Flet Shqipe Berisha, menaxhere e përgjithshme e TUMO Tirana Center
E tashmja është dixhitale, por e ardhmja do të jetë edhe më dixhitale.
Kështu shprehet menaxherja ekzekutive e TUMO Tirana Center, e cila është entuziaste për dy vitet e operimit në Tiranë, por me pritshmëri më të larta për përqafimin e këtij koncepti në ambientet e reja.
Sipas saj, priten të trajnohen mbi 4000 nxënës në javë në mjediset e Piramidës…
Tirana planifikon të ketë inkubatorin më të madh në rajon në fushën e teknologjisë së inovacionit, ndërsa hapat e parë i keni nisur që në 2020 të mjediset e “Air Albania”. Si do të funksionojë praktikisht TUMO me zhvendosjen në ambientet e Piramidës?
TUMO erdhi në Tiranë në fund të vitit 2020, si nismë e fondacionit Amerikano-Shqiptar për Zhvillim dhe Bashkisë së Tiranës.
Është një degë e TUMO Ventures në Armeni. Praktikisht për tregun është një risi, pavarësisht se ka më shumë se dy vite që operon në Shqipëri.
Kemi sjellë lëndë të reja, të cilat nuk janë në kurrikulën arsimore të vendit: robotika, animation, grafik dizajni, film making e të tjera, të gjitha këto me mjete dixhitale.
Pra nuk është vetëm për faktin që sjellim diçka të re, por edhe mënyra se si zhvillohet mësimi është e tillë që bëhet inovative, mësohet duke punuar direkt. TUMO ka tre komponentë kryesorë:
Aktivitetet e vetëmësimit janë ushtrime të shkurtra ndërvepruese të krijuara për të frymëzuar dhe për të krijuar aftësi.
Trajnerët ndihmojnë me aktivitetet, duke i orientuar nxënësit dhe duke u ofruar këshilla.
Ka qindra aktivitete për të zgjedhur, dhe shumica janë parakushte që çojnë në seminare në çdo objektiv të të mësuarit. Trajnerët e udhëheqin për pyetje, jo për mësim tradicional
-Workshop-et, 1 muaj
Workshop-et drejtohen nga specialistë në 8 objektivat mësimore të TUMO-s. Ato variojnë nga fillestar në të avancuar dhe kulmojnë në projekte individuale ose ekipore. Një grup me 6-12 nxënës punojnë për një temë të caktuar, të udhëhequr nga një trajner.
Çdo projekt publikohet në portofolin e pjesëmarrësve dhe herë pas here paraqitet në konkurse dhe festivale. Ky portofol u vihet në dispozicion shkollave, universiteteve, punëdhënësve të ndryshëm.
-Laboratorët e projektit
Project Labs ofrohen me rotacion nga profesionistë të lartë të teknologjisë dhe dizajnit nga e gjithë bota, kryesisht me ekspertë të huaj. Këta instruktorë mbërrijnë në TUMO çdo vit për të udhëhequr laboratorë të avancuar dhe për të punuar me adoleshentët në TUMO në projekte të botës reale.
Laboratorët organizohen në fusha që ne punojmë në TUMO ose me fusha që lidhen me to, sigurisht të gjitha dixhitale. Mësohen gjëra ekstra. Laboratorët zgjasin 1-2 javë, por janë intensivë, çdo ditë.
I gjithë koncepti përshtatet në mënyrë dinamike me ritmin dhe preferencat e tyre me kalimin e kohës. Ndërsa adoleshentët përparojnë në afat, duke përfunduar projektet dhe duke u ngritur në nivele, ata ndërtojnë një portofol rezultatesh që bëhet diploma e tyre e jetesës.
Sa mendoni se do të ndihmojë ky program në afrimin e brezave të vegjël me teknologjinë? Cilat janë kostot e programit? Si bëhen rekrutimet?
Sigurisht që i afron shumë. Jo vetëm me profesionet më të kërkuara në treg por me dijen e praktikën se si këto profesione po zhvillohen dhe do të zhvillohen në të ardhmen: totalisht dixhitale.
Çdo disiplinë ka tre nivele dhe në përfundim të tre niveleve, ti je i gatshëm të fillosh punë si profesionist i lirë, apo në korporata që ofrojnë vende që lidhen me programet tona. Dija që përfiton e përvoja përkthehet në avantazh edhe në programet e studimit që do të ndjekësh.
Të rinjtë vijnë në TUMO dy herë në javë, nga 90 minuta. Kemi vënë në dispozicion klasa paradite dhe pasdite, për rotacion të orareve më të preferuara të nxënësve, që shpesh janë në shkolla me turn të dytë pasditeve.
Të gjithë që interesohen e afrohen në qendër, marrin informacione dhe nisin kurset. Nuk ka kritere specifike veç moshës, që një nxënës duhet të jetë 12 vjeç. Përzgjedhja e kësaj moshe është bërë nga TUMO Ventures, pasi njihet si mosha që ti nuk e di se çfarë do të bësh dhe programet të ndihmojnë të njohësh veten.
Kemi pasur raste nxënësish që kanë ardhur për një program dhe kanë kaluar te një tjetër, ku kanë zbuluar aftësi më shumë. Kostoja për studentin është 5000 lekë në muaj.
Në lidhje me stafin kualifikues e mësimdhënës, si u përzgjodhën? A ka Shqipëria staf të kualifikuar për të ndihmuar brezat e rinj në rrugëtimin e teknologjisë, duke marrë në konsideratë edhe emigracionin e lartë pikërisht tek individët me sfond edukimi Teknologjinë e Informacionit?
Përzgjedhja e stafit mësimdhënës në formë trajnerësh apo mentorësh bëhet me kujdes të veçantë edhe me ndihmën e TUMO Ventures. Intervistohen, shihen në rast se janë të përshtatshëm me formatin, me përvojat që kanë, u ofrohet gjithashtu trajnim. Deri tani kemi pasur në dispozicion stafin në numrin që na është nevojitur.
Pohuat që TUMO është i vetmi në Ballkan në këtë format. Sa do të ndihmojë ky program në tërheqjen e të interesuarve nga vendet e tjera?
E tashmja është dixhitale, por e ardhmja do të jetë edhe më shumë dixhitale. Ky lloj programi është forma më e mirë në përgatitjen e brezave të rinj, për lidhjen mes arsimit ende të paformatuar me tendencat e së ardhmes dhe me tregun e punës që evoluon vazhdimisht.
Është e vërtetë, kemi krijuar inkubatorin më të madh në rajon për teknologjinë dhe kjo mund të sjellë interes edhe nga vendet e tjera.
Megjithatë e shoh të vështirë të na bashkohen për shkak të moshës, pasi TUMO pranon fëmijë të moshës 12-18 vjeç, janë minorenë dhe detyrimisht nuk mund të afrohen nga vendet e rajonit pa prindërit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.
Manaxher jo Menaxher. Duket sa serioz jeni qe ne njohjen e gjuhes shqipe, per te mos folur me tej per analizat ekonomike dhe intervistat qe beni.
verifikoje ne fjalor, eshte menaxher, menaxhim, menaxhoj