Të dhënat e fundit tregojnë se pas ndryshimit të ligjit në shtator të vitit 2011 janë shtuar ndjeshëm importet e makinave të përdorura. Sa shqetësues e vlerësoni këtë fakt?
Besoj se nga pikëpamja utilitare, konsumatori tradicional shqiptar duhet të jetë i kënaqur me ndryshimin e ligjit që citoni ju. Prej vitesh, që kur u lejuan makinat për përdorim vetjak, konsumatori shqiptar ka qenë i orientuar drejt automjeteve të ashtuquajtura të lira. Them të ashtuquajtura, sepse në fakt, në afat të gjatë, makina e blerë lirë ka rezultuar të jetë shumë më e shtrenjtë sesa makina e blerë shtrenjtë. Mirëpo është bërë si kulturë tregu, që të gjithë jemi pjesë e saj dhe e kemi disi edhe për “krenari” të rrëfejmë se si “kapa” apo thjesht bleva një makinë me leverdi… Kjo është kultura e konsumatorit në vend. Natyrisht, nuk e kam në aspektin negativ këtë konstatim, sepse, deri-diku, është e kuptueshme se jo shumë larg, po vetëm 22 vite më parë, shqiptarët nuk lejoheshin të mbanin një pulë e jo më një autoveturë, por ky është fakti. Dhe kur këtij fakti i vihen barriera legale, sigurisht që nuk mirëpritet nga ky konsumator. Në këto kushte, lirimi i barrierave është gjithmonë i mirëpritur.
Nga ana tjetër, nëse e vendosim këtë kulturë të tregut që i përshtatet kulturës së konsumatorit, në këndvështrimin e mjedisit të përbashkët ku jetojmë, marrin frymë e rrisim fëmijë, kjo gjë padyshim është katastrofë. Edhe termi katastrofë duhet marrë në kuptimin relativ, pasi duhet parë ndikimi në mjedis i sasisë së gazeve të dëmshme për shëndetin që emetojnë këto autovetura. Në këtë kuptim, për fat të keq, të gjithë ne ende mendojmë shumë pak. Çështjet mjedisore, me gjithë rritjen e vëmendjes, përsëri mbeten çështje të patrajtuara mirë nga shteti dhe shoqëria. Në këtë pikë, përgjegjësia është e përbashkët. Pra, nëse ka shqetësim kjo statistikë që thoni ju, ai është MJEDISI.
Një pjesë e madhe e këtyre mjeteve që importohen (pa harruar ato që tashmë janë në parkun kombëtar të automjeteve) janë me normativa të ndotjes Euro 0, Euro 1 apo Euro 2, duke ndotur mjedisin? Sa problematik e vlerësoni këtë fakt?
Për hir të së vërtetës, vitet e fundit ka pasur tendencë në rritje të futjes së makinave të reja, të cilat janë “miqësore” për mjedisin. Natyrisht është e vërtetë që ka shumë mjete në qarkullim që janë të kohës së Euro 0, madje dhe të kohës së qepës. E keqja kryesore, që nuk e kemi zgjidhur mirë prej vitesh është se, cilësia e karburantit që autoveturat tona djegin është e ulët. Kështu që, krahas motorëve të vjetër në përdorim, kemi edhe çështjen e karburantit të keq, gjë që bën të defektojnë edhe autoveturat e reja. Nga ana tjetër, ju keni të drejtë kur pyesni mbi problematikën e makinave me motor të vjetër, sepse edhe në kushtet kur cilësia e karburantit është e mirë, përsëri ato autovetura shkaktojnë gaze të dëmshme për mjedisin dhe me ndikim në efektin serë të planetit. Pra janë problematike.
Çështja është si largohen këto mjete nga inventari ynë kombëtar i qarkullimit. Është shumë kollaj të imagjinojmë disa skenarë për largimin e tyre, por zbatimi i këtyre skenarëve është padyshim i vështirë. Në këto kushte, “terapia” më e mirë do të ishte stopimi i importit të tyre, madje edhe ndalimi i kalimit të tyre transit dhe orientimi i konsumatorit drejt mjeteve të reja që ofrohen edhe nga koncesionarët këtu. Nga ana tjetër do të duhet të futen në një proces real konkurrence, në funksion të përmirësimit cilësor të ofertës në treg. Pra kjo do të ishte një strategji që kërkon pak kohë, por që fillon me një masë ndaluese, që është ajo që thashë, ndalimi i importit të mjeteve nga Euro 0 deri në Euro 3. Me kalimin e njëfarë kohe do të duhet të merremi me një plan tjetër për demotivimin e përdoruesve të këtyre mjeteve që janë në qarkullim. Dhe kjo realisht kërkon kohë fizike, që përafrohet me kohën e mbetur të konsumit fizik të tyre, si dhe me zbatimin e rregullave më të rrepta për qarkullimin e tyre në trafik. Po studiohet një plan i tillë, por kjo kërkon shumë diskutime dhe përfshirje të grupeve të interesit. Mbi të gjitha, të gjithë ne duhet të ndajmë më mirë raportin ndërmjet së drejtës për konsum dhe detyrimit për mjedis të pastër. Në këtë rast, stimulimi i përdorimit të mjeteve të reja që ofrojnë koncesionarët është zgjidhje perfekte.
A është e predispozuar qeveria për të ndërmarrë hapa të reja për taksimin e importit dhe përdorimit të mjeteve? Nëse po, cilat do të jenë ato?
Taksimi është një masë tjetër e rëndësishme që duhet të shoqërojë politikën për të cilën fola pak më parë. Ka filluar përdorimi i përshkallëzuar i taksës vjetore, por kjo nuk mjafton.
Sipas mendimit tuaj, cila do të ishte zgjidhja më e mirë për frenimin e importit të mjeteve të përdorua me vjetërsi të lartë dhe favorizimin e atyre të reja?
Në kushtet e Shqipërisë, taksimi është metoda më efikase. Të gjithë do të stepeshin në kushtet kur taksa për një makinë importi dhe të vjetër do të duhet të paguajë më shumë sesa çmimi i blerjes. Testi i vjetshëm kur u forcua ligji në këtë drejtim e tregoi këtë efikasitet.
Deri tani, kontrolli teknik i emetimeve ndotëse është ende opsional në qendrat e kontrollit teknik, pra jo i detyrueshëm. A do të ndërmerren hapa konkretë për ta bërë atë të detyrueshëm.
E vërteta është se duke mos qenë rigoroz në zbatimin e kërkesave të ligjit, ky element shndërrohet në opsional. Kjo është thjesht një çështje zbatimi i rregullit dhe për këtë, ne po monitorojmë situatën për të ndërhyrë me mjete ekzekutive edhe më të forta.
A synoni të përdorni standardin Euro të normativave të ndotjes në të ardhmen e afërt në qendrat teknike të kontrollit?
Patjetër që po. Me përparësi ne po stimulojmë Shoqatën e Transportuesve që të përmirësojnë flotën e tyre në funksion të sigurimit të tregut të punës. Kudo ku sot kamionët tanë qarkullojnë, po ndeshen gjithnjë e më shumë me kërkesa të rrepta për mjete transporti ekologjike. Në këtë kuptim, Shoqata e Transportuesve po bën përpjekje serioze për të përmirësuar parkun e saj.
Po mendojmë që me përparësi, jo vetëm për arsye mjedisore, por edhe për arsye të sigurisë në transport, mjetet e transportit masiv të jenë të standardeve Euro 3 e lart. Këtë gjë e kemi të vendosur tashmë në kriteret e licencimit të transportit të autobusëve.
Ndërsa sa i takon autoveturave, ju shpjegova më parë se cili është plani dhe që meriton një diskutim të gjerë.
A jeni të shqetësuar për sigurinë (shumë prej tyre nuk kanë as sistemin e frenimit ABS apo AirBag, e jo më të kenë elementë të kontrollit elektronik të qëndrueshmërisë etj.) e këtyre mjeteve që importohen, duke qenë se kryesisht importohen nga individë privatë që nuk ofrojnë garanci për mjetet që shesin dhe nuk kanë asnjë element të historikut të mjetit në vite?
Për fat të keq, as shërbimi privat i kontrollit teknik nuk na ndihmoi në respektimin e standardit “mjet i kolauduar për një vit”, pakkush mendon se ata që japin firmën dhe vulën për mjetin e kolauduar duhet të jenë edhe përgjegjës për atë vulë që lëshojnë. Mirëpo ajo vulë, e lëshuar ashtu si lëshohet, po shton damkën e papërgjegjshmërisë në trafik dhe statistikën e aksidenteve për shkaqe teknike. Po të isha prokuror, do të hetoja qoftë dhe një rast të vetëm për t’i shkuar deri në fund këtij fenomeni, deri sa të vendoset njëfarë rregulli për të gjithë njësoj. Them se po të isha prokuror, jo për të shmangur përgjegjësinë e qeverisë, por për këto gjëra nuk mjaftojnë vetëm ligjet, por duhet siguruar edhe zbatimi i tyre. Dhe në rastet kur dështon zbatimi, ligji duhet të veprojë mbi moszbatuesit ose zbatuesit e gabuar.
Sa problem përbën fakti që në shumicën e rasteve, mjetet e përdorura te importuara nuk deklarohen në vlerën e tyre reale të blerjes kur paraqitet pranë degëve doganore (ku bëhet dhe pagesa e TVSH), por deklarohen me vlera shumë më të ulëta (më pak se referenca, e cila, nga ana e saj, nuk është shumë e besueshme financiarisht)?
Të jem i sinqertë, kam dashur dhe unë ta përdor një herë një mekanizëm të tillë, por nuk arrita, sepse mendova që një ditë dokumentet do të kryqëzohen dhe do të ishte një turp për mua të gjendesha në një situatë të tillë. Mirëpo arsyetimi im nuk vlen për shumë të tjerë që vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë me lehtësinë më të madhe. Kjo sigurisht ka të bëjë me nivelin e zbatimit të ligjeve që bëjmë. Mbi të gjitha, unë besoj te teoria e rastit “shembull”, pra duhen bërë disa raste shembull dhe kështu disiplinohet edhe kjo gjë. Siç në fakt u disiplinua çështja e makinave të vjedhura.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.