Programi i Kombeve të Bashkuara PNUD, raportoi se gjatë vitit 2020 mbi 91 mijë persona në të gjithë vendin shfaqen emergjencë për nevojat bazë të jetesës sidomos për mbështetje me fonde me ushqime si pasojë e përkeqësimit të kushteve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe kriza pandemike e vitit 2020.
PNUD zhvilloi anketën e dytë këtë vit pas asaj të vitit 2018 për të matur performancën e shërbimeve sociale në shtresat me vulnerabil të popullsisë.
Më 2020 anketa dhe studimi kanë gjetur se, më shumë se 91 mijë persona kanë përfituar nga ndihma sociale, por 63 për qind e tyre ishin grupe të cenuara nga tërmeti dhe varfëria. Duke hequr këtë kategori përfituesish, numri i përfituesve të zakonshëm të ndihmave sociale ka pësuar rënie me 2100 persona në raport me vitin 2018.
Shumica e komunave që morën pjesë në studim kanë përjetuar një rritje të numrit e përfituesve me mbështetje sociale nga viti 2018 më 2020. Vlera mesatare e shërbimeve të raportuara është 4.03 (diapazoni: 1 – 35), një rritje prej 0.53 pikë ose 15.14 për qind nga 2018. Por në raport me standardet ka ende një hendek shumë të lartë.
Programi i Kombeve të Bashkuara ka verifikuar se bashkitë dhe njësitë administrative nuk mund të adresonin plotësisht kërkesat për shërbimet e emergjencës gjatë pandemisë. Pothuajse të gjitha njësitë e pushtetit vendor raportuan sfidën e ofrimit të shërbimeve sidomos për grupet që u goditën më shumë nga pandemia.
Numri dhe lloji i shërbimeve të ofruara gjatë pandemisë ra ndjeshëm dhe u bë më e vështirë për të komunikuar sidomos në zonat rurale. Ndërsa shërbimet nga interneti nuk ishin të arritshme për grupet e varfra për shkak se, nuk disponojnë internet dhe pajisje smartfone.
Sfida të tjera u raportuan nga ofruesit e shërbimeve të tilla si, mungesa e informacionit për COVID-19, panik, ankth dhe mungesa e një strategjie dhe fondeve për menaxhimin e emergjencës në nivel bashkie.
Në raport me vitin 2018, personat me aftësi të kufizuara raportuan nivele më të ulëta kënaqësie ndaj shërbimeve sociale sesa romët dhe egjiptianët. Shqetësimet për shëndetin shkuan paralelisht me shqetësimet për mungesën e ushqimit dhe varfërisë.
Për ata që jetojnë në prag të varfërisë, mbështetja e dhënë gjatë pandemisë, ushqimi dhe pakot sanitare nuk ishin të mjaftueshme. Shumica e pjesëmarrësve në studim raportuan se ndërprenë komunikimin e tyre me të ofruesit e shërbimeve sepse nuk kishin smartphone (ose nuk dinin si ta përdornin) ose nuk kishin qasje në internet.
Përfituesit e shërbimeve sugjeruan që qendrat e shërbimeve sociale të rrisin numrin e personave të kualifikuar si dhe numri dhe llojin e shërbimeve.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.