Ishull grek i Santorinit është një destinacion ëndrrash për disa ditë pushimesh në relaks mes diellit, detit, plazheve, perëndimeve të mrekullueshme dhe jetën e gjallë të natës.
Deti është një parajsë për të gjithë ata që e duan atë.
Por cilat janë plazhet më të bukura?
Perissa
Një nga plazhet më të njohura të Santorinit, magjepsës për rërën e zezë të lavës, i gjatë 8 kilometra, ku uji i detit është i kristaltë. Është ideal për atë që pëlqejnë zhytjet dhe sportet e ujit.
Red Beach
Read Beach është ndoshta plazhi më i bukur i ishullit grek, falë ngjyrës së kuqe intensive si pasojë e përhapjes së rërës vullkanike. Read Beach (ose Kokkini Ammos) është i mbrojtur nga era, përqafohet prej shkëmbinjve të kuqërremë dhe përkëdhelet nga ujërat e kristaltë, ideal për zhytje. Falë famës dhe bukurisë së rrallë është mjaft i vizituar.
Vlychada
Vlychada, plazh i virgjër, më pak i frekuentuar nga turizmi i masës dhe me peizazh ‘lunatik’ ka marrë pseudonimin edhe si “Moon beach”. Ai të mirëpret mes shkëmbinjve të bardhë, ku rëra gri përzihet me gurë të shndritshëm. Kjo ndërthurje e bën këtë vend piktoresk dhe unik në llojin e tij. Është vendi ideal për t’u çlodhur, duke lexuar një libër nën sfondin e Detit Egje.
Monolithos Beach
Një plazh i qetë, asnjëherë i mbipopulluar nga njerëzit, me rërë të errët dhe ujëra të cekëta, që e bëjnë atë një destinacion të përshtatshëm për të gjithë, edhe për familjet me fëmijë. I rrethuar nga pemë, ndodhet në brigjet lindore të ishullit dhe është i arritshëm lehtësisht me makinë.
Kamari Beach
Kamari, lehtësisht i arritshëm, si me makinë si me mjete publike, është një plazh që ka fituar vlerësimin “Flamuri Blu”. Rëra e zezë, deti i cekët dhe çadrat prej kashte e bëjnë atë një ndër plazhet më të dashura dhe të frekuentuara të Santorinit.
Amoudi Bay
Një nga plazhet më të bukura dhe magjepsëse të ishullit. Amoudy Bay është një gji i vogël nën fshatin Oia, i mbushur me varka të vogla. Në të ka sërë restorantesh tipike ku mund të shijoni më të mirën e kuzhinës vendase.
Kambia Beach
Më pak i njohur, por jo më pak i bukur, plazhi i Kambia Beach ndodhet 13 kilometra nga Fira, pranë plazheve të famshme të Read Beach dhe White Beach. Kambia është i vogël dhe i qetë, i mbuluar nga guralecë ngjyrë gri dhe të bardhë që lagen nga ujërat e kristalta. Një oaz qetësie dhe paqeje.
Éxo Gialós
Éxo Gialós është pjesë e fshatit karakteristik Karterados, që mbrohet nga shkëmbinjtë madhështorë të cilët i rreh era e që zhyten pik në detin ngjyrë blu dhe plazhin me guralecë të zinj.