Plus: Do të hedhim dritë mbi marrëveshjet e paprecedenta të oligopolit

05/09/2016 4:48 PM 0 komente

Kompania kontrakton K&L Gates, një nga firmat ligjore më të mëdha në botë e me eksperiencë të gjerë në çështjet anti-trust, pasi akuzon autoritetet rregulluese vendase se kanë penguar përfitimet e konkurrencës së ndershme sipas meritave ndaj konsumatorit shqiptar.

Për herë të parë në Shqipëri, një kompani me kapital shqiptar ka kaluar përtej kufijve, në përpjekjet e saj për të siguruar një mjedis tregu me konkurrencë të drejtë e të ndershme. Operatori i telefonisë celulare, Plus Communication, ka bërë të ditur në një njoftim zyrtar për shtyp se ka kontraktuar kompaninë K&L Gates, një nga firmat ligjore më të mëdha në botë e me eksperiencë të gjerë në çështjet anti-trust, për ta përfaqësuar atë në mbrojtjen e interesave të klientëve shqiptarë, për të siguruar që ata të përfitojnë në mënyrë efektive nga zgjedhje më të shumta, shërbime më të mira dhe çmime më të lira në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri.
Përmes kësaj firme, Plus Communication njofton se kërkon të hedhë dritë mbi marrëveshje të paprecedenta të oligopolit në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri, teksa shpreh hapur mosbesimin tek autoritetet rregullatore vendase, madje i akuzon ata se kanë penguar konkurrencën e ndershme.
“Që në fillimet e veta dhe përgjatë viteve që operon, kjo kompani është përballur me vështirësi të shumta që kanë ardhur si rezultat i oligopolit, konkurrencës së pandershme në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri, mungesës së ndërhyrjes nga autoritetet rregulluese apo ndërhyrjes së padrejtë të këtyre institucioneve shtetërore me vendime e dekrete, të cilat kanë penguar përfitimet e konkurrencës së ndershme sipas meritave ndaj konsumatorit shqiptar”, thuhet në deklaratën zyrtare për shtyp.
Sipas njoftimit, “K&L Gates do të dokumentojë dhe do të hedhë dritë mbi dështimet e autoriteteve shtetërore për të aplikuar parimet e konkurrencës dhe ligjet rregullatore të pranuara nga BE, si dhe vonesat në marrjen e vendimeve nga këto autoritete shtetërore. Si rezultat i punës që do të realizohet nga K&L Gates, Plus Communication mund të konsiderojë kërkesën për dëmshpërblim ndaj njësive rregullatore dhe operatorëve të tjerë të telefonisë celulare në Shqipëri”.
Sipas njoftimit, rregullatorët nuk janë duke lejuar zhvillimin e një konkurrence sipas standardeve të BE-së dhe kjo duhet zgjidhur. “Plus Communication dëshiron të bëjë të ditur qëndrimin kundër kësaj sjellje të paprecedentë të autoriteteve rregullatore dhe institucioneve të tjera shtetërore, të cilët, nën presionin e operatorëve të tjerë kanë dështuar në punën që u lejon kuadri ligjor dhe misioni i tyre, duke penguar dhe duke vonuar të gjitha përpjekjet e Plus Communication në proceset e tyre operacionale dhe duke ndikuar drejtpërdrejt tek interesat e klientëve shqiptarë”.
Plus Communication është themeluar në vitin 2009 si një kompani me kapital 100% vendas dhe ka filluar ofrimin e shërbimeve në vitin 2010, duke u futur në treg si operatori i katërt. Në fund të vitit 2015, Plus zotëronte 6.6% të tregut, sipas të ardhurave, sipas të dhënave nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).
Në fund të vitit të kaluar, Plus akuzoi publikisht Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare se ka kontribuar fuqimisht në ekzistencën e një tregu të parregulluar. Plus theksonte në atë deklaratë të shtatorit 2015, se është diskriminuar e zvarritur në mënyrë sistematike tashmë për vite nga autoritetet, nëpërmjet mosrregullimit të tregut, duke përmendur me radhë çështjen e ndryshimit të tarifave brenda dhe jashtë rrjeteve, çështjen e asimetrisë të aplikuar ndryshe për operatorë të ndryshëm, sigurisht duke diskriminuar Plus-in, apo për çështjen jashtëzakonisht të zvarritur të dhënies së autorizimit për shërbimet 3G, duke kulmuar së fundmi edhe me trajtimin haptazi me dy standarde të një çështjeje të ngjashme të sjellë në vëmendje të tij nga operatorët në treg, në lidhje me shfrytëzimin e frekuencave 3G dhe 4G.
Një nga problemet për të cilat Plus është ankuar që prej vitit 2013 lidhet me ekzistencën e grupeve dhe “klubeve” brenda operatorëve të mëdhenj, e cila për rrjedhojë sillte diferenca të mëdha çmimesh në komunikimin drejt rrjeteve të tjera, duke krijuar mure mbyllëse për abonentët. Përmes mosndërhyrjes, autoritetet jo vetëm që kanë dëmtuar financiarisht Plus-in, por në këtë mënyrë kanë ndikuar direkt edhe në zbrazjen e xhepave të konsumatorëve shqiptarë, duke u ngarkuar atyre tarifa më të larta për nevojat e tyre për komunikim.
K&L Gates LLP është një nga firmat ligjore më të mëdha në botë, e cila numëron mbi 2000 juristë dhe avokatë të punësuar në mbi 46 zyra të shpërndara në të 5 kontinentet, në shtetet si: SHBA, Kinë, Gjermani, Belgjikë, Hong-Kong, Mbretëri e Bashkuar, Australi, Francë, Itali, Poloni, Brazil etj. K&L Gates përfaqëson korporata të mëdha botërore, biznesmenë dhe pjesëmarrës aktivë të pothuaj çdo grupi industrial, si dhe entitete publike, institucione arsimore, organizata filantropike dhe individë. Kjo firmë ka numrin më të madh të integruar të zyrave në botë. Skuadra e tyre anti-trust përfshin më shumë se 80 avokatë dhe juristë me zyra në 22 vende të botës, në SHBA, Europë, Australi dhe Azi. Praktikat e K&L Gates për çështjet e konkurrencës, anti-trustit dhe tregtisë u renditën të parat në edicionin e vitit 2016 të Firmave Ligjore të reja më të mira në Shtetet e Bashkuara. Firma renditet gjithashtu edhe në listën e më të mirave për anti-trustin, duke u vlerësuar për punën e saj në fushën e bashkimeve, blerjeve dhe buyouts (blerjes së aksioneve). Në Mbretërinë e Bashkuar, The Legal 500 rekomandon ekipin e K&L Gates për shërbimet e saj në çështjet ligjore të konkurrencës në BE. Anëtarët e grupit të tyre kanë luajtur rol kryesor në disa nga çështjet më komplekse në këtë fushë dhe janë të mirënjohur në Chambers UK, Global Competition Review dhe në International Who’s Who për juristët e biznesit. Përveç kësaj, për gjashtë vjet radhazi, K&L Gates është cilësuar në Law360 “Global 20” si 1 nga 20 firmat ligjore me prezencën më të madhe globale, që ka trajtuar çështjet më të mëdha, më të rëndësishme ndërkombëtare përgjatë vitit të kaluar”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of