Plazhet më të mira në Europë

18/07/2018 3:32 PM 0 komente

Në pikun e verës, kur bari është i thatë dhe ajri i nxehtë, nuk ka gjë më të mirë sesa të shkosh në plazh për t’iu gëzuar rrezeve të nxehta të diellit dhe flladit të freskët të detit.

Më poshtë janë disa nga plazhet më të mira në Europë të përzgjedhura nga ‘Forbes’…

 

 

Domaine Les Moulins, Ile de Noirmoutier, Vendée

Franca është e famshme për plazhet e saj të mrekullueshme. Shumë prej tyre ofrojnë mundësi kampingu për vizitorët që dëshirojnë të qëndrojnë disa net. Një nga pikat tona më të parapëlqyera turistike është Domaine Les Moulins në Ile de Noirmoutier. Ky vend i bukur piktoresk është i përkryer për kamping. Ju mund të ngrini një tendë sipas mënyrës tradicionale ose të rehatoheni në një kabinë. Mblidhni molusqe me duart tuaja apo blijini nga peshkatarët vendas dhe kënaquni duke parë nxjerrjen e kripës së detit. Ky është vendi i përkryer për një përvojë në plazh që do t’ju kthejë pas në kohë.

 

Plazhi Navagio, Zakynthos, Greqi

I përkryer më shumë për aventura sesa për pushim, plazhi Navagio është vendi ku ‘prehet’ një anije dikur madhështore që tashmë është kthyer në gërmadhë. E vetmja mënyrë për të mbërritur në plazh është me anije, duke e bërë pothuajse të pamundur çdo mënyrë tjetër transporti. Sigurisht, udhëtimet e shumta turistike e kanë bërë tashmë plazhin një vend mjaft komercial, por nuk duhet të lini t’ju shpëtojë nga duart mundësia për të shkelur në rërën me guralecë dhe për të shijuar pamjen e shkëmbinjve të lartë.

Anija në rrënoja i jep peizazhit një pamje artistike dhe ju mund të kënaqni shpirtin tuaj aventurier duke përshkuar ujërat e kaltër me shkëlqim për të arritur anijen. Nëse keni ndër mend të shkoni në Ishujt Zakynthos, bëni pjesë të itinerarit tuaj edhe plazhin Navagio.

 

Plazhi Durdle Door, Dorset, Angli

Ky plazh, i cili mban emrin e një harku gjigant prej shkëmbi që lartësohet mbi ujë, është pjesë e bregut të famshëm Jurassic në Angli. Guri i gërryer gëlqeror i ka dhënë kësaj zone një vend të merituar në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s.
Bëni një shëtitje përgjatë detit dhe shijoni shkëmbinjtë fantastikë gëlqerorë që bien në Gjirin e Shën Osvaldit. Shtigjet e shumta për ecje janë të përkryera për vizitorët që kërkojnë të shtriqin këmbët në një pasdite të bukur vere. Nëse parapëlqeni të relaksoheni, shtrihuni mbi guralecët e plazhit dhe shijoni me flladin e freskët të Kanalit të La Manshit.

 

Plazhi Stokksnes, Islandë

Nëse parapëlqeni të kaloni aventura në një plazh të freskët dhe të rrahur nga era, zgjidhni plazhin Stokksnes në bregun juglindor të Islandës. I rrethuar nga malet madhështore Vestrahorn, Stokksnes është ëndrra e çdo fotografi. Plazhi është privat, megjithatë ai mund të aksesohet nga publiku për një tarifë të vogël. Thjesht ndaluni në kafenenë anash rrugës për të blerë një biletë dhe hyni në portën e plazhit.
Me kodrinat e dunave me rërë të zezë që bëjnë kontrast me majat e thepisura të maleve, Stokksnes i ngjan plazhit të famshëm Reynisfjara në fshatin Vik.

 

Zlatni Rat, Ishulli Brač, Kroaci

I rrethuar nga ujëra të kaltra me shkëlqim, plazhi me gurë Zlatni Rat është një vend idilik për të marrë rreze dielli. Plazhi qarkon një zonë të gjelbëruar pyjore dhe terreni i tij zbret butësisht në ujërat e cekëta për të hyrë lehtësisht në detin freskues.
Zlatni Rat njihet si një nga plazhet më të famshme në Dalmaci dhe ia vlen për ta vizituar. Bëni zhytje dhe eksploroni shkëmbinjtë nënujorë ose thjesht relaksohuni në plazhin me gurë. Sidoqoftë dëshira juaj, Zlatni Rat ka diçka për të ofruar për të kënaqur shijet e çdo pushuesi.

 

Praia da Santa, Salema, Portugali

Parku natyror Alentejo të çon në Praia da Santa. Ky i fundit, në perëndim të qytetit të Salemas, është një plazh i egër me limane dhe shkëmbinj të mëdhenj. Kjo zonë është e rëndësishme edhe për arsye historike: aty kanë kërkuar gjurmët parahistorike të dinozaurëve dhe janë eksploruar rrënojat e gurëve.
Në Fortaleza de Almádena ndodhen rrënoja të ndryshme guri si një fortesë e lashtë, harqe arabe dhe faltore të shekullit XVII. Nëse doni të jetoni një aventurë të pazakontë në plazh, eksploroni Praia da Santa.

 

Plazhi Carnota, Galicia, Spanjë

Plazhi Carnota shtrihet në formë gjysmëhëne në një gjatësi prej shtatë kilometrash përgjatë bregut Galician. Ky plazh është një vend i mrekullueshëm. Aty mund t’i gëzoheni rërës së pastër të bardhë dhe ka hapësirë të mjaftueshme për të gjithë për t’u çlodhur. Nëse doni të kaloni pushime të qeta në plazh pa u shqetësuar nga zhurma e hoteleve apo rrugëve përreth, plazhi Carnote është një oaz që duhet ta vizitoni.

 

*Geoff Whitmore
Burimi: Forbes

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of