Përkundër uljes me shpejtësi të normës bazë të interesit, kredia për ekonominë ka rënë dhe kursimet e individëve në banka janë dekurajuar. Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se stimuli monetar zbut kostot e reformave në ekonomi, por ai nuk është në gjendje të sigurojë rritje afatgjatë ekonomike dhe nuk duhet parë si një zëvendësues i tyre. Ja çfarë ka prodhuar lehtësimi
Banka e Shqipërisë ka shtuar përpjekjet për lehtësimin e politikës monetare, duke e çuar çmimin e lekut (normën bazë të interesit) në minimumet historike 1.75%, por nga ana tjetër tregjet kanë reaguar për të kundërtën. Huaja për ekonominë në vend të rigjallërohet nga këto masa, është futur në trajektore rënëse, teksa kursimet e individëve në banka janë dekurajuar. Përfituesi i vetëm në këtë mes duket së është qeveria, e cila po paguan interesa më të ulëta për borxhin e brendshëm. Në fund të periudhës nëntëmujore, arka e shtetit ka kursyer rreth 8 miliardë lekë, nga norma e ulëta të interesit, të cilat ndikuan në mbajtjen në ekuilibër të deficitit buxhetor i ndodhur këtë vit nën presionin e lartë të mosrealizimit të programit të të ardhurave.
Pas vitit 2008, kur kriza financiare botërore vuri me shpatulla për muri rritjen e vrullshme të ekonomisë shqiptare dhe bollëku i likuiditeteve po shkonte drejt ngërçit, Banka e Shqipërisë vendosi t’i përgjigjej konsolidimit fiskal (rritjes së taksave) me lehtësimin monetar, në mënyrë që shtrëngimi që do të ndodhte për shkak të politikës fiskale, të kompensohej nga çlirimi i kreditimit të ekonomisë me uljen e normave të interesit. Kështu që nga marsi 2011 norma bazë e interesit ul nga Banka e Shqipërisë me 15 herë duke e çuar atë në rekordet historike, 1.75% nga 5.25%. Teksa politika monetare po shkon drejt limiteve, duket se kreditimi i ekonomisë po varet nga tregues të tjerë strukturorë të ekonomisë, si niveli i kredive të këqija (20%), besimi i dobët konsumator dhe kërkesa e dobët për kredi.
Bie kredia, rriten interesat
Treguesit e kredisë në shtator u përkeqësuan, kur huaja vijoi rënien dhe nga ana tjetër normat e interesit u rritën. Interesi mesatar i kredisë pësoi rritje modeste në 8.46% nga 8.38% që ishte në muajin gusht. Ndërsa stoku i huas pësoi rënie vjetore prej 1.8%, në një kohë që Banka e Shqipërisë në mënyrë sistematike uli normën e interesit duke e çuar me vendimin e janarit 2015 në 2%.
Në rezultatet e vrojtimit të kredisë për tremujorin e tretë u raportua se bankat kanë vlerësuar në rënie kërkesën e bizneseve për kredi, për të tretin tremujor rresht. Balanca neto e kërkesës së vlerësuar është -10.4%.
Bankat kanë pohuar se rënia e vlerësimit për kërkesën në total u ndikua nga rënia e kërkesës së ndërmarrjeve të mëdha. Sipas qëllimit të përdorimit, kërkesa e bizneseve për financimin e investimeve ka pësuar rënie më të theksuar sesa kërkesa për financimin e kapitalit qarkullues, bazuar në opinionet e bankave.
Bankierët pohojnë se arsyeja kryesore që ata nuk po japin hua është mungesa e projekteve të mira për investime nga biznesi. Aksioni antiinformalitet, nga ana tjetër, i shoqëruar me ndryshime ligjore që parashikojnë nivele ndëshkimi shumë të larta dhe diskutimet për ndryshimet në Kod për ndjekje penale për evazorët kanë krijuar një psikozë frike te biznesi, që po reflektohet qartazi në frenimin e investimeve dhe si rrjedhojë, edhe kërkesës për hua. Teksa qeveria ka nisur reforma antiinformalitet dhe kredia me probleme nuk po zbret nga 20% bankat nuk po tregohen të gatshme të marrin rrezik për të dhënë hua të reja.
Dekurajohen kursimet
Interesat e depozitave bankare kanë qenë një instrument i mirë joshjeje për investimin e kursimeve shqiptare, por edhe të emigrantëve jashtë vendit. Pas vitit 2013, depozitat bankare u rritën me ritme dyshifrore dhe interesi mesatar ndaj tyre ishte afër 6 përqindëshit. Ndërsa sot, tre vjet pas politikës agresive lehtësuese bankare, përqindjet e interesave të depozitave janë vetëm 1.5%, por i indeksuar me inflacionin, interesi merr vlera negative. Për pasojë, ritmet e rritjes së depozitave në banka kanë nisur rënien dhe gjithnjë e më shumë qytetarët janë duke ju drejtuar skemave në tregjet informale.
Fiton qeveria
Qeveria është lehtësuar ndjeshëm nga pagesa e interesave të borxhit prej politikës monetare lehtësuese. Në fund të nëntëmujorit janë shpenzuar 27.5 miliardë lekë nga 3.7 miliardë lekë të programuara për gjithë vitin. Në muajin gusht ishin kursyer gati 8 miliardë lekë interesa, të cilat u ribalancuan me rishikimin e buxhetit. Kursimet qeveritare në borxhin e brendshëm janë ndikuar nga ulja e interesit të bonove të thesarit dhe obligacioneve.
Banka lajmëron ulje tjetër
Në përfundim të analizës dhe të diskutimit mbi zhvillimet e pritura, Këshilli Mbikëqyrës konstatoi se përmbushja e objektivave të Bankës së Shqipërisë kërkon rritjen e stimulit monetar dhe ruajtjen e kahut stimulues për një periudhë më të gjatë sesa vlerësimet mëparshme. Bazuar në vlerësimet dhe parashikimet për një periudhë afatmesme, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kahu i politikës monetare do të vazhdojë të jetë lehtësues, përgjatë gjithë vitit 2016.
Banka Qendrore gjykon se zbatimi i shpejtë i planit të masave për parandalimin dhe zgjidhjen e kredive me probleme, mbetet një prioritet madhor, me qëllim reduktimin e rrezikut të perceptuar të kreditimit në Shqipëri. Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë në shtesë të masave në fuqi që nga viti 2013, bazuar dhe në eksperiencat ndërkombëtare të kohëve të fundit, po analizon mundësinë për të prezantuar masa të tjera stimuluese.
Këshilli Mbikëqyrës ka vlerësuar se stimuli monetar ofron kohën e nevojshme për kryerjen e reformave strukturore dhe zbut koston e këtyre reformave në ekonomi, por ai nuk është në gjendje të sigurojë rritje afatgjatë ekonomike dhe nuk duhet parë si një zëvendësues i tyre.
Për këtë arsye, Këshilli Mbikëqyrës ka ritheksuar edhe një herë nevojën për vazhdimin dhe përshpejtimin e reformave strukturore. Këto reforma, sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, duhet të synojnë përmirësimin e qëndrueshëm të klimës së biznesit, rritjen e produktivitetit dhe të konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja, si dhe rritjen e qëndrueshmërisë ekonomike e financiare të vendit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.