Polakët, ukrainasit dhe bjellorusët mbajtën gjallë turizmin shqiptar, charter-at ranë me 70%

12/02/2021 10:06 PM 0 komente

Polakët, bjellorusët dhe ukrainasit ishin turistët e vetëm që shijuan diellin dhe bregdetin shqiptar në verën e 2020-s, duke shpëtuar një pjesë të hoteleve me standarde të larta, së bashku me turistët nga Kosova.

Në verën e 2019-s, në hotelet shqiptare kishte edhe nordikë, çekë, izraelitë, rusë, gjermanë etj. Por, pjesa më e madhe e tyre i anuluan pushimet në vitin 2020, si rrjedhojë e kufizimeve prej pandemisë së COVID-19.

Të dhënat zyrtare të “Tirana International Airport” (TIA) bënë të ditur se në vitin 2020 udhëtuan me charter turistikë (vajtje-ardhje), rreth 77 mijë pasagjerë (përjashtuar Antalia-n). Në raport me 2019-n, më i miri për turizmin deri tani, është shënuar një rënie prej 70%.

Destinacionet e charter-ave ishin mjaft të kufizuara në raport me vitin e mëparshëm. Nga 25 të tilla në 2019-n, në vitin e pandemisë nga Rinasi charter-at fluturuan vetëm në 10 aeroporte të Europës.

Polonia mbeti shteti kryesor, nga i cili erdhën më shumë turistë, me 26 mijë që udhëtuan drejt dhe nga Rinasi, ndonëse në një rënie të fortë prej 74% në raport me vitin e mëparshëm. Në verën e 2020-s munguan izraelitët, çekët, norvegjezët, suedezët, danezët, finlandezët, si dhe të tjerë nga Rusia, Letonia e Lituania, që sapo kishin filluar të  zbulonin Shqipërinë.

Krahas polakëve e turistëve nga Kosova, turizmin shqiptar e shpëtuan dhe ukrainasit dhe bjellorusët, që ndryshe nga gjithë shtetet e tjera shënuan rritje të ndjeshme. Nga dhe drejt Bjellorusisë udhëtuan rreth 19 mijë pasagjerë, dyfish në raport me një vit më parë. Me Ukrainën trafiku i pasagjerëve ishte 25.8 mijë, me një zgjerim prej 58% me bazë vjetore.

Ky grup turistësh, erdhën spontanisht në vend, pasi nuk lejoheshin të udhëtonin askund për shkak të numrave të lartë të COVID-19. Por, operatorët turistikë pohuan se bjellorusët dhe ukrainasit janë befasuar nga oferta turistike shqiptare. Atyre u pëlqen të shpenzojnë për ture dhe kanë mbetur të kënaqur nga produkti i ofruar. Po kështu, është një grup që përshtatet me realitetin tonë.

 

Hyrjet e të huajve në vend ranë me 58.5%

Karantina në pjesën e parë të 2020-s dhe më pas kufizimi i lëvizjeve në mbarë botën, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19, kanë dhënë ndikim të ndjeshëm në hyrje-daljet e shtetasve të huaj, por dhe udhëtimeve të vendasve.

Kufizimi i qarkullimit të lirë të shtetasve kudo në botë për shkak të pandemisë COVID-19 shkaktoi rënie masive, sidomos të atyre që udhëtonin për turizëm. Arsyet e lëvizjes u kufizuan vetëm për çështje pune ose shëndeti.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020 në vend hynë 2.65 milionë shtetas të huaj, me një rënie prej 58.5%. Si rrjedhojë e kufizimeve, hynë 3.7 milionë shtetas të huaj më pak, duke dhënë ndikim të ndjeshëm në ecurinë e turizmit në vend, por edhe të konsumit, që në gusht, kur kulmon sezonil ishte shumë i dobët, sipas të dhënave të tjera të tregtisë me pakicë.

Turistët e Kosovës mbajtën peshën kryesore në turizëm në vend në vitin e pandemisë. Hyrjet e shtetasve nga Kosova në 2020-n përbënin 52% të totalit, nga 35% që ishte kjo peshë vitin e mëparshëm, kur në vend filluan të vinin turistë nga pothuajse e gjithë Europa.

Gjatë vitit 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 38,6%, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Spanja me 90,3%, krahasuar me vitin 2019. Pandemia ka kufizuar lëvizjet te shtetet afër kufirit. Në vend të dytë ishin shtetasit nga Maqedonia, me 14% të totalit, nga 12.7% një vit më parë.

Ndërsa tkurrjen më të fortë e shënuan polakët (-81%), të cilët vitet e fundit e kishin kthyer në destinacion të qëndrueshëm vendin tonë, si dhe spanjollët (-90%) Numri i shtetasve shqiptarë që dolën nga Shqipëria në vitin 2020, është 2.9 milionë persona, duke rënë me 50,9%, krahasuar me vitin e mëparshëm.

 

Burimi: TIA

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of