Javën e kaluar, policia kroate shpalli në kërkim themeluesin e gjigandit kroat, Agrokor, Ivica Todoriç, bashkë me të edhe disa drejtues të tjerë të kompanisë. Kjo masë është në vazhdën e një procesi hetimi mbi parregullsitë financiare të zbuluara në këtë kompani. Agrokor, kompania më e madhe e Kroacisë që ka punësuar rreth 60,000 vetë në rajon, është duke u ristrukturuar për shkak të krizës së borxhit që e shtyu në prag të falimentit.
Sipas një raporti të auditit, kohët e fundit u zbulua se humbja neto e Grupit Agrokor në vitin 2016 arriti në 11 miliardë kuna (1.46 miliardë euro), ndërsa detyrimet e kompanisë arritën në 56.3 miliardë kuna. Raporti gjithashtu tregoi detyrime të pazbuluara në vlerë prej 3.9 miliardë kunash. Zyra e Prokurorisë së Shtetit të Kroacisë (DORH) tha në një deklaratë për shtyp se procedimet e prokurorëve dhe policisë ishin pjesë e një hetimi lidhur me veprat penale të pretenduara kundër ekonomisë dhe mashtrimit.
Pjesë e hetimit janë rreth 15 persona, ndër të cilët edhe ish-zëvendëspresidenti i Agrokor për strategjinë dhe financat, Ivan Crnjac, i cili u arrestua. Krahas Crnjac, punonjësit e policisë arrestuan edhe Ljerka Puljiç, nënkryetaren e ekzekutivit të Agrokor, e cila prej vitesh është etiketuar si krahu i djathtë i Todoriç.
Ajo ka qenë anëtare e bordit mbikëqyrës të Agrokor që nga viti 2015 dhe është cilësuar për dhjetë vjet me radhë gruaja më e fuqishme në biznesin kroat. Po ashtu u arrestuan edhe ish-anëtarët e bordit drejtues të Agrokor-it, Damir Kustrak, Tomisllav Luçiç dhe Piruska Canjuga.
Megjithatë, prokurorët dhe policët, ku u angazhuan rreth 300 të tillë, nuk arritën të gjenin themeluesin Todoriç dhe as djalin e tij Ante, një prej anëtarëve më të rëndësishëm të bordit. Sipas burimeve të fundit, si Todoriç edhe djali i tij janë larguar jashtë vendit, dhe në një njoftim të fundit të publikuar nga Todoriç në rrjetet sociale, ky i fundit e ka cilësuar të gjithë këtë situatë një proces politik.
Todoriç thoshte më tej në deklaratë se së bashku me ekipin e tij ligjor, kroat dhe ndërkombëtar, po përgatit mbrojtjen e tij dhe se shumë shpejt do të hidhet dritë mbi të gjithë padrejtësitë që i janë bërë, duke shkelur në radhë të parë të drejtat e tij si njeri. Ai do të vihet në dispozicion të gjyqësorit dhe të një Komisioni Parlamentar.
Më 11 tetor, Parlamenti kroat miratoi planet për të ngritur një komision hetimor që do të shqyrtojë gabimet që supozohen të kenë ndodhur në Agrokor. Komisioni pritet të kryejë punën teknike deri më 30 tetor, për të zbuluar sesi gjiganti i ushqimit dhe të shitjeve me pakicë u zhyt në borxhe.
Todoriç ka deklaruar kohët e fundit se dëshiron të paraqesë akuza penale kundër komisionerit të jashtëzakonshëm të kompanisë, Ante Ramljak. Todoriç akuzon po ashtu qeverinë për përdorimin e ligjit “Lex Agrokor” për të vjedhur kompaninë e tij dhe duke përdorur “të dhëna të pasakta dhe jo të plota”. Akuzat ndaj Todoriçit janë të shumta, duke i shtuar këtu edhe atë të CEO-s së bankës ruse Sberbank, Maksim Poletaev, se Agrokor i ka borxh atij rreth 1.1 miliardë euro.