Përpunuesit e qumështit do të përballen sërish me rritje të kostove të prodhimit për shkak të shtrenjtimit të lëndës të parë në tregjet ndërkombëtare.
Prej fillimit të muajit qershor fabrikat e qumështit do të blejnë 25% më shtrenjtë plastikën. Çmimet e materialeve paketuese të plastikës prej korrikut të vitit të kaluar deri në muajin shkurt janë shtrenjtuar 50%.
Prej muajsh operatorët e tregut po përballen edhe me shtrenjtim 30-50% të qumështit që blejnë nga fermeri, për shkak të rritjes të kostos të mbajtjes të bagëtive.
Për shkak të rritjes të plastikës e lajmëruar në fillim të muajit maj nga furnitorët e huaj, edhe përpunuesit paralajmërojnë se mund të jenë të detyruar të rishikojnë çmimet për produkte si gjiza, djathi dhe gjalpi, ndërsa për çmimin e qumështit dhe të kosit kostot do të amortizohen te fitimet e tyre.
Drejtori i ekzekutiv i Shoqatës Industria e Përpunimit të Qumështit, Donjaldo Hoxha tha për “Monitor” se paralajmërimi për shtrenjtimin e plastikës do të rëndojë edhe më shumë situatën te fabrikat e qumështit që po vuajnë kostot e shtuara nga shtrenjtimi i energjisë, naftës dhe çmimit të lartë të qumështit që blihet nga fermeri.
“Nga furnitorët e huaj është lajmëruar që në fillim të muajit maj, se materialet paketuese të plastikës janë shtrenjtuar sërish nga fillimi i muajit maj 25%. Ndërkohë që deri në periudhën janar-shkurt çmimet e plastikës u shtrenjtuan 50%. Rritja e çmimeve nga furnitorët e huaj është ndikuar nga shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe kostot e naftës. Shpresojmë të mos ketë rritje tjetër, pasi këto shtrenjtime kanë sjellë që sektori i industrisë përpunuese të qumështit të gjendet në një situatë tejet të vështirë.
Nga 1 korriku do të kemi edhe akcizën e re, që është miratuar me paketën fiskale të vitit 2022. Do të shtohen 6 lekë që do të përballohet nga industria.
Është e thjeshtë që t’i thuhet kësaj industrie që transfero kostot e shtuara te rritja e çmimeve të produkteve finale. Por nëse do të vazhdohet me këtë situatë ne do të jemi të pakonkurrueshëm, pasi produktet e importit jo vetëm që do të na konkurrojnë, por do të na rrezikojnë edhe falimentimin. Nuk do të jemi të preferueshëm për konsumatorin në treg nëse nuk bëhen ndërhyrjet e duhura, si për fermerin dhe sektorin e përpunimit që të frenohet rritja e mëtejshme e çmimeve”, pohon ai.
Në këtë situate z. Hoxha ripërsërit edhe një herë se është e domosdoshme plotësimi i kërkesave të vazhdueshme të sektorit, si: Subvencionim direkt tek blegtori 10 lekë për çdo litër qumësht të prodhuar që dorëzohet në pika grumbullimi dhe përpunimi të licencuara, dhe jo për krerë bagëtie; TVSH 6% në shitje në sektorin e përpunimit të qumështit dhe përafrim me skemat e mbështetjes që rajoni jep për fermerët./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Kjo pune e prodhimit dhe grumbullimit te qumeshtit nga fermeret , nuk rregullohet me pagesa 10 leke per liter qumeshti te dorezuar ne baxho …??!! ; por vetem duke mbeshtetur direkt me para ne dore fermeret qe dorezojne te pakten nga 50 – 100 litra qumesht ne dite ne pikat e grumbullimit dhe qe kane ne pronesi te tyre mbi 5 krere lope qumeshti dhe mbi 100 krere bageti te imta ne mbareshtim . Kesisoj fermeri do te jete i detyruar jo vetem te rrise sasine e qumeshtit pas rritjes se rendimentit per krere bageti te mjele , por njeheresh… Read more »