Vendosja e përdorimit të maskës në mënyrë të detyrueshme jo vetëm që i bën njerëzit ti përdorin ato, por gjithashtu i bën ata të ndërmarrin sjellje të tjera mbrojtëse siç janë distancimi social, larja dhe shmangia e shtrengimit të duarve, raportojnë studiuesit.
Studiuesit vëzhguan një grup prej 7 mijë gjermanësh në periudhën mes prillit deri në fund të majit, rreth 1 mijë persona në javë.
Kur përdorimi i maskave u bë i detyrueshëm në publik më 27 prill në Gjermani, numri i njerëzve që mbanin maska për fytyrën u rrit ndjeshëm dhe mbeti i lartë edhe në mesin e atyre që mendonin se imponimi është i ekzagjeruar.
Para se maska të bëhej e detyrueshme, vetëm 20 për qind e të anketuarve mbanin maska. Ndërsa pasi u vendos masa, në fund të majit 80 për qind e pjesmarrësve në anketim deklaruan se përdornin maskë, sipas studimit, të publikuar në revistën ‘Proceedings of the National Academy of Science’.
Përdorimi i maskës nxiti edhe sjellje të tjera mbrojtëse:
-Pothuajse tetë herë më shumë në larjen e duarve;
-Deri në 20 herë më shumë në shmangien e shtrëngimit të duarve;
-Deri në 13 herë më shumë në mbajtjen e distancës sociale sesa pjesëmarrësit që nuk mbanin maskë;
Një nëngrupi me më shumë se 900 vullnetarë iu kërkua të imagjinonin një skenar në të cilin ata ishin në departamentin e frutave në dyqanin lokal me një person tjetër.
Disa pjesëmarrësve iu tha që ekziston një masë e detyrueshme për përdorimin e maskës, ndërsa disa të tjerëve iu tha që përdorimi i maskës ishte me zgjedhje; disa të tjerëve iu tha që personi tjetër përdorte maskë, ndërsa të tjerëve iu tha se personi tjetër nuk përdorte një të tillë.
“Pavarësisht nëse ekzistonte ose jo politika e detyrueshme e maskave, studiuesit zbuluan se të tjerët që mbanin maska, perceptoheshin si më pro-social. Pra përdorimi i detyrueshëm i maskës së bashku me komunikimin e qartë të përfitimeve që vijnë nga ky veprim duket i këshillueshëm”, përfunduan studiuesit./CNN