Policia e Kosovës paralajmëron protesta, nuk iu pagua 300 euro nga Pakoja Emergjente

07/09/2020 10:58 AM 0 komente

Sindikata e Policisë së Kosovës ka paralajmëruar protesta, në rast se Qeveria e Kosovës brenda një jave nuk ua përmbush kërkesat e tyre.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media, ku thuhet se deri më tani policëve nuk iu janë paguar 300 euro nga pako emergjente e as orët shtesë.

“Këshilli Drejtues i Sindikatës të Policisë së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur me datë 04.09.2020 ka shqyrtuar situatën e krijuar dhe vazhdimin e pakënaqësive të shumta të pjesëtarëve të policisë lidhur me mospërfshirjen në pakon emergjente (që është e përcaktuar me ligj), ku përfshihen tani mos pagesa prej 300 eurove, mos pagesa e orëve shtesë, mos pagesa e shujtës dhe mos pagesa e ndërrimit të natës sipas ligjit. Duke e ditur dhe duke u bazuar në kushtet e vështira dhe në rrethanat në të cilat po vazhdon të punon Policia e Republikës së Kosovës në këtë situate pandemie, Sindikata e Policisë së Kosovës, fillimisht me datë 21.07.2020 iu është drejtuar me një kërkesë urgjente Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hotit si dhe Ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliu me të cilin ka realizuar një takim, me qëllim të realizimit të kërkesave tona sindikale”, thuhet në njoftimin për media.

Sipas njoftimit thuhet se pasi që Sindikata e PK-së deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje zyrtare dhe veprim konkret drejt realizimit të kërkesave, nga Qeveria dhe Ministria e Punëve të Brendshme, Sindikata e Policisë përmes takimit të fundit të mbajtur me 04.09.2020 me këshillin drejtues ka marrë vendim që:

  1. Ti rikujtojmë Qeverisë së Republikës së Kosovës se deri me datë 15.09.2020 t’i përmbushë kërkesat e cekura më lart të cilat janë shumë simbolike në krahasim me faktin se Policia janë duke punuar 12 orë pa pushime, duke tejkaluar të gjitha normat ligjore për punë, përfshirë punën jashtë orarit dhe pamundësinë e shfrytëzimit të pushimeve të plota.
  2. Duke marr parasysh kohën në të cilën po kalojmë në rrethana pandemie, Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë për momentin nuk insiston në këtë afat realizimin e kërkesave jetike siç janë: Sigurimi shëndetësor, Ligji për pensionim, Ligji i pagave etj, por kërkon që ato të realizohen në një kohë dhe rrethana më të përshtatshme nga Qeveria e RKS-së.

“Këshilli Drejtues i Sindikatës së Policisë i bënë me dije Qeverisë së Kosovës që në rast se, deri me datë 15.09.2020, nuk i përmbush kërkesat simbolike të potencuara në pjesën e parë të kësaj komunikate, atëherë Këshilli Drejtues i Sindikatës së PK-së me datë 16.09.2020 , do të mblidhet në takim për të caktuar datën dhe modalitetin e veprimeve sindikale përfshirë protestën.

Sindikata e Policisë së Kosovës beson se Qeveria do ta marrë parasysh kërkesën emergjente dhe të njëjtën do ta trajtojë me prioritet drejt realizimit të saj, në mënyrë që të mos ketë nevojë që Këshilli Drejtues i Sindikatës të marrë veprime tjera përfshirë protestën”.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of