Poetja amerikane, Louise Glück, fiton Çmimin Nobel për Letërsinë

08/10/2020 1:32 PM 0 komente

Çmimi Nobel për Letërsinë, këtë vit iu dha poetes amerikane Louise Glück, “për zërin e saj të pagabueshëm poetik, që me një bukuri të ashpër e bën universale ekzistencën individuale”.

Një ndër poetet më të mëdha amerikane, shkrimtarja 77-vjeçare ka fituar Çmimin Pulitzer (1993)  për librin “The Wild Iris” dhe National Book Award (2014). Fëmijëria dhe jeta familjare, marrëdhënia e ngushtë me prindërit dhe vëllezërit, është një temë qendrore në librat e saj, shpesh duke ripunuar mitet greke dhe romake. Në poezitë e Glück, vetja dëgjon atë që ka mbetur nga ëndrrat dhe iluzionet e saj, dhe askush nuk mund të jetë më i fortë se ajo në përballjen me iluzionet e vetvetes.

Presidenti i Komitetit të Çmimit Nobel, Anders Olsson, vlerësoi zërin “e sinqertë dhe të pakompromistë” të Glück “gjithë humor”. 12 vëllimet e saj me poezi dhe disa volume me ese, nga Faithful dhe Virtuous Night te The Wild Iris “karakterizohen nga një kërkim për qartësinë” – shtoi ai, duke e krahasuar me Emily Dickinson me “ashpërsinë dhe mosgatishmërinë e saj për të pranuar parimet e thjeshta të besimit”.

Louise Glück lindi më 1943 në Nju York dhe jeton në Cambridge, Massachusetts. Përveçse shkruan, është profesore anglishteje në Yale University, New Haven, Connecticut. Ajo debutoi në vitin 1968 me vëllimin e parë me poezi “Firstborn” dhe shumë shpejt u vlerësua si një nga poetet më të rëndësishme në letërsinë bashkëkohore amerikane.

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of