Policia e Kosovës në mëngjesin e sotëm ka nisur operacionin kundër kontrabandës së mallrave në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës. Për këtë aksion ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se ka përfunduar operacioni policor kundër kontrabandës së mallrave. Shefi i ekzekutivit në reagimin e tij ka bërë thirrje që qytetarët në veri të mos bien pre e disa mediave serbe, të cilat mbrojnë krimin e korrupsionin.
Kurti ka thënë se operacioni është zhvilluar në disa lokacione të ndryshme, që ka për qëllim luftimin e kontrabandës.
“Aksion i Policisë kundër krimit e kontrabandës në Prishtinë, Pejë dhe në veri e jug të Mitrovicës. Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri)”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se gjatë operacionit janë sekuestruar mallra e dëshmi. “Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova material”, pohoi ai.
Në fund, Kurti ka shkruar se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe se do të luftohen.
“Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”.
Edhe Policia e Kosovës e ka shpallur të përfunduar aksionin për luftim të kontrabandës, që sot u zhvillua në disa qytete.
Derisa në qytetet raportohet se shkoi qetë, në veri të Kosovës, të populluar me shumicë serbe, pati rezistencë nga banorët, e sipas Policisë edhe sulme të tyre me shok-bomba, granata dore, bombola gazi dhe të shtëna me arë zjarri.
“Referuar situatës së krijuar, rrezikimit të drejtpërdrejt të zyrtarëve, bllokimeve të rrugëve, përdorimit të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit/zjarrvënies së automjeteve zyrtare, Policia e Kosovës është detyruar të ndërmarrë veprime policore duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion, qytetarëve në atë zonë dhe krijimit të mundësisë së lëvizjes e qarkullimit të lirë.
Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani janë raportuar se (6) zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre (5) zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe (1) i nacionalitetit serb”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Policia njofton se në të gjitha qytetet ku është zhvilluar aksioni kundër kontrabandës janë arrestuar tetë persona, e vetëm në veri tre: një shqiptar, një serb dhe një boshnjak.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni policor ka nisur në orët e hershme të mëngjesit, kundër kontrabandës së mallrave.
Policia ka theksuar se ka goditur rrjetin e kontrabandës, ndërsa gjatë zhvillimit të aksionit në veri, serbët kanë sulmuar Policinë e Kosovë, duke hedhur gurë në drejtim të tyre. Po ashtu ata kanë djegur edhe disa vetura me targa RKS.
Kurse, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë për aksionin kundër kontrabandës që Policia dhe Dogana e Kosovës po zhvillojnë në disa lokacione, përfshirë edhe komunat në veri të vendit.
“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalin (v.j. kryeministrin e Kosovës) Albin Kurtin. Situata është më se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, tha Bërnabiq përmes një komunikate për media.
Ky aksion, që u zhvillua në disa rajone, përfshirë edhe në komunat me shumicë serbe, u kundërshtua nga serbët lokalë, me ç’rast ndihmë mjekësore kërkuan disa persona. Po ashtu, banorët ngritën disa barrikada në Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut.
Gjatë operacionit të sotëm në veri të vendit kundër kontrabandës së mallrave, pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë sulmuar nga serbët lokalë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.