Intervistë me Elvis Ponari, Administrator i Përgjithshëm i Shoqërisë Administruese SIGAL LIFE UNIQA GROUP AUSTRIA
Një numër në rritje individësh po shfaqin interes për të investuar në fondet private të pensioneve.
Elvis Ponari, Administrator i Përgjithshëm i Shoqërisë Administruese SIGAL LIFE UNIQA GROUP AUSTRIA, thotë për “Monitor” se, rritja e interesit reflekton më së shumti një rritje të ndërgjegjësimit rreth nevojës për më shumë siguri financiare në moshën e pensionit.
Sipas tij, pavarësisht pasigurisë së krijuar nga pandemia, lufta në Ukrainë dhe rritja e konsiderueshme e çmimeve, njerëzit kanë filluar të jenë shumë të interesuar në të ardhmen e tyre dhe kanë rritur shumat e kontributeve.
Si e vlerësoni ecurinë e tregut të fondeve të pensioneve private gjatë vitit 2021? Cilët ishin faktorët kryesorë që përcaktuan ecurinë e këtyre tregjeve vitin e kaluar?
Në vitin 2021, tregu i fondeve të pensioneve private ka pasur një rritje prej 8.22% në numrin e anëtarëve dhe një rritje prej 27.23% në asetet neto të tyre.
Pjesa më e madhe e kësaj rritje prej 27.23% në asetet e fondeve ka ardhur nga Fondi i Pensioneve SIGAL. Duke pasur një devijancë në rritjen e anëtarëve dhe rritjen në volum, dukshëm ekziston një lëvizje në perceptimin e individëve për kursimin në një fond pensioni, me shuma të menjëhershme.
Kemi pasur një numër jashtëzakonisht të lartë të individëve, të cilët kanë kërkuar këshillim për gjendjen financiare dhe të ardhmen e tyre financiare.
Shumë individë kanë kontribuar në shumat, të cilat kanë plotësuar vitet e humbura të painvestuara, për të arritur qëllimet e tyre. Kjo do të thotë që individët me kursime kanë filluar të mendojnë për të ardhmen dhe sigurinë financiare.
Normalisht që pandemia ishte një zgjim për të gjithë ne, për rëndësinë që duhet t’i japim kujdesit për veten dhe strukturimit sa më eficient të të gjitha mjeteve monetare që më parë rrinin në depozita bankare me interesa të ulëta.
Të gjitha fondet e pensioneve kanë bërë një punë shumë të mirë në këshillimin e anëtarëve të tyre dhe publikut më të gjerë për të prezantuar këtë mundësi, që në vendet e tjera është një standard nga e gjithë shoqëria, për rritjen e nivelit të të ardhurave në vitet e pensionit.
Do të thosha që, më shumë se perceptimi si një mundësi e mirë investimi, faktori kryesor nxitës ka qenë ndërgjegjësimi për strukturim më të mirë të së ardhmes së tyre në moshën e pensionit.
Prej fundit të vitit të kaluar, ka nisur një tendencë e rritjes së normave të interesit/yield-eve për Euron, ndërsa muajt e fundit një tendencë e tillë po vërehet edhe për instrumentet në Lek. Çfarë ndikimi ka pasur deri tani kjo rritje për fondet e pensioneve në Shqipëri?
Duke marrë në konsideratë natyrën dhe kohëzgjatjen e investimeve të fondeve të pensionit, lëvizjet në normat e interesit janë të absorbueshme dhe nuk e ndikojnë në nivel të lartë kthimin nga investimi.
Patjetër që duke konsideruar rritjen e vazhdueshme të volumeve hyrëse në fondet e pensioneve është e rëndësishme për ne të maksimizojmë kthimin.
Një nga rreziqet e inflacionit të lartë është ulja e kthimeve reale nga investimet afatgjata, sidomos të atyre të lidhura me fondet e pensionit. Si mund të amortizohet ky efekt, në kushtet e alternativave të kufizuara të investimit që ofron tregu financiar në Shqipëri?
Siç e kemi parë, inflacioni ka fuqinë të ulë vlerën e parave të individëve me kalimin e kohës. Kjo është veçanërisht e vërtetë, nëse paratë lihen nën dyshek, ose edhe nëse janë në një depozitë bankare me interes të ulët.
Një mënyrë për të mbrojtur veten nga inflacioni është të investojmë paratë në një pension, i cili tenton të rritet me një ritëm më të shpejtë se inflacioni me kalimin e kohës. Normalisht që kjo vështirësohet në një periudhë inflacioni, në nivele të larta.
Pensionet kanë edhe përfitime të tjera, duke ndihmuar në kompensimin e efekteve të inflacionit:
- Punëdhënësi mund të kontribuojë për të punësuarin në një nivel, i cili barazon ose tejkalon kontributin e të punësuarit.
- Me lehtësimet tatimore për kontributet në një pension, kemi përfitime në nivelin e tatimit për fashën e pagës, nga e cila po kontribuojmë.
- Kemi përfitim nga efektet e compound interest.
Fondet e pensionit mund të ishin katalizatorë për të fuqizuar ekonominë vendase në periudha inflacioni të lartë, duke investuar në kompani me kthim në kapital të lartë vendas. Për sa kohë këto mundësi nuk ekzistojnë, ne do jemi duke punuar për të pasur një kthim sa më të lartë nga investimet tona.
Duhet gjithmonë të merret në konsideratë dhe qasja e anëtarëve ndaj riskut kur flasim për diversifikim, ose alternativa investimi.
Për momentin, ekzistojnë mundësitë e investimit në disa indekse nga fondet e pensioneve në Shqipëri, por duke konsideruar qasjen e anëtarëve ndaj riskut, nuk kemi konsideruar të arsyeshme krijimin e një portofoli që përfshin këto indekse.
Me kalimin e kohës dhe zhvillimin e tregjeve vendase, gjë e cila do të japë një imazh tjetër të tregjeve ndërkombëtare për anëtarët e fondeve të pensionit, do të kemi mundësi që rritja e riskut në periudha të caktuara të ketë kthime për anëtarët tanë.
Së fundmi, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka publikuar një projekt-rregullore që do të bëjë të zbatueshme shitjen në Shqipëri të kuotave të fondeve të investimit të licencuar në BE. Si e vlerësoni një hap të tillë dhe çfarë ndikimesh mund të japë në tregun shqiptar?
Kjo i jep një mundësi të mirë kapitalit shqiptar të kanalizohet në fonde me përvojë të lartë në asset management dhe potencialisht rrit performancën e këtij kapitali.
Gjithashtu, ky kapital orientohet në tregje me performancë më të lartë, duke ulur interesin për produkte me të ardhura fikse, si letrat me vlerë.
Ulja e likuiditetit në tregun e letrave me vlerë përkeqëson situatën e tregtimit të tyre dhe në varësi të tregjeve ndërkombëtare krijon fluks hyrës ose dalës në ekonomi, i cili për shkak të mungesës së opsioneve nuk është i absorbueshëm në investime nga tregu vendas.
Fondet e investimeve vendase nuk konkurrojnë dot me fuqinë reklamuese të një fondi global, fakt i cili krijon hapësirë për tkurrjen e këtyre fondeve. Loja, mesa duket, nuk është e barabartë për fondet e investimeve në Shqipëri, pasi këto fonde nuk mund të reklamojnë ose të shesin në një vend të BE-së.
Skenari pesimist është që në një tendencë rritëse të tregjeve globale, kapitali shqiptar do të jetë i investuar në tregje ndërkombëtare dhe ekonomia shqiptare, duke mos pasur opsione investimi, të mbetet pas në rritje.
Cilat janë pritshmëritë tuaja kryesore për vitin 2022? Si prisni të ndikojë në tregun e fondeve të pensionit inflacioni i lartë dhe rritja e mëtejshme e normave të interesit?
Pavarësisht pasigurisë së krijuar nga pandemia, lufta në Ukrainë dhe rritja e konsiderueshme e çmimeve, po shikojmë që njerëzit kanë filluar të jenë shumë të interesuar në të ardhmen e tyre dhe kanë rritur shumat e kontributeve.
Në vitin 2021 kemi pasur rekord në rritje, dhe sipas ecurisë deri tani, presim që në vitin 2022 të kemi ende një rekord tjetër.
Pavarësisht efektit në kthimin real nga investimi për shkak të inflacionit, kemi bërë një punë shumë të mirë në këshillimin e anëtarëve tanë për të krijuar një mbështetje të arsyeshme në moshën e pensionit, sipas nevojave individuale.
Në kohë si këto që po kalojmë, fokusi ynë është gjithmonë të kuptojmë gjendjen e anëtarëve dhe t’i këshillojmë për t’iu ofruar siguri financiare në pension.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.