashkimit Europian prezantuan draftin final të Planit Kombëtar të Menaxhimit të Cilësisë së Ajrit.

Në këtë prezantim merrnin pjesë përfaqësues të lartë të Ministrisë së Mjedisit, Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Delegacionit të Bashkimit Europian, drejtues të projektit IBECA, projekt që ka koordinuar dhe financuar gjithë procesin për hartimin e këtij draft-plani. Gjithashtu në këtë takim pati përfaqësues të institucioneve qendrore apo lokale, që kanë si objektiv të punës së tyre menaxhimin e cilësisë së ajrit.

Ky dokument strategjik mendohet të jetë binari, ku do të ecin të gjitha institucionet që menaxhojnë cilësinë e ajrit për të siguruar cilësinë e ajrit në zonat problematike, për të arritur normat e lejuara të Bashkimin Europian. Kostoja indikative e këtij Plani është vlerësuar 318 milionë euro, të ndarë sipas sektorëve përkatës: ulja e ndotjes nga automjetet; reduktimi i shkarkimeve në ajër nga instalimet industriale; reduktimi i ndotjes nga sektori i ndërtimit dhe zhvillimit urban, si dhe sektori i bujqësisë.

Përfaqësuesit e Ministrisë e Mjedisit i njohën të pranishmit me sfidat që shoqërojnë zbatimin e këtij plani, duke prezantuar autoritetet qendrore, autoritetet monitoruese, si dhe rolin e autoriteteve vendore që përfshihen në zbatimin e këtij plani. Ngritja e mekanizmit të monitorimit dhe vlerësimit të Planit Kombëtar, bazuar në rezultate, produkte dhe efekte do të garantojë efektivitetin e zbatimit të masave të identifikuara në plan dhe arritjen e objektivave të përcaktuara në strategjinë e ajrit dhe legjislacionin përkatës.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, z. Julian Beqiri, bëri një prezantim mbështetur në të dhënat që i Shqipëria raporton si palë tek Agjencia Botërore e Shëndetit. Monitorimi i cilësisë së ajrit është një komponent kryesor për çdo qasje efektive për menaxhimin e cilësisë së ajrit, sepse jep evidencë për vendimmarrësit për menaxhimin dhe përmirësimin e mjedisit tonë.

Gjatë fjalës së tij z. Beqiri shprehu në mënyrë të përsëritur se: – “Nevoja për të pasur më shumë stacione monitorimi është domosdoshmëri. Veçanërisht në qytetet që shfaqin norma të tejkaluara si Tirana, Fieri dhe Elbasani, me qëllim sigurimin e të dhënave cilësore për cilësinë së ajrit”.

“Ndotja e ajrit është e pranishme ndaj ne duhet të ndërmarrim hapa për ta përmirësuar atë. Hartimi i këtij Plani Kombëtar është hapi i parë për të përmirësuar cilësinë e ajrit në qytetet tona”, – theksoi në fjalën e tij, z. Antoine Avignon, menaxheri i sektorit të mjedisit dhe energjisë pranë Delegacionit të BE-së.
“Synimi kryesor i hartimit të këtij plani ishte të përmirësohej cilësia e ajrit në zonat ku janë tejkaluar kufijtë e lejuar të ndotësve në ajër, të përcaktuar me ligj dhe synimi tjetër ishte të ruhej cilësia e ajrit në pjesën tjetër të territorit ku nuk ka tejkalime”, – tha në fjalën e tij z. Paolo Bacca, drejtues i projektit IBECA.
Gjatë këtij prezantimi, të pranishmit u njohën me prezantimet mbi Inventarin Kombëtar të Shkarkimeve në Ajër, si dhe Sistemin Kombëtar të Inventarizimit të Shkarkimeve në ajër. Hartimi i këtij Inventari i ka shërbyer këtij Plani, për vlerësimin e situatës aktuale në vend, sa i takon nivelit të ndotjes nga burime të ndryshme.
Në këtë prezantim, vëmendje të veçantë mori edhe prezantimi i kostove të nevojshme dhe shpërndarja e shpenzimeve, si dhe analizimi i burimeve të mundshme financiare që duhen gjetur nga qeveria shqiptare për financimin dhe hapat që duhen ndërmarrë për realizimin e këtij plani.

Procesi i miratimit do të vazhdojë për disa muaj pas konsultave dëgjesave publike si dhe amendimet e Ministrive të linjës. Brenda vitit 2017-s pritet të hyjë në fuqi ky Plan Kombëtar.

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of