Zymtësia dhe mërzitja do t’i përkasin vetëm së kaluarës. Me Presidentin Macron në krye, Franca duket më optimiste se kurrë
Francezëve u pëlqen ta konsiderojnë veten si të mjerueshëm. Voltaire u mësoi atyre se optimizmi është për naivët. Jean-Paul Sartre i veshi mërzitjes petkun e elegancës. Librat më të shitur psikologjikë francezë kanë tituj të tillë si: “Shumë inteligjent për të qenë i lumtur”. Sondazhet e ndryshme vazhdimisht i rendisin francezët midis popujve më të dëshpëruar në botë. Rreth 85% e tyre u shprehën se vendi i tyre po shkonte në drejtimin e gabuar, krahasuar me 61% të britanikëve dhe 51% të amerikanëve, shkruan The Economist.
Bota anglosaksone mirëpret dhe ua ka hapur dyert atyre që njihen si mentorë të jetës, shkrimtarëve vetëndihmues, folësve motivues dhe kërkuesve të lumturisë, në të gjithë atë që njihet si “industri optimizmi”. Por në Francë, një industri e tillë ka ndeshur gjithmonë në probleme për të fituar terren për t’u zhvilluar.
Ndërsa në ditët e sotme, duket se “mendimi optimist” është moda e re. Sipas Damon Mayaffre, një studiues gjuhësie, gjatë fushatës së tij zgjedhore, Emmanuel Macron, Presidenti i ri i sapozgjedhur, ishte kandidati i “qëndrimit pozitiv”.
Ndër fjalët e tij më të preferuara dhe më shpesh të përdorura gjatë fushatës ishin: shpresa, e ardhmja, ëndrra dhe të rinjtë. Edhe emri që z. Macron i dha lëvizjes së tij politike, En Marche! (“Në lëvizje!”), mbart në vetvete entuziazëm dhe është ndryshe nga të gjithë emrat e tjerë të partive politike tradicionale.
“Ajo që përbën risi është një mentalitet krejtësisht ndryshe në një nivel kombëtar, dhe kjo gjë ndihet gjithashtu edhe në nivel individual, shprehet Philippe Moret, themelues i firmës konsulente, “Attitudes Positives” (“Qëndrimet Pozitive”).
Një qasje më optimiste në nivele të tilla, është ajo që mund ta ndihmojë Francën të dalë nga zymtësia dhe plogështia që e karakterizon. Edhe përpara ardhjes së Macron-it, ishin të shumtë ata që e ndienin nevojën për ndryshim. “Çfarë është psikologjia pozitive?” ishte një ndër pyetjet kryesore të revistës feministe, Cosmopolitan, në të cilën iu tregua lexuesve mbi “shkencën e lumturisë” dhe potencialin e saj “revolucionar”.
Optimizmi në Francë mund të ketë ndikim mjaft të mirë edhe në rritjen dhe përparimin e vendit. Rikthimi i besimit tek bizneset ka treguar shenja të fuqishme rimëkëmbjeje gjatë muajit maj. Indeksi i përbërë IHS Markit shënoi gjatë këtij muaji rritjen e tij më të lartë, që është njëkohësisht edhe rritja më e lartë në këto gjashtë vitet e fundit.
Një nismë në këtë drejtim është edhe Sparknews, e cila promovon dhe nxjerr në pah të gjitha ato projekte që kanë ndikim pozitiv. Një tjetër është Forumi Pozitiv i Ekonomisë, që mbahet çdo vit dhe që ka si qëllim promovimin e një “shoqërie pozitive”. Ky forum u themelua nga Jacques Attali, i cili ishte mentor si për Macron gjatë fushatës së tij ashtu edhe gjatë fushatës së ish-presidentit François Mitterrand.
Forumi zhvillohet në Le Havre, një qytet në Normandi, kryebashkiaku i së cilës, Edouard Philippe, sapo është larguar nga ky pozicion sepse është zgjedhur së fundmi si kryeministër i Francës. Ndoshta francezët do të marrin seriozisht fuqinë e të menduarit pozitiv, sidomos tani që mendimi pozitiv është në pushtet.