Rritja e kuotave 55% të zënies së peshkut ton për këtë vit ka përfunduar që në fillim të muajit qershor.
Negocimet për rritjen e sasisë së zënies së peshkut ton pritet të shtojë në sasi eksportet 53% dhe në vlerë 7% në muajin dhjetor, kur është periudha e rritjes së këtij peshku (dmth peshku zihet tani dhe rritet deri në fund të vitit, kur bëhet gati për t’u eksportuar).
Sasia maksimale vjetore e zënies së peshkut ton të kuq për Shqipërinë në 2022 ishte 170 ton sipas rregullores së Komisionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Peshkut Ton të Atlantikut (ICCAT).
Kuotat janë të kufizuara me qëllim ruajtjen e kësaj specieje. Vjet pas përfundimit të negociatave për rishikimin e kuotave, sasia e lejuar maksimale për 2023 u shtua, duke arritur në 264 ton.
Sipas Ministrisë së Bujqësisë vjet për një kuotë prej 170 ton të peshkuar deri në muajin Qershor, pas trajtimit të tyre në kosha në fermën e ngritur në Sarandë në muajin dhjetor u eksportuan drejt Japonisë rreth 267 ton peshk.
Vlera e peshkut ton të eksportuar ishte 5,7 mln euro.
Për këtë vit parashikohet që nga kuota e peshkuar prej 264 ton, pas trajtimit në zënie të arrijë në 410 ton. Eksportet në vlerë për këtë vit parashikohen të jenë 6,1 mln euro.
Sasia për zënien e peshkut ton të kuq në Shqipëri dhe shtetet e tjera administrohet nga Komisioni Ndërkombëtar për Ruajtjen e peshkut Ton të Atlantikut, një organizatë peshkimi ndërqeveritare përgjegjëse për ruajtjen e peshkut ton të kuq dhe specieve të ngjashme me tonin në Oqeanin Atlantik dhe detet ngjitur me të.
Kur do rishikohen kuotat e açuges?
Por për të shtuar më tepër eksportin e peshkut të përpunuar është e domosdoshme negocimi për rritjen e kuotave të açuges së konservuar, një shqetësim i ngritur prej vitesh nga përpunuesit e peshkut.
Kërkesa e industrialistëve shqiptarë është për zgjerim të kuotave me BE-në deri në 4,000 tonë, mirëpo negociatat midis shtetit shqiptar dhe BE-së kanë mbetur prej vitesh në vend.
Në kuadër të marrëveshjes tregtare me BE-në, industria shqiptare e përpunimit të peshkut mund të eksportojë drejt Europës rreth 1,600 ton peshk të përpunuar, açuge të konservuar.
Për shkak të zgjerimit të kësaj industrie, prej vitit 2015, kuotat e eksportit përmbushen që në muajt gusht apo tetor. Pas plotësimit të kuotave produktet taksohen me 25% të vlerës.
Për një dërgesë në vlerën 200 mijë euro, eksportuesit shqiptar do t’i kushtojë 50 mijë euro taksa doganore. Momentalisht ato kanë operuar duke importuar produkt gjysmë të gatshëm, por me ligjet e reja europiane çdo kategori produkti do të taksohet.
Aktualisht industria operon me dy kategori produkti; produkt gjysmë i gatshëm, i cili shërben si lëndë e parë për prodhuesit europianë dhe produkt përfundimtar, të cilat janë konservat me peshkun açuge.
“Kuotat për eksportin e açuges në BE duhej të ishin negociuar që në vitin 2015 me marrëveshjen e MAS- së, por nuk ndodhi. Ky është një problem për industrinë dhe shumë fabrika rrezikojnë të falimentojnë nga mosnegocimi i kuotave. Të shpresojmë që me hapjen e negociatave për MSA-në të diskutohet dhe miratohet edhe ky ngërç për industrinë tonë”, pohoi më herët një nga operatorët.
Tregu i BE-së përfaqëson kanalin kryesor tregtar për produktet e përpunuara të peshkut. Administratori i kompanisë Mare Adriatik sh.p.k, z. Aldi Ndoci tha më herët për Monitor se për shkak të plotësimit të kuotave që në muajin shtator, kompania që ai drejton ka gjetur tregje të reja eksportuese, jashtë Europës, siç është Turqia dhe SHBA./D.Azo
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.