Plazhi i Spillesë, plani i zhvillimit të zonës nga turizmi tek infrastruktura e korsitë e biçikletave

27/07/2020 11:01 PM 0 komente

Spilleja, një vijë bregdetare rreth 4 kilometra parashikohet që të zhvillohet si një lokalitet turistik bregdetar dhe lokal.

Në një dokument zyrtar të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nënvizohet se prioritet do të jetë zhvillimi i turizmit me hotele dhe resorte si dhe hapësira të shumta shërbimi e rekreacioni. Zona do të jetë e organizuar e tillë në mënyrë që t’i shërbejë kategorive të ndryshme të turistëve.

“Në rang rajonal do të përforcohen lidhjet rrugore me autostradat Durrës-Lushnjë dhe Thumanë-Lushnjë të cilat kryqëzohen në afërsi të aksit lidhës me Spillenë. Do të përforcohet lidhja me potencialet natyrore dhe Kulturore: Parku Kombëtar Divjakë Karavasta dhe Kalaja e Bashtovës në jug, Plazh i Gjeneralit e Kalaja e Turrës në veri. Do të strukturoren lidhjet dhe fuqizohen filierat bujqësore si në kodrat lindore të zonës ashtu dhe në fushë duke ndikuar pozitivisht dhe në përmirësimin e peizazhit rural të Spillesë. Do të promovohet agroturizmi e turizmi tematik i gastronomisë, ullirit, Bashtova Festival etj. Do të përforcohet lidhja detare me anë të ndërtimit të molit në Spille dhe fashave të peshkimit si në Kanalin e Bashtovës Ashtu dhe në Shkumbin. Karakteri natyror i zonës do të promovohet me anë të ndërtimit të shtigjeve natyrore këmbësore dhe çiklistike” thuhet ne dokument.

Sa i takon mobilitetit ministria në masterplan saktëson se në zonë do të zhvillohet një sistem  transporti urban i cili do të përmbushë kërkesat e turistëve dhe banorëve vendas.

Ndër të tjera dokumenti pranon se do tju jepet hapësirë parkimeve me pagesë si dhe makinave elektrike dhe biçikletave.

“Shërbimet e transportit publik krahas aksesimit të shpejtë dhe të sigurtë të Spillesë, parkimeve publike me pagesë, do të ofrojnë mundësi transporti eco (miqësorë me natyrën) sic janë makinat dhe motorit elektrik si dhe biçikletat për të cilat do të ketë dhe korsi të dedikuara për të kontribuar kështu në një jetesë më të mirë dhe më të shëndetshme” thuhet në dokument.

Sa i takon pyllit të pishave, tipik për këtë zonë, masterplani pranon se nuk do të ndërhyhet për t’i tjetërsuar por zhvillimi do të jetë në harmoni me natyrën.

“Vëmendje e veçantë do i kushtohet pyllit të pishave dhe zonës së plazhit me duna të cilat nuk do të prishen apo tjetërsohen por do të përshtaten me zhvillimin e ri dhe do të bëhen pjesë e integruar, duke u kthyer kështu në një vlerë të shtuar për zonën dhe turizmin në përgjithësi duke e vlerësuar dhe nxjerrë në pah Spillenë në krahasim me zonat e ngjashme fqinje” thuhet në masterplan.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of