Policat kufitare që shpesh herë janë bërë objekt abuzimi viteve të shkuara duke u plotësuar me dorë apo duke u shitur në tragete do të kenë një model të ri me elementë shtesë. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare miratoi në fund të vitit 2019 një vendim që përcaktonte se çfarë do të përfshijë sepcifikisht polica. Ndër të tjera vendimi nënvizon se duhet të vendoset logo e kompanisë, emri i saj i plotë apo adresa e plotë.
Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, vendosi dhënien e pëlqimit për fillimin e procedurave për emetimin dhe prodhimin e policës së sigurimit kufitar sipas specimenit miratuar me vendimin e Asamblesë së Anëtarëve të BSHS, nr. 20, datë 05.11.2019, me ndryshimet sa më poshtë: Të identifikohet shoqëria e sigurimit me logon përkatëse, përfshirë emrin e plotë të shoqërisë, adresën e shoqërisë dhe selisë qendrore të degës, nëpërmjet së cilës bëhet nënshkrimi i kontratës së sigurimit.
Kontrata e sigurimit të përmbajë elementin e sigurisë të njëjtë me policat e sigurimit të detyrueshëm motorik TPL, të emetuara nga B.SH.S. Vendimi i Bordit nr. 55, datë 21.06.2013 “Për dhënien e pëlqimit për fillimin e procedurave të emetimit dhe prodhimit të policës së sigurimit kufitar”, shfuqizohet” thuhet në vendim.
Me herët policat kufitare respektonin vendimin 55 të vitit 2013 i cili saktësonte se polica do të kishte të vendosur identifikimin e çdo shoqërie sigurimi sipas emrit të regjistruar. Që nga viti 2017 të gjitha policat kufitare të sigurimit që shërbejnë për mjetet që hyjnë në territorin e një vendi tjetër ku nuk janë të regjistruar duhet të ishin të shkruara vetëm në formë elektronike.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.