Flet Maltin Korkuti, drejtor i Credins Bank
Si e vlerësoni ecurinë e sistemit bankar dhe të bankës tuaj në vitin 2016?
Sistemi bankar në Shqipëri vazhdoi dhe në vitin 2016 të jetë një bazë e qëndrueshme për t’i dhënë frymëmarrje ekonomisë shqiptare. Sistemi mbetet i shëndetshëm dhe i mirëkapitalizuar dhe statistikat zyrtare të Bankës së Shqipërisë, konfirmojnë për vitin 2016 një rritje të totalit të aktiveve me 6.8%.
Credins Bank, më 31 dhjetor 2016, rezultoi me rritje në të gjithë treguesit financiarë, duke e mbyllur vitin me aktive 166.94 miliardë LEK, në depozita 143.04 miliardë LEK, në kredi 109.26 miliardë LEK dhe të diversifikojë ofertën duke siguruar gjatë vitit 2016 pozicionimin si banka e tretë më e fuqishme në vend. Nisur nga fakti që jemi banka e parë me kapital shqiptar në vend, kjo arritje na bën shumë krenarë dhe na jep sigurinë për të vazhduar me ritme të qëndrueshme përpara. Strategjia jonë për të ulur në mënyrë graduale portofolin e korporatave, duke rritur financimin në fushën e ndërmarrjeve të mesme, sektorin mikro, agro dhe individë, rezultoi e suksesshme dhe gjeneroi disbursimin e 25,500 kredive gjatë vitit 2016, nga ku 87% kanë rezultuar në segmentin individë. Gjatë 2016-s vazhdoi zgjerimi me dy degë të reja dhe nisi një proces në shkallë të gjerë për rivitalizimin e degëve.
Po në vitin 2016, selia qendrore e bankës u vendos në godinën e re prestigjioze në rrugën “Vaso Pasha”, nr. 8, së bashku me një degë pa shërbime cash, që do të shërbejë si model për shtimin e shërbimeve me teknologji të avancuar në dobi të klientëve. Viti 2016 u mbyll me hedhjen në treg të Mastercard, që plotëson kështu nevojën e klientëve tanë individë dhe biznes, për një kartë në monedhë të huaj. Me kartën VISA, në vitin 2016, Credins Bank ka 13,8% të tregut në sistemin bankar shqiptar dhe 103,180 përdorues.
Në vitin 2016, në qershor, AMF licencoi Shoqërinë e Administrimit të Fondeve të Investimit dhe Fondeve të Pensionit, Credins Invest, një shoqëri ku Banka është aksioner mazhoritar.
Në këtë mënyrë, Credins Bank, drejtpërdrejt apo falë partneriteteve të ndërtuara me SiCRED, Credins Invest, siguroi gjatë vitit për klientët e saj një gamë produktesh e shërbimesh që i përgjigjen çdo nevoje: depozita, investime, pensione.
Cilat janë pritshmëritë për sistemin bankar dhe bankën tuaj për vitin 2017?
Falë rrjetit kapilar të Credins Bank, të shtrirë tashmë në të gjithë vendin, dhe mbulimit me degë të reja të disa qyteteve strategjikë gjatë 2017, si dhe falë të gjithë punës së bërë në 2016 për diversifikimin e produkteve, rritjen e aftësive shitëse të stafit, përmirësimit të ndjeshëm të infrastrukturës së degëve, riorganizimit dhe intensifikimit të punës në sektorin retail, ne besojmë në një rritje të qëndrueshme të bankës në 2017. Rezultatet e prekshme në tremujorin e parë të këtij viti janë inkurajuese. Cilësia e depozitave dhe kredive është preokupimi ynë kryesor dhe ne synojmë të mbetemi zgjedhja numër një e shqiptarëve për këto produkte. Produktet e reja në fushën e kartave, kryesisht ato Mastercard, pagesave, pensioneve, e-commerce, do të jenë padyshim produkte në fokus në vitin 2017.
Si e prisni ecurinë e kreditimit dhe NPL-ve për sistemin bankar dhe bankën tuaj në 2017-n, në afatin e shkurtër dhe të mesëm dhe cilët janë faktorët kryesorë që do të ndikojnë për secilën?
Masat e marra në vitet e fundit kanë dhënë tashmë disa rezultate inkurajuese për uljen e nivelit të kredive me probleme, por ende ka hapësira për përmirësime në kuadrin ligjor dhe institucional. Vazhdimësia e zbatimit të planit të masave për uljen e kredive me probleme do të ketë efekte në afatin e shkurtër. Vitin e kaluar, Kuvendi miratoi një paketë ligjore që përfshiu ndryshime në Kodin Civil, Kodin e Procedurës Civile, ligjin “Për Falimentin” dhe në ligjin “Për Shërbimin Përmbarimor”. Pritet që efektet nga zbatimi i këtyre ndryshimeve të sjellin përmirësime të mëtejshme në procesin e ekzekutimit të kolateralit.
Në vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka përmirësuar kuadrin rregullativ, duke përcaktuar afate të qarta për klasifikimin në zërat jashtë bilancit të kredive të humbura, si dhe duke lehtësuar ristrukturimin e kredive në fazë të hershme. Përmirësime janë bërë edhe në regjistrin e kredive, duke shtuar informacionin për çështjet gjyqësore në proces ndaj debitorëve, ndërsa po punohet për një sistem pikëzimi të huamarrësve (credit scoring). Në një horizont më afatgjatë, duhet pasur parasysh që, në thelb, cilësia e kreditimit varet nga performanca e përgjithshme e ekonomisë. Treguesit ekonomikë janë ende të brishtë, pavarësisht se me një prirje pozitive. Kur ekonomia rritet nën potencialet e veta, edhe hapësirat e kreditimit ngushtohen. Rritja e ngadaltë e kredisë ka një ndikim serioz në ecurinë e raportit të kredive me probleme. Në kushtet e një rritjeje më të lartë të kredisë, atëherë edhe raporti i kredive me probleme do të ulet.
Duhet pasur parasysh gjithashtu se ekonomia shqiptare ndodhet në një fazë ristrukturimi dhe rialokimi të kapitaleve. Ekonomia është para sfidës për të forcuar sektorët me avantazhe konkurrues afatgjatë dhe këto janë procese që do të japin ndikimin e tyre edhe në kreditimin e ekonomisë. Nuk duhet neglizhuar dhe fakti që 2017-a është një vit zgjedhjesh, që do të ketë gjithashtu ndikimin e vet në ekonomi.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, në një intervistë të fundit për “Monitor” ka shprehur shqetësimin për nivelin e lartë të euroizimit të vendit dhe ka deklaruar se po hartojnë një plan së bashku me Ministrinë e Financave për të dekurajuar përdorimin e euros. Po ju sa problematik e shikoni euroizimin dhe çfarë masash propozoni për të ulur përdorimin e euros në vend?
Masat e Bankës së Shqipërisë për uljen e euroizimit të sistemit financiar priten të kenë karakter dekurajues për rritjen e mëtejshme të peshës specifike të aktiveve dhe pasiveve në euro në bilancet e bankave. Këto masa mund të përfshijnë norma më të ulëta remunerimi për rezervën e detyrueshme në euro në raport me atë në lekë. Një masë mund të jetë rritja e raportit minimal të kërkuar mes aktiveve likuide dhe pasiveve afatshkurtra në euro.
Mund të ketë masa të mëtejshme shtrënguese për sa i takon kredisë së ekspozuar ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. Përveç punës ndërgjegjësuese me bankat dhe klientët, mund të vendoset rritje e mëtejshme e kërkesës për kapital, duke rritur koeficientët e ponderimit me risk të këtyre aktiveve, për efekt të llogaritjes së treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit.
Megjithatë, zbatimi i këtyre masave pritet të jetë gradual dhe i shtrirë në kohë, për të mos krijuar probleme në aktivitetin e sistemit bankar dhe për të lënë kohën e mjaftueshme për adoptimin e tyre.
Cilat janë sfidat me të cilat do të përballet sistemi bankar në afatin e shkurtër dhe të mesëm?
Sfidat kryesore të sistemit bankar lidhen së pari me pritshmëritë e klientëve. Brezi aktual konsumator ka pritshmëri të larta, veçanërisht lidhur me teknologjinë. Kështu që sistemi bankar është vazhdimisht nën presion për t’ju përgjigjur këtyre pritshmërive. Një tjetër sfidë mbetet rritja e konkurrencës nga institucionet financiare jo banka, qoftë në fushën e kreditimit, qoftë në fushën e teknologjisë. Këto kompani, ndryshe nga bankat tradicionale, kanë një dinamikë dhe përshtatje më të shpejtë me ndryshimet rregullatore apo ato teknologjike, duke ofruar produkte financiare alternative për klientët. Dhe së fundmi, kërkesat rregullatore në rritje mbeten sfidë e përhershme e sistemit bankar. Këto kërkesa marrin shumë kohë, vëmendje dhe energji nga drejtuesit e lartë, si dhe kërkojnë investime në njerëz, sisteme apo procedura.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.