Politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë vitin e kaluar ka sjellë ulje të normave të interesit edhe në tregun ndërbankar.
Mbështetur në informacionin e bankës qendrore, gjatë vitit 2020, norma mesatare e interesit e tregtuar në tregun ndërbankar njëditor ka qenë 0.11 pikë përqindjeje nën normën bazë, ndërsa në vitin 2019 kishte qenë shumë afër normës bazë, me vetëm 0.02 pikë përqindjeje më pak. Në tregun ndërbankar javor norma e interesit ka qenë 0.06 pikë përqindjeje nën normën bazë kundrejt mesatarisht 0.01-0.02 pikë përqindjeje mbi normën bazë në dy vitet e mëparshme. Rritja e aksesit në burimet e financimit të BSH-së ka ulur rrjedhimisht çmimin në tregun ndërbankar të parasë.
Në përgjigje të situatës së krijuar nga pandemia, BSH-ja ndryshoi formën e ankandit të injektimit njëjavor nga “ankand me shumë të fiksuar” në “ankand me çmim uniform”, që prej datës 11 mars 2020. Në analizën e BSH, kjo formë ka ndikuar në uljen e rrezikut të likuiditetit për bankat tregtare dhe ka sjellë rritje të numrit mesatar të bankave pjesëmarrëse në ankandet e marrëveshjeve të riblerjes. Pjesëmrarrja mesatare në ankande gjatë vitit 2020 ka qenë 7 banka, ndërsa një vit më parë vetëm 2 banka merrnin pjesë mesatarisht në ankande.
Një instrument tjetër me anë të të cilit Banka e Shqipërisë ka rregulluar ofertën e parasë në tregun financiar është rezerva e detyrueshme. Kjo rezervë konsiston në një përqindje të caktuar të depozitave që bankat tregtare duhet t’i mbajnë pranë bankës qednrore. Në kuadrin e strategjisë së deeuroizimit, në vitin 2018 u vendos diferencimi i sasisë së rezervës së detyrueshme sipas valutave.
Për Lekun, norma e rezervës së detyrueshme u ul në 5% dhe 7.5%, nga 10% që ishte më parë. Kjo iu ka mundësuar bankave më shumë likuiditete të lira në lekë. Për valutat e huaja, kjo normë u rrit në 12.5% dhe 20%, duke aplikuar një normë më të lartë për bankat që kanë një ekspozim më të madh nga detyrimet në valutë. Politika të diferencuara u ndoqën edhe në remunerimin (interesin që i paguhet bankave) për rezervën e detyrushme. Remunerimi i rezervave të detyrueshme në lekë u vendos të ishte i barabartë me normën bazë kundrejt 70% të saj që ishte më parë. Ndërsa për euron, duke filluar nga muaji shtator 2016, bankat paguajnë për rezervën e detyruar në euro një normë interesi të barabartë me normën e depozitës njëditore të Bankës Qendrore Evropiane (BQE), e cila gjatë vitit 2020 ka qenë e pandryshuar në -0.50%. Norma e remunerimit të rezervës së detyruar në dollarë amerikanë është 0%, që prej vitit 2011.
Normat e interesit e remunerimit të rezervave të tepërta (fondet sipër vlerës së rezervës së detyrueshme që bankat mbajnë në BSH) në lekë dhe dollarë amerikanë kanë vijuar të jenë 0% gjatë vitit 2020, ndërsa norma e interesit të remunerimit të tepricave të gjendjes në euro ka mbetur në nivelin 0.25 pikë përqindje më e ulët se norma e interesit të depozitës të BQE-së.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.