Politika “ngriva – shkriva” me biznesin

24/03/2017 10:07 PM 0 komente

Çfarë po ndodh me biznesin në Shqipëri? Si po “përkthehen” mesazhet që vijnë nga politika në këto ditë të ngrohta pranvere? Çfarë do të ndodhë me planet e tyre të biznesit? “Monitor” sjell opinionet e përfaqësuesve të biznesit, akademikëve dhe ekspertëve të ndryshëm. Të gjithë urojnë që situata të mos përkeqësohet

Nga Elona Bedalli

Momentalisht duket se gjithçka në vend rrotullohet rreth politikës. Nga njëra anë është opozita me protestën e saj, e cila kërkon qeveri teknike; nga ana tjetër është qeveria, e cila ndryshoi katër nga emrat e ministrave, duke bërë që për herë të parë të ketë një dominancë femërore në përbërje të kabinetit qeveritar. E këtyre lëvizjeve të politikës së brendshme, së shpejti do t’i shtohen edhe ato që do të zgjedhin në prill Presidentin e ri të Republikës, e më pas vjen zyrtarisht fillimi i fushatës zgjedhore (që de fakto ka nisur). Nuk do të mbetet me kaq, se pas votimit, më 18 qershor, vendi do të duhet të kalojë edhe situatën postzgjedhore ku do të përcaktohet mazhoranca e re. E kështu deri në shtator (të paktën) ujërat e politikës nuk do të jenë të qeta.
Përballë kësaj është biznesi, i cili ka planet e veta, por që ndikohet jo pak nga sjellja e politikës e kjo reflektohet në ekonomi, por edhe te konsumatori.
Biznesi “kryqëzon gishtat” për vetëm një gjë, për mospërshkallëzim të situatës. “Nëse kalojmë në një situatë të mungesës së rendit publik, të mosbindjes civile, atëherë është shumë e mundur që elementi kriminal të vërshojë rrugëve dhe të kërcënojë pronat, pasuritë dhe funksionimin e bizneseve”, thotë Alban Zusi, president i Qendrës së Eksporteve Shqiptare. Sipas tij “qeverisja ‘e keqe’ është gjithsesi më e mirë sesa banda më e mirë”.
Ndërsa Arben Shkodra, nënkryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, thotë se biznesi po e ndjek me interes të gjithë situatën që po kalon vendi. “Arsyeja është se gjithmonë në momentet përpara zgjedhjeve ka sfumatura, dinamika, tendenca të reja”, thotë ai.
Gjergji Buxhuku, administrator i Konfindustrisë, shkon më tej dhe thotë: “Të duket sikur qëllimi i gjithçkaje është dhe bëhet vetëm në funksion të ardhjes ose mbajtjes me çdo kusht dhe mjet të pushtetit”.
Padyshim, një sektor që pritet të ketë ndikime nga situata aktuale, qoftë kjo edhe ajo postzgjedhore, do të jetë turizmi, i cili këtë sezon do të duhet të përballet edhe me operimin me rregullat e reja, që po shkaktojmë shumë kaos nga sa ishte parashikuar.
Ky fokusim te politika ka edhe një tjetër kosto për biznesin, çështjet e tij të ditës nuk po dëgjohen ose më saktë, vëmendja nuk është ajo e duhura.
Një rast është diskutimi që po bëhet për projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Profesionit të rregulluar të Ekspertit Fiskal dhe Institutit të Ekspertëve Fiskalë”, një nismë e deputetit të Kuvendit z. Gjovalin Kadeli.
Pas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës ishte Dhoma Amerikane ajo që reagoi, duke u shprehur se po mungon konsultimi publik në diskutimin e ligjeve dhe kjo dëmton vendimmarrjen.
“Mund të themi se administrata tatimore është pak më e ‘relaksuar’, po kështu edhe ajo doganore. Institucionet shtetërore nuk kanë atë intensitet pune me të cilën përballen çdo ditë. E kjo është më se e kuptueshme, në një kohë parazgjedhore. Edhe vetë administrata tatimore është familjarizuar me këtë situatë, e cila përsëritet”, thotë z. Shkodra.
Ndërsa z. Buxhuku thotë se kur përplasjet në politikë dhe/ose ndryshimet në qeveri shoqërohen edhe me platforma të reja zhvillimi tërësore ekonomike dhe institucionale, mund të prodhojnë përfundime pozitive për ekonominë në tërësi, si dhe biznesin në vend, në afatshkurtër dhe afatgjatë.
Megjithatë, situata aktuale politike duket se ndikimin më të fortë e ka tek investitorët e huaj e te vendimmarrja e tyre. Janë ata të cilët janë në gjendje “pritjeje” në lidhje me planet zhvillimore, të cilat me gjasë do të shtyhen deri në fillimin e vitit të ardhshëm. Nëse mazhoranca aktuale konfirmohet, atëherë ka një vazhdimësi, por nëse do të kemi të bëjmë me një mazhorancë të re, atëherë gjithçka do të duhet të shihet në një prizëm tjetër.
Më herët, në një intervistë për “Monitor”, drejtori i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Matteo Colangeli, deklaroi se është e natyrshme që procesi zgjedhor do të ketë ndikim në përcaktimin e kohës së investimeve nga bizneset.
“Sa u përket investimeve potenciale apo atyre investitorëve që po konsiderojnë projekte apo aktivitete të reja në Shqipëri, besoj se ata do të kalojnë në gjendje ‘pritjeje’, do të presin disa muaj për të parë sesi do të shkojnë zgjedhjet deri në krijimin e një ekzekutivi të ri”, tha z. Colangeli.

 

OPINIONET

monitor 772.inddËshtë frenuar vendimmarrja

Flet Alban Zusi, president i Qendrës së Eksporteve Shqiptare

Në opinionin tuaj, si po ndikon situata politike aktuale në vend te biznesi?

Situata aktuale politike në vend, ku nga ana e opozitës kërcënohet herë pas here për destabilizim, është shumë negative për klimën e biznesit në përgjithësi dhe shumë e frikshme për atë që mund të ndodhë.
Së pari, investimet, qofshin të të huajve apo ato vendase, janë në një fazë që po shkojnë drejt ngrirjes, pasi në kushtet kur lidershipi i opozitës (madje në takimin me biznesin këtë e tha haptazi) deklaroi se duhen “shtrënguar rripat e sigurimit” do të thotë se vendi nga njëri moment në tjetrin mund të kalojë në destabilizim, në një mungesë të rendit publik dhe rrjedhimisht çdo investim i ri mund të ndihet i rrezikuar.
Së dyti, nëse kalojmë në një situatë të mungesës së rendit publik, të mosbindjes civile, atëherë është shumë e mundur që elementi kriminal të vërshojë rrugëve dhe të kërcënojë pronat, pasuritë dhe funksionimin e bizneseve.
Një element tjetër shumë i rrezikshëm, nëse ky skenar do të ndodhte nga opozita, është se i gjithë sistemi bankar do të kalojë në një tjetër regjim ndaj biznesit, që do të thotë se do të ikë koha e interesave të ulëta 3-4% dhe kthehemi edhe një herë në situatën e vitit të mbrapshtë ’97.
Në këto kushte, biznesi është shumë i shqetësuar. Për biznesin, qeverisja ‘e keqe’ është gjithsesi më e mirë sesa banda më e mirë.
Biznesi është tejet i shqetësuar për zhvillimin e mëtejshëm, qoftë ky edhe nëse mund të jetë destabilizues.

Si e vlerësoni klimën aktuale në të cilën ndodhet biznesi dhe a mund të cenohet ecuria e investimeve të parashikuara?

Në kushtet aktuale, mund të them se biznesi e ka frenuar, për të mos thënë se e kanë frenuar vendimmarrjen për investime të rëndësishme. Këtu nuk u referohem investimeve të vogla, të përditshme e operative që do të vazhdojnë dhe nuk do të cenohen. Kjo situatë parashikojmë që të zgjasë të paktën deri pas zgjedhjeve të 18 qershorit. Kur themi pas zgjedhjeve kemi parasysh edhe faktin e kohës që do të duhet të konstituohet qeveria e që do të zgjasë deri në shtator. Pra, edhe tre muaj të tjerë, më pas investimet do të qëndrojnë “të ngrira”.
Praktikisht, për shkak të kësaj frike për një precipitim të situatës, pothuajse të gjitha bizneset po i shtyjnë planet për të ndërmarrë investime të rëndësishme kapitale në një periudhë më vonë, që me gjasë do të jetë fillimviti i 2018-s.

Në këto kushte, cilat mund të jenë planet afatshkurtra të biznesit?

Planet afatshkurtra të biznesit kanë të bëjnë thjesht me vazhdimin e ecurisë së aktivitetit, pa pasur rrezikun e degradimit të situatës

 

Zusi: Praktikisht, për shkak të kësaj frike për një precipitim të situatës, pothuajse të gjitha bizneset po i shtyjnë planet për të ndërmarrë investime të rëndësishme kapitale në një periudhë më vonë, që me gjasë do të jetë fillimviti i 2018-s.

 

monitor 772.inddAktiviteti i biznesit vazhdon, kujdes nëse situata përshkallëzohet

Flet Arben Shkodra, nënkryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë

Në opinionin tuaj, si po ndikon situata politike aktuale në vend (protesta e opozitës, ndryshimet në qeveri) te biznesi?

Në përgjithësi, sipërmarrjet shqiptare, përfshi këtu Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, por edhe organizatat e tjera, po e ndjekin me interes të gjithë situatën që po kalon vendi. Arsyeja është se gjithmonë, në momentet përpara zgjedhjeve ka sfumatura, dinamika, tendenca të reja. Në këtë kohë dalin në pah format ekonomike që janë shumë të rëndësishme për sipërmarrjen, ndaj ne po e ndjekim me kujdes dhe vëmendje situatën për të parë se cilat janë këto dinamika. E ndërsa jemi 3-4 muaj para zgjedhjeve ka pasur ndryshime në qeveri. Natyrisht në një rrjedhë normale nuk duhet të ndikojnë në aktivitetet e sipërmarrjes. Ministria, e cila është përgjegjëse për sipërmarrjen, nuk ka ndryshuar dhe ajo vazhdon të ruajë angazhimet. Megjithatë ka vazhduar të ndihet atmosfera e një situate disi më të ndryshme në lidhje me administratën apo edhe me vetë sipërmarrjen.
Mund të themi se administrata tatimore është pak më e ‘relaksuar’, po kështu edhe ajo doganore. Institucionet shtetërore nuk kanë atë intensitet pune me të cilin përballen çdo ditë. E kjo është më se e kuptueshme, në një kohë parazgjedhore. Edhe vetë administrata tatimore është familjarizuar me këtë situatë, e cila përsëritet.
Qasja ndryshe në këtë periudhë e administratës shtetërore duhet parë në dy këndvështrime.
Nga njëra anë e lehtëson sipërmarrjen, duke mos ushtruar presion, por nga ana tjetër e heq vëmendjen nga disa plane afatgjata. Kjo do të thotë se të gjithë, administrata, sipërmarrja, etj., fillojnë e presin fundin e mandatit për të parë se çfarëdo të ndodhë.

A mendoni se angazhimi politik po tërheq vëmendjen e qeverisë për t’u marrë me problemet që ka realisht biznesi apo edhe vetë ekonomia në këto momente?

Edhe kjo duhet parë në dy këndvështrime. Ka një interes të autoriteteve shtetërore, por edhe politikës për ta dëgjuar më shumë biznesin pasi duan vëmendjen e tyre për një aspekt tjetër që është votimi. Biznesmenët janë votues, sikundër edhe punëmarrësit e tyre janë të tillë.
Në këtë momente, sipërmarrësit kanë më shumë mundësi që në përballje me aktorët e politikës të shpalosin nevojat e problematikat e tyre, por edhe gjëra që në kushte normale nuk i kërkojnë dot.
Në anën tjetër, janë edhe vizitat elektorale që shërbejnë për të parë më nga afër problematikat dhe kanë tendencën që të zgjidhin një pjesë të tyre.
Por, sërish kjo duhet parë me kujdes, pasi nuk është gjithçka.

Çfarë po ndodh me planet e investimit nga ana e biznesit, si ndikon kjo situatë?

Për investitorët e huaj, kjo situatë mund t’i bëjë që ata të qëndrojnë në gjendje pritjeje. Zakonisht, investitorët e huaj në periudha zgjedhjesh nuk ndërmarrin hapa të nxituar. Ata shohin se cila do të jetë tendenca, nëse do të konfirmohet kjo mazhorancë apo do të ketë një mazhorancë e re dhe kufizohen deri te realizimi i studimeve të fizibilitetit për çështje të caktuara.
Ajo që mund t’i trembë investitorët e huaj mund të jetë përshkallëzimi i situatës politike. Nëse ndodh kjo, atëherë do të gjendemi përballë shtyrjeve të mëtejshme të planeve për investime, gjë e cila nuk do të ishte në interesin tonë.
Sa u përket planeve për investime të reja, nga ana e sipërmarrjes shqiptare, nuk besoj se do të ndikohen ndjeshëm. Kjo mund të vlejë vetëm në rast se planifikohen investime të mëdha, në shkallë të gjerë apo që kërkojnë huamarrje (bankat tregohen të ngurta në dhënien e kredive në kohë zgjedhjeje).
Gjithsesi aktiviteti i biznesit vazhdon…

 

Shkodra: Sa u përket planeve për investime të reja nga ana e sipërmarrjes shqiptare, nuk besoj se do të ndikohen ndjeshëm. Kjo mund të vlejë vetëm në rast se planifikohen investime të mëdha, në shkallë të gjerë apo që kërkojnë huamarrje (bankat tregohen të ngurta në dhënien e kredive në kohë zgjedhjeje).

 

monitor 772.inddProbleme, nëse ka vendimmarrje të gabuar

Flet Gjergji Buxhuku, administrator i Konfindustria

Në opinionin tuaj, si po ndikon situata politike aktuale në vend te biznesi?

Përplasjet politike, që nuk kalojnë në përplasje të dhunshme si dhe ndryshimet e emrave të qeveritarëve, janë shfaqje të zakonshme në shtetet demokratike dhe si parim nuk cenojnë në thelb ecurinë e biznesit. Natyrshëm, mund të ketë probleme në periudhën afatshkurtër, për shkak të mungesës së ndonjë vendimmarrje të munguar, por nuk e prek ekonominë në përgjithësi. Të njëjtin përfundim, por nisur nga skaji tjetër i arsyetimit, mund të themi edhe për vendet me demokraci dhe institucione të pakonsoliduara, sikurse është Shqipëria.
Në vendet me demokraci të konsoliduar janë institucionet dhe agjencitë qeveritare, që mbështetur në parime dhe programe zhvillimi në afatgjatë, zbusin ndikimin e përplasjeve politike në ekonomi dhe biznes. Në vende si Shqipëria, përplasjet politike dhe qeveritare janë thjesht pak më të ndjeshme kur ballafaqohen me programet e gabuara të zhvillimit ekonomik dhe sisteme shtetërore dhe ekzekutive, që në vazhdimësi shfaqen të paafta, penguese dhe të korruptuara përballë biznesit.

Si e vlerësoni klimën aktuale në të cilën ndodhet biznesi dhe a mund të cenohet ecuria e investimeve të parashikuara?

Shqipëria, me një zhvillim ekonomik që prej vitesh mbështetet vetëm në huamarrje dhe në disa projekte të miratuara kohë më parë; me agjenci qeveritare që në punën e tyre karakterizohen nga të gjitha llojet e mundshme të korrupsionit, nga ai primitivi e deri në shkallën më të lartë të “kapjes së shtetit”
(state capture); me sistem drejtësie tërësisht të dështuar, nuk duhet ta kërkojë të keqen në ekonomi dhe biznes, as në përplasjet në politikë, as edhe në disa ndryshime emrash në qeveri, por shumë më thellë.
Përkundrazi, kur përplasjet në politikë dhe/ose ndryshimet në qeveri shoqërohen edhe me platforma të reja zhvillimi tërësore ekonomike dhe institucionale, mund të prodhojnë përfundime pozitive për ekonominë në tërësi, si dhe biznesin në vend, në afatshkurtër dhe afatgjatë.
Fatkeqësisht, deri tani, nuk po i shikojmë të tilla zhvillime në politikë dhe zëvendësimet e disa emrave në qeveri. Të duket sikur qëllimi i gjithçkaje është dhe bëhet vetëm në funksion të ardhjes ose mbajtjes me çdo kusht dhe mjet të pushtetit.
Do të ishte ndryshe nëse opozita do ta shfaqte vullnetin e saj për ndryshim, jo vetëm me politika fiskale, që pavarësisht se i vlerësoj pozitive, janë krejtësisht të pamjaftueshme, nëse nuk shoqërohen me programe të reja ekonomike dhe institucionale, përfshi edhe reformën rrënjësore në sistemin e drejtësisë.
Pa harruar edhe kryerjen e një “mea culpa/ndjese” të thellë për gabimet thelbësore të bëra në qeverisjen e mëparshme.
Për sa u përket ndryshimeve në qeveri, ndikimi i tyre në vendimmarrjen e biznesit, investime dhe ecurinë e ekonomisë në përgjithësi pothuajse është zero.
Kjo për arsye se gjendja aktuale e ekonomisë dhe biznesit është në shkallën historike më të ulët. Nga ana tjetër, ndryshimet në qeveri nuk prekën ministritë përgjegjëse ndaj sipërmarrjes.
Mesa duket, vendimmarrja e shumicës nuk dëshiron të prekë politikat bazë ekonomike dhe fiskale të deritashme.
Pavarësisht se dështimi i tyre me përjashtim të sektorit energjetik është i qartë për të gjithë dhe përgjegjësit individualë për ministrat, po ashtu.

 

Buxhuku: Kur përplasjet në politikë dhe/ose ndryshimet në qeveri shoqërohen edhe me platforma të reja zhvillimi tërësore ekonomike dhe institucionale, mund të prodhojnë përfundime pozitive për ekonominë në tërësi, si dhe biznesin në vend, në afatshkurtër dhe afatgjatë.

 

monitor 772.inddNdodhemi në gjendje “vakuumi”

Flet Kliton Gërxhani, kryetar i ATOA-s

Në opinionin tuaj, çfarë ndikimi do të ketë situata politike në ekonomi e veçanërisht në sektorin e turizmit?

Është e vërtetë që situata aktuale duket në gjendje vakuumi dhe ndoshta në të kanë ndikuar pak nga të gjitha, pra afrimi i zgjedhjeve, ndryshimet në qeveri, apo edhe protesta e opozitës. Pikërisht për këtë arsye, Shoqata e Tur-operatorëve dhe agjencive turistike, doli dhe bëri thirrje disa muaj më parë që zgjedhjet të mos mbahen më gjatë sezonit të lartë të turizmit sepse i druheshim kësaj gjendjeje të mjegullt që jemi aktualisht, që për fat të keq ka filluar 3 muaj para ditës së zgjedhjeve, pra shumë më herët edhe se ç’e prisnim ne vetë.
Në një letër drejtuar Presidentit të Republikës, ne argumentuam se zgjedhjet duhet të mbahen në muajin tetor si periudha që do të jepte më pak ndikim negativ në turizëm. “Nisur nga përvoja ndër vite, mund të themi se çdo vit zgjedhor rezulton të jetë më i dobëti në performancën e turizmit. Ky fakt konfirmohet edhe nga të dhënat e Institutit të Statistikave, Banka e Shqipërisë apo edhe të dhënat e Organizatës Botërore të Turizmit. Duke qenë se aktiviteti turistik në Shqipëri është i përqendruar kryesisht gjatë muajve të verës, mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, apo edhe atyre lokale, në periudhën e kulmit të sezonit turistik, jep ndikim të madh negativ në sektorin e turizmit në veçanti, dhe në ekonominë e vendit në tërësi. Për sa më sipër, referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 65 dhe neni 92/gj, si dhe në bazë të ligjit Nr. 10009, datë 29.12.08 “Kodi Zgjedhor i RSH”, i ndryshuar, neni 8, duke qenë se ekziston hapësira për të vendosur datën e zgjedhjeve në një nga periudhat e lejuara sipas këtij ligji, lutemi të vlerësoni mundësinë, që zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të mos përkojnë me sezonin turistik veror”, u shprehëm ne në letrën drejtuar institucionit të Presidentit.

Po çfarë do të ndodhë me planet e biznesit të turizmit?

Aktualisht është ende e paqartë se si dhe kur do të bëhet në praktikë certifikimi i hoteleve. Ndërsa sa i përket standardizimit të tur-operatorëve dhe agjencive turistike gjendja është edhe më keq, ajo është e bllokuar. Asnjë prej kërkesave tona për standardizimin dhe ndarjen e tur-operatorëve nga agjencitë turistike nuk u mor në konsideratë.
Me rregulloren e re, tani, një tur-operator diferencohet nga një agjenci turistike vetëm sepse i duhen 4 metra katrorë më shumë sipërfaqe në zyrë dhe që administratori duhet të ketë mbaruar shkollën e lartë.
Pra, me kaq e ka parë të arsyeshme Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të bëjë dallimin mes tur-operatorëve dhe agjencive turistike. Në fakt këto biznese kanë dy profile krejt të ndryshme nga njëra-tjetra në mënyrën e konceptimit të biznesit.
Kjo, në mos sjelltë më shumë kaos në tregun e turizmit, ka të ngjarë të mos sjellë ndryshime në vendosjen e standardeve në të, gjë të cilën kemi mbi 8 vjet që e kërkojmë. Është për të ardhur keq që ndodhemi në një situatë të tillë.

 

Gërxhani: Është e vërtetë që situata aktuale duket në gjendje vakuumi dhe ndoshta në të kanë ndikuar pak nga të gjitha, pra afrimi i zgjedhjeve, ndryshimet në qeveri apo edhe protesta e opozitës. Pikërisht për këtë arsye, Shoqata e Tur-operatorëve dhe agjencive turistike doli dhe bëri thirrje disa muaj më parë që zgjedhjet të mos mbahen më gjatë sezonit të lartë të turizmit

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of