Flet Ercan Yagmur, administrator i Forschner Albania
Porositë e klientëve për vitin 2022 janë bërë tashmë pranë Forschner Albania dhe kjo e bën kompaninë disi optimiste për vitin në vijim. Shqetësuese, në fakt, është paqartësia në tregje lidhur me kostot gjithmonë në rritje, por edhe vështirësia për gjetjen e forcës së punës.
Ercan Yagmur, administrator i Forschner Albania, shprehet se po bëhet gjithmonë e më e vështirë të gjesh punonjës. Nga intervistat që kompania zhvillon me ata që largohen, konstatimi kryesor është se kjo po ndodh për shkak të emigrimit. Si një kompani që sheh planin e saj të biznesit me zgjerim, thirrja është për qeverinë që të marrë masa për ta ndalur largimin e kapitalit njerëzor.
Si e vlerësoni ecurinë për industrinë automotive në përgjithësi gjatë këtij viti dhe për Forschner në veçanti?
Kompania Forschner Albania, gjatë 6 viteve që operon në Shqipëri, ka arritur të krijojë një staf të kualifikuar nëpërmjet trajnimeve dhe investimeve të vazhdueshme në sektorin e burimeve njerëzore. Kjo ka sjellë rezultate në punë sa i përket planifikimit, prodhimit, dorëzimit në kohën dhe cilësisë së kërkuar nga klientët.
Sektori ku operojmë ka hasur vështirësi të mëdha në periudhën 2020-2021, për shkak të pandemisë, por ne si kompani kemi pasur kërkesë në rritje për produktet që prodhojmë. Klientët kanë rritur kërkesën dhe ne jemi treguar fleksibël në prodhim dhe dorëzim të produkteve, gjë që ka sjellë rrjedhimisht edhe rritjen e numrit të punonjësve me 12%, krahasuar me janarin e këtij viti.
Sektori automotiv në përgjithësi është në një situatë të vështirë, për shkak të problemeve të zinxhirit të furnizimit me lëndë të parë. Edhe pse në Shqipëri, kompania jonë rritet në kapacitet nga viti në vit, problematika botërore e zinxhirit të furnizimit me lëndë të parë ka sjellë frenimin e planit të zgjerimeve 2020-2021 që kompania kishte planifikuar. Si rrjedhojë e problematikave të mëdha të sektorit, gjithashtu ka pasur rritje të konsiderueshme të kostove operative që kompania ka përballuar.
Cilat janë disa nga zhvillimet post-pandemi që keni vënë re sa i takon kostos, logjistikës?
Lidhur me kostot e logjistikës, ndër më kryesoret mund të përmend ato të transportit ndërkombëtar, si rrjedhojë e disa faktorëve. Kosto e importit të lëndës së parë nga zona e Azisë është rritur me më shumë se 50% për shkak të reduktimit të fluturimeve, apo reduktimit të transporteve ujore.
Së fundmi, specifikisht në Shqipëri, kostot e transportit janë rritur për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve, deklaratat e publikuara në media nga qeveria shqiptare se sektori i energjisë dhe hidrokarbureve do të pësojë një krizë ka sjellë dhe do të sjellë automatikisht rritje të çmimeve edhe në vitin 2022.
Kjo situatë e paqëndrueshme dhe jo optimiste na ka bërë të rishikojmë disa herë buxhetin e vitit 2022 sa u përket kostove të transportit apo logjistikës në përgjithësi. Mbetet për t’u parë, por situata nuk është premtuese, kostot logjistike rriten nga viti në vit.
Si janë parashikimet tuaja për vitin e ardhshëm, që duhet thënë jemi shumë afër, si paraqiten tregjet dhe pritshmëritë që keni për porositë nga klientët?
Që tani kemi kërkesa të konfirmuara nga disa prej klientëve tanë më të rëndësishëm. Optimizmi ynë se viti 2022 do të jetë gjithashtu i suksesshëm vjen nga konfirmimi i kërkesave në rritje sa u përket produkteve që ne prodhojmë. Kjo ka nxitur vendimin e kompanisë mëmë me seli në Gjermani të investojë në Shqipëri, me qëllim zgjerimin e sipërfaqes së fabrikës ku është vendosur prodhimi.
Ka një shqetësim të përgjithshëm mes industrive siç janë fasonët apo edhe ndërtimi për mungesën e forcës së punës. Ju a e ndieni këtë problematikë për gjetjen e punonjësve?
Shqetësimi qëndron dhe është i vlefshëm edhe për industrinë ku ne operojmë, e cila kërkon fuqi punëtore gjithnjë e më të madhe. Përmenda më lart që kompania planifikon zgjerimin e kapacitetit prodhues në Shqipëri. Një ndër aspektet më shqetësuese është trendi në ulje i kandidatëve apo kërkesës për punë.
Nëse bëjmë krahasimet nga viti 2015, kur kompania nisi aktivitetin në Shqipëri, vërejmë se po bëhet gjithnjë e më e vështirë gjetja e fuqisë punëtore. Nga studimet që kemi bërë ne si kompani, nëpërmjet procedurës exit interview (intervista që kryen menaxhimi i kompanisë me punonjësit që largohen nga kompania), emigrimi i moshës së re mbetet faktor shqetësues, e cila para disa vitesh ka qenë edhe gjeneratori kryesor i fuqisë punëtore në Shqipëri.
Këtu gjejmë rastin t’i bëjmë thirrje qeverisë, pushtetit lokal, zyrës së punës, që të ndërhyjnë sa më parë dhe të ofrojnë politika mbështetëse që fuqia punëtore të mos emigrojë, por të gjejë dhe plotësojë veten brenda vendit.
Për herë të fundit, industria automotive u trajtua me një lehtësim tek tatimfitimi me një shkallë 5% në paketën fiskale 2020. A ka nevojë për rishikime ligjore procedurale lehtësuese sot kjo industri?
Ulja e tatimit mbi fitimin për industrinë automotive ka ndikuar pozitivisht në rritjen e të ardhurave me rreth 15% për vitin 2021 pavarësisht se jemi përballur me vështirësitë e pandemisë.
Edhe industria automotive ndihet e rrezikuar nga ndryshueshmëria e shpeshtë e paketave fiskale në Shqipëri, ku vlen të përmendet ndryshimi i pagës minimale në mënyrë të vazhdueshme dhe të paplanifikuar, pa informuar bizneset me informacione dhe plane zyrtare e konkrete për këto ndryshime.
Në kulmin e pandemisë që ishte viti 2020, pati një teori që zinxhirët e furnizimit mund të zhvendoseshin nga Kina dhe të afroheshin në Europë, ku Ballkani Perëndimor ishte një opsion. A shihni të materializuar apo ndonjë përpjekje për këtë apo gjithçka ka mbetur te normaliteti i mëparshëm?
Në mendimin tim nuk ka pasur hapa konkretë në këtë drejtim. Efekti i mosfurnizimit në kohë dhe sasi, me lëndë të parë nga Kina, ka sjellë një çoroditje të të gjithë zinxhirit të furnizimeve në sektorin automotiv. Vërehet e njëjta varësi nga tregu aziatik, siç edhe ka qenë para se pandemia të fillonte në Bashkimin Europian.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.