Liberalët nuk po marrin shumë lajme të mira kohët e fundit, por së fundmi erdhi një i tillë nga Varshava.
Edhe pse shumë veta kishin frikë se një pjesë e mirë e votuesve të zhgënjyer do të qëndronin në shtëpi, polakët votuan në numër rekord më 15 tetor, duke i dhënë fund pushtetit të partisë populiste-nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PIS), e cila ka udhëhequr vendin për tetë vitet e fundit. Polakët dhanë një mandat të fortë për fillimin e një aleance opozitare të kryesuar nga Donald Tusk, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i Këshillit Europian. Aleanca fitoi 248 vende në Selm, Dhomën e Ulët të Parlamentit me 460 anëtarë, dhe 66 nga 100 vendet në Senat, Dhoma e Lartë, që është më e dobët.
Pas një sërë suksesesh për populistët joliberalë, si në Hungari dhe Itali vitin e kaluar dhe në Turqi në maj, për të mos përmendur rritjen e mprehtë të popullaritetit të partisë së djathtë gjermane ADF, rezultati i zgjedhjeve në Poloni është një lehtësim. Për të kuptuar pse ky është një lajm kaq i mirë, marrim parasysh se çfarë do të kishte ndodhur nëse PIS do të kishte qëndruar në pushtet.
Katër vite të tjera me PIS në krye do të sillnin tre lloje problemesh. Së pari, qeveria e kryesuar nga PIS do të kishte vazhduar të zhvlerësonte autoritetin e institucioneve të vendit, si sistemin gjyqësor, që duhet të jetë i pavarur. Partia ka vendosur gjyqtarë besnikë në pozita të larta, duke zënë të 15 vendet në Gjykatën Kushtetuese të Polonisë, që është gjykata më e rëndësishme e vendit, e cila mund të rrëzojë ligjet që i shpall jokushtetuese. Partia ka mbushur me njerëzit e saj edhe një këshill që verifikon të gjithë gjyqtarët e gjykatave më të ulëta. Televizionet shtetërore i ka kthyer në megafonë për propaganda qeveritare. Ka emëruar servilë në krye të ndërmarrjeve industriale shtetërore, si kompania e naftës Orlen, e cila uli çmimin e karburantit përpara zgjedhjeve. Ka ndërtuar një sistem patronazhi, ku edhe vendet e thjeshta të punës që lidhen me qeverinë, u ofrohen njerëzve që mbështesin partinë në pushtet.
Së dyti, kishte arsye për t’u frikësuar nga vazhdimësia apo edhe nga ndonjë thellim i axhendës së brendshme joliberale të qeverisë së kaluar. Gjyqtarët e saj e kanë bërë tashmë të paligjshëm abortin, përveç rasteve të përdhunimit ose incestit, ose për të mbrojtur jetën ose shëndetin e nënës. Gjithashtu, qeveria kishte filluar të rishkruante tekstet shkollore për t’i bërë më “patriotike”.
Së treti, partia PIS do të kishte vazhduar qëndrimin luftarak ndaj BE-së. Ajo shpesh bashkohej me qeverinë e Viktor Orban-it në Hungari, duke formuar një aleancë populiste që u forcua nga rikthimi në pushtet i populistit Robert Fico në Sllovaki. Vendet e Europës Qendrore kanë qenë armiqësorë ndaj skemave për të ndarë përgjegjësinë për emigracionin e paligjshëm dhe kanë mbështetur njëri-tjetrin në mosmarrëveshjet me Brukselin mbi sundimin e ligjit, të cilin populistët kanë prirjen ta shpërfillin. Edhe pse deri tani mbështetja ndaj Ukrainës ka qenë e shkëlqyer, kohët e fundit, qeveria polake filloi të luajë politikë edhe me luftën, duke penguar importin e grurit nga Ukraina, në kundërshtim me rregullat e BE-së.
Ka ende shumë mundësi që gjërat të shkojnë keq. Opozita pranoi të formonte një qeveri nëse do të fitonte, por nuk ka asnjë garanci se kjo do të vijojë pa probleme; në fund të fundit, aleanca përbëhet nga nëntë parti, axhendat e të cilave janë të larmishme, nga e majta radikale, deri tek e djathta qendrore. Dhe si kryeministër, zoti Tusk do të hasë shumë pengesa, duke filluar nga presidenti, Andrzej Duda, i cili edhe pse teorikisht është i pavarur, mbetet një aleat i partisë PIS. Zoti Duda mund të vërë veton ndaj gjithë legjislacionit dhe opozita nuk do të ketë votat e nevojshme për ta anashkaluar. Zoti Tusk do të ndeshet gjithashtu me Gjykatën Kushtetuese të mbushur me gjyqtarë të caktuar nga qeveria paraardhëse. Gjyqtarët e saj emërohen me mandat nëntëvjeçar. Përveç ndryshimit të Kushtetutës, nuk do të ketë asnjë mënyrë të lehtë për t’i hequr qafe, kështu që zotit Tusk mund t’i hidhen poshtë planet politike. Shkarkimi i gjyqtarëve të partisë PIS nga gjykatat më të ulëta do të jetë gjithashtu i ndërlikuar dhe do të shkaktonte të njëjtat kritika që liberalët i bënë qeverisë paraardhëse.
Sigurisht, zoti Tusk do të ketë mbështetjen e Europës, por ajo nuk është ilaç. Rreth 35 miliardë euro (37 miliardë dollarë) fonde për rimëkëmbjen nga COVID-19 që ishin caktuar për Poloninë dhe më tepër para nga buxheti i rregullt janë bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve mbi sundimin e ligjit me qeverinë paraardhëse. Komisioni Europian do ta zhbllokonte me kënaqësi këtë ndihmë, por fillimisht, Polonia duhet të plotësojë kushtet e caktuara. Këto pengesa janë pikërisht arsyeja pse autoritarizmi zvarritës, i stilit të partisë PIS ose Orban-it është kaq i rrezikshëm. Rikthimi në rrugën e drejtë do të jetë i vështirë. Por të paktën tani mund të ketë një fillim. Dhe partitë opozitare në Europë dhe në botë mund të shohin se populistët mund të mposhten./ The Economist