Flet Selami Xhepa, president i Universitetit Europian të Tiranës
Edhe për vitin 2023, zhvillimet ekonomike janë shumë të pasigurta, për shkak se faktorët ndikues janë ende në veprim, siç është lufta në Ukrainë, sikurse dhe ribalancimi i ekonomisë globale nuk dihet se në çfarë nivelesh të çmimeve do të stabilizohet, thotë Selami Xhepa, president i Universitetit Europian të Tiranës, një nga ekonomistët më të njohur në vend.
Për të zbutur pasojat e kësaj situate, Xhepa tha se rritja e të ardhurave është faktori vendimtar për të ndryshuar gjendjen sociale të popullsisë. Kjo do të thotë se të gjithë politikat publike, ato të taksimit në veçanti, duhen riformatuar në funksion të arritjes së këtij objektivi.
Si i parashikoni zhvillimet e brendshme ekonomike në vitin 2023 nën sfondin e zhvillimeve që ka krijuar lufta në Ukrainë dhe më parë, pandemia Covid-19? Cilat i konsideroni shanset dhe rreziqet që do të burojnë nga mjedisi i brendshëm dhe i jashtëm në PBB-në e vitit 2023?
Zhvillimet ekonomike, edhe në rrafshin global, janë shumë të pasigurta, për shkak se faktorët ndikues janë ende në veprim, siç është lufta në Ukrainë, sikurse dhe rebalancimi i ekonomisë globale nuk dihet se në çfarë nivelesh të çmimeve do të stabilizohet.
Në planin e brendshëm, nuk pritet ndonjë zhvillim përmirësues i qeverisjes ekonomike; përkundrazi, fenomeni i emigracionit me gjasa do të vazhdojë të mbetet i lartë, duke vendosur presione të forta mbi sektorin privat.
Të përballur me rritje të kostove në tërësi në ekonomi, segmente të sektorit privat, që nuk janë në gjendje t’i bëjnë ballë, pritet të dështojnë. Këtu evidentojmë rritjet e kostove të rëndësishme si pagat, energjia, lëndët e para dhe kostoja e financimit/borxhit për kredinë.
Edhe financat publike do të jenë nën presion. Nevoja e reduktimit të borxhit publik, bashkë me rritjen e kostove të shërbimit të borxhit për shkak të rritjes së normave të interesave (yield) kanë shënuar rritje të fortë që këtë vit dhe do të kufizojnë rolin e buxhetit si instrument i nxitjes së kërkesës agregate.
Në kushtet e normave të larta të interesit, roli i politikës monetare bëhet më i rëndësishëm dhe i efektshëm, por i përballur me presionet e larta inflacioniste dhe nevojën për vendosjen e tij nën kontroll, Banka e Shqipërisë do të jetë e detyruar të kalojë në kahun shtrëngues të politikës, duke imituar edhe bankat qendrore të pothuajse së gjithë botës.
Kjo është arsyeja që nuk jam shumë optimist, edhe pse qeveria ka dhënë parashikime optimiste për vitin 2023 për rritjen ekonomike. Mendoj se faktorët ndikues me efekte negative që përmenda më sipër, do të vazhdojnë të mbeten të forta.
Si po ndikon intensiteti i lartë i emigracionit në zgjerimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe në afatgjatë, gjatë çfarë kostosh apo përfitimesh ka ky proces?
Dy janë faktorët kryesorë që sigurojnë rritjen ekonomike të një vendi: puna dhe kapitali (plus eficiencën e përdorimit të tyre).
Nëse puna zvogëlohet, do të thotë se kapacitetet e zgjerimit të ekonomisë zvogëlohen, prandaj dhe rritja ekonomike bie.
Disa vlerësime të bëra nga FMN kanë treguar se, nëse vendi do të arrinte një migracion neto zero (pra të larguarit do të kompensoheshin nga të ardhurit nga vendet e huaja), efekti në rritje në afat të gjatë do të ishte 0.2%.
Prandaj, nëse emigracioni do të ishte më i fortë, kuptohet se efektet do të bëheshin negative. Ky faktor do të veprojë shumë fort në afatin e shkurtër, por nëse në të ardhmen nuk do të pritet rikthim në terma pozitivë i emigracionit, ku të emigruarit të rikthehen, atëherë pasojat në afatin e gjatë do të ishin më të rënda.
Përpjekja për të adresuar problemet afatshkurtra të emigracionit, nëpërmjet prurjes së të huajve nga vendet e kontinentit afrikan, do sillte kosto afatgjata për ekonominë, si pjesë e procesit të integrimit të tyre në shoqëri.
Efektet e emigracionit kanë dhe potencialin të shndërrohen në faktor pozitiv, nëse emigrantët do të ktheheshin në Shqipëri dhe të ndërtonin një të ardhme këtu. Janë politikat publike ato që mund të luajnë rol thelbësor në këtë drejtim.
Në veçanti, politikat e tregut të punës tashmë duhet të zënë një vend qendror në politikat kombëtare të zhvillimit.
Ku duhet të fokusohen politikat qeveritare për të zbutur diferencat e pabarazisë dhe për të ulur nivelin e varfërisë në vend?
Rritja e të ardhurave është faktori vendimtar për të ndryshuar gjendjen sociale të popullsisë. Kjo do të thotë se të gjithë politikat publike, ato të taksimit në veçanti, duhen riformatuar në funksion të arritjes së këtij objektivi.
Fokusi i investimeve të huaja duhet të jenë investimet në sektorët me vlerë të lartë të shtuar; incentivat të lidhen me përparimet teknologjike të çdo sektori dhe produkti ekzistues, si dhe punësimin cilësor.
Masat përmirësuese të klimës së biznesit, të cilat diskutohen, por asnjëherë nuk materializohen në politika dhe ligje reale, duhen marrë seriozisht.
Duhen forcuar mekanizmat e mbështetjes buxhetore për ekonominë inovative dhe për të lehtësuar transferimin e teknologjisë. Shkurt, të gjitha sa më sipër që njihen si reformat strukturore, janë të vetmet që mund të ndryshojnë tendencat negative në ekonomi dhe të krijojnë një perspektivë optimiste për të ardhmen.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.