Pas 4 vjetësh, fushat në luginën e lumit Jadar në Serbinë Perëndimore, ku Djorjde Kapetanovic mbjell misër dhe sojë për të ushqyer bagëtinë e tij, do të kthehen në një depo mbeturinash për minierën më të madhe të litiumit në Europë.
Në korrik, kompania Rio Tinto shpenzoi 2.4 miliardë dollarë për projektin e saj në Jadar, ndërsa minatorët globalë kërkojnë metale të nevojshme për tranzicionin në energjinë e gjelbër, përfshirë litiumin, i cili përdoret për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike. Projekti Jadar, pasi të përfundojë, do ta kthejë kompaninë Rio në një nga 10 prodhuesit më të mëdhenj të litiumit, ndërkohë që kërkesa për automjetet elektrike vazhdon të rritet.
Por edhe kundërshtimi ndaj këtij projekti po rritet, për shkak të shqetësimeve në lidhje me dëmtimet e mundshme mjedisore. Në prill, me mijëra protestues u mblodhën në Beograd për të protestuar kundër ndotjes së madhe në vend dhe kundër minierës së litiumit pranë Loznicës, 142 km në jugperëndim të kryeqytetit.
Sapo të arrijë kapacitetin e plotë, miniera pritet të prodhojë 58,000 ton karbonat litiumi në vit. Kjo do ta bënte atë minierën më të madhe të litiumit në Europë për sa i përket prodhimit, deklaroi Rio.
Në fshatin Korenita, fermeri Kapetanovic tha se nëse miniera hapet, ai mund të mbesë pa të ardhura. Një pjesë e tokës ku ai mbjell prodhime për të ushqyer kafshët do të kthehet në depo për mbeturinat e minierës, megjithëse me kompensim nga kompania.
Zona të tjera të tokës së tij, do të jenë jashtë minierës, por Kapetanovic është i shqetësuar për ekspozimin ndaj ndotjes.
“Kush do të donte të blinte produkte të prodhuara në periferi të një miniere?” tha Kapetanovic, i cili prodhon 10 tonë mish dhe 90 000 litra qumësht në vit, duke e bërë atë një nga prodhuesit më të mëdhenj në zonën e Loznicës.
Drejtoresha Ekzekutive e Rio Tinto Serbia, Vesna Prodanoviç, tha se kompania anglo-australiane do të përmbushë të gjitha rregulloret mjedisore të Bashkimit Europian dhe Serbisë, përfshirë trajtimin e ujërave të zeza. “Ndërtimi nuk mund të fillojë pa siguruar licencat dhe nëse nuk respektohen të gjitha standardet e BE-së”, tha ajo në një intervistë.
“Ne marrim parasysh nivelet e reshjeve dhe nivelet e pluhurit. Marrim parasysh gjithçka që është në terren. Po kryejmë të gjitha studimet dhe testet e nevojshme për të marrë të dhëna të qarta se cila është situata aktuale në zonë”. Një studim nga Rio mbi ndikimin mjedisor të minierës, arriti në përfundimin se miniera nuk duhet të ndërtohet pasi do të shkaktonte “dëme të pariparueshme në biosferë”.
“Zbatimi i aktiviteteve të planifikuara, veçanërisht hedhja e mbeturinave industriale, do të dëmtonte ndjeshëm biodiversitetin në të gjithë zonën e punimeve të planifikuara”, tha studimi nga Fakulteti i Biologjisë i Universitetit të Beogradit.
“Në zonat kryesore të ndikimit të minierës, do të ketë shkatërrim të plotë dhe të drejtpërdrejtë të habitateve me zhdukjen e të gjithë organizmave që i banojnë ato”.
Rio tha se studimi i biodiversitetit ishte pjesë e një studimi më të gjerë të fizibilitetit dhe se do të kryente kërkime të mëtejshme për të “mbështetur zgjidhje më të përparuara dhe më të shtrenjta në mbrojtjen e natyrës, të cilat do të minimizonin ndikimin negativ”.
Rritja ekonomike
Litiumi është me rëndësi kyçe në planet e Bashkimit Europian për të siguruar një zinxhir të plotë furnizimi të mineraleve dhe materialeve të baterive, me rritjen e përdorimit të automjeteve elektrike. Serbia renditet e 11-a në botë për nga rezervat më të mëdha të litiumit, dhe po punon në rrugën e anëtarësimit në BE. Për ekonominë e vendit, projekti Jadar është një nga investimet më të mëdha të huaja të Serbisë deri tani dhe mund të ndihmojë në uljen e papunësisë.
Rio tha se projekti do të krijojë rreth 2100 vende pune në ndërtim dhe do të injektojë afërsisht 200 milionë euro (235.32 milionë dollarë) në vit në zinxhirin e furnizimit vendas. Ministrja e Energjisë, Zorana Mihajlovic, tha për Reuters se Serbia synon të sigurojë të gjithë zinxhirin e prodhimit, duke përfshirë një fabrikë të mundshme të baterive dhe një fabrikë të automjeteve elektrike.
Drejtori ekzekutiv i Rio-s në Serbi, tha se studimet e kompanisë vlerësuan se projekti do t’i shtonte 1% PBB-së vjetore të Serbisë prej 51.4 miliardë dollarësh. Ai gjithashtu do të rriste buxhetin komunal të Loznicës me 60-70% në vit.