Flet Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit
Mbështetja që qeveria i bëri ardhjes së markave ndërkombëtare, me një paketë stimuluese e cila i lehtësonte që nga taksa e infrastrukturës e deri te dhënia e shërbimeve me 6% TVSH pritet të vërë në pozicion të pafavorshëm markat shqiptare.
Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit, shprehet se këto marka janë kryesisht në struktura relativisht të vogla, deri në 40 dhoma. Nga ana tjetër, përqendrimi i të gjitha markave vetëm në kryeqytet pritet ta vështirësojë edhe më shumë mbijetesën në treg. Ai thekson se vëmendja duhet të ishte përqendruar tek stimulimi i markave në bregdet për zhvillimin e strukturave me synim turizmin dhe jo vijimin politikës së vilave e rezidencave.
Situata nuk është e favorshme për industrinë e Turizëm & Transport në të gjithë botën. Dy javë më parë, eurodeputetët e grupit të punës për turizmin (20 ekspertët më të mirë të BE) lëshuan një deklaratë alarmi pas takimit, duke pranuar zhgënjimin e këtij sektori nga mungesa e mbështetjes nga BE.
“Turizmi në Europë punëson 22 milionë njerëz dhe sektori është në prag të falimentimit total. Nuk është një kërcënim që duhet të merret lehtë. Në varësi të vendit, turizmi përfaqëson midis 4.3 dhe 25% të PBB-së.
Në situatën aktuale, qindra mijë ndërmarrje të vogla dhe të mëdha nuk do të mund të mbijetonin deri në fund të vitit. Rimëkëmbja ekonomike lidhet natyrshëm me rimëkëmbjen e turizmit” – thuhet në të.
Shqetësim real vjen pas rritjes së numrit të të infektuarve në Europë, afrimit të stinës së virozave dhe kufizimeve shtesë në disa nga vendet e BE-së. Shqipëria arriti të sjellë rreth 36% të numrit të turistëve krahasuar me 2019 (realisht janë më pak, pasi një pjesë e konsiderueshme rezultojnë udhëtarët tranzit). Pjesa më e dëmtuar janë hotelet në qytetet që vuajtën një okupancë (zënie të dhomave) 5-10%, pjesa më e madhe e tyre punuan me personel të reduktuar.
Pak hotele u mbyllën përkohësisht, krahasuar me Turqinë dhe Greqinë ku rreth 40% e tyre nuk u hapën këtë sezon dhe do të qëndrojnë mbyllur deri në mars të 2021. Muajt që mbeten do të jenë më të vështirë. Goditjen më të madhe e pësuan agjencitë e udhëtimit dhe guidat turistike, të cilat u mbyllën në masën 85%. Mendoj se 40% e punonjësve të industrisë do të mbeten pa punë deri në mars të 2021.
Shihet një rritje e numrit të markave ndërkombëtare në vend. A rrezikon kjo të sjellë mbingopje të tregut dhe të kthehet në bumerang?
Jemi të papërgatitur për një hap të shpejtë të zhvillimit elitar. Ende nuk është ngritur infrastruktura mbështetëse për këtë lloj turizmi si klasifikim/certifikim/standardizim i njësive akomoduese në vend, pa të cilën nuk mund të këtë një konkurrencë të ndershme. Jemi në fazën e akteve nënligjore. Mungon lobimi për të sjellë tregun e “Konferencave e Kongreseve”.
Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e pranisë së tyre në sektor?
Duke u bërë pjesë e kompanive të mëdha hoteliere, Shqipëria bëhet e “dukshme” në tregun turistik botëror. Avantazhi kryesor apo ndihma që këto marka japin është marketingu global, duke na ndihmuar të krijojmë “target”-in tonë të diferencuar nga të tjerët.
Si pritet të ndikojë në pjesën e çmimeve dhe shërbimeve në sektor, segmenti i këtyre brandeve (flasim për Tiranën meqë pjesa më e madhe ndodhen këtu)?
Ndërhyrja e shtetit me politika stimuluese për këtë kategori, do dëmtojë rëndë markat e vendit dhe sigurisht, tregun kryesor vendas të hoteleve, ku 80% e tyre janë me kapacitet deri në 40 dhoma. Ka pasur lëvizje ligjore vitet e kaluara, duke stimuluar ardhjen e “brand name” nëpërmjet uljes së TVSH 6% në të gjithë aktivitetet, por kjo do të jetë një goditje për të gjithë industrinë, që do të punojë nën markat shqiptare.
Mund të ishte efektive në rast se këto hotele apo resorte do të zhvilloheshin në zona specifike për të mbuluar kostot shtesë, siç ndodh në ishujt e Greqisë apo të Spanjës (për t’i lehtësuar kostot shtesë të transportit), etj., por jo në zona prioritare si Tirana, ku do të rezultojnë në një konkurrencë të pandershme.
Sa vështirësi mund të kenë strukturat e kësaj natyre për të gjetur forcë punëtore të kualifikuar?
Në vitet e fundit është rritur në mënyrë të dukshme numri i shkollave profesionale 2-3-vjeçare dhe kryesisht ato të shërbimeve. Nga 5000 nxënës në vitin 2014, sot ka mbi 22.000 që marrin “certifikata profesionale” dhe disa Akademi apo Universitete për Master. Mendoj se deri në nivelin e mesëm profesional, Shqipëria ka potencial për ta përballuar këtë fluks në rritje. Niveli CEO / GM do të jenë të huaj (praktikë e njohur në Ballkan).
A mund ta shpëtojë Tiranën dhe kapacitetin e shtuar të akomodimit, turizmi i konferencave, një ide që lakohet prej vitesh, por nuk ka ndonjë stimul konkret për ta mbështetur? Si mund të bëhet kjo?
Shohim që politika e qeverisë për të stimuluar ndërtimin e strukturave hoteliere me 4-5 yje, duke thithur Brand-e, ka dhënë rezultat vetëm në Tiranë, ku ka pasur një garë për emra të njohur të industrisë hoteliere ndërkombëtare. Mendoj se kjo do të rezultojë jo e “shëndetshme”.
Nuk ka, deri tani, një strategji dhe lobim të fuqishëm për të thithur këtë treg elitar, ku konkurrenca është e dukshme në BE. Tirana është një qytet me pak produkte turistike për t’u bërë ideal në këtë “target grup” klientësh. Mendoj se zhvillimi i kësaj tendence mund të jetë thjesht përfitimi për të shmangur taksat e ndërtimit dhe taksat e shfrytëzimit në vitet e para të zhvillimit të pronës.
Jemi në fazën e “kontratave” që kanë mbetur në letër. Sigurisht ndikim ka pasur pandemia Covid-19. Me përjashtim të “Maritim Hotel Plaza – Tiranë”, deri më tani nuk ka asnjë lëvizje serioze për të ndërtuar një hotel apo resort të mirëfilltë. Me këtë nënkuptoj: deri më sot janë dhënë leje për kulla shumëkatëshe me një hotel-brand në disa kate të volumit të saj ose qindra vila të ndërtuara dhe pjesërisht të shitura, me një hotel- brand me 150 shtretër në anë. Më shumë duket si shitje “licencash” për përfitime, se zhvillues realë.
Vazhdohet të investohet në vila e rezidenca, super të shtrenjta për konsumatorin (duke zënë vijën e parë të bregdetit), ndërkohë që nuk i jepet mundësi shtimit të ofertës dhe kërkesës në rritje për kapacitete akomoduese. Koha e ndërtimit të apartamenteve e vilave në bregdet duhet të mbyllet për të kaluar në një fazë të re të zhvillimit të brand name lider botërorë në bregdet, të pranishëm në të gjithë rajonin.
Mbaroi koha e fjalimeve, duhen hapa konkretë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.