Pothuajse çdo shtet europian ka një transmetues publik. Pasi Sllovenia u shkëput nga Jugosllavia në vitin 1991, ajo i dha Radio Televizionit të Sllovenisë (RTV-SLO) një mandat për të raportuar në mënyrë të pavarur, ndryshe nga propaganda shtetërore që përcillej si lajm në periudhën komuniste. Por RTV-SLO duket se është tepër e pavarur për shijen e kryeministrit aktual të Sllovenisë, Janez Jansa.
Për më shumë se një vit, ai ka sulmuar dhe kërcënuar gazetarët e rrjetit televiziv në mediat sociale. Si rrjedhojë, zotit Jansa i kanë vënë nofkën “Marshall Tuito”, një pseudonim që e krahason me Josip Titon, diktatorin e hershëm të Jugosllavisë. Qeveria e tij dëshiron të miratojë një ligj të ri për median, që do ta bënte më të lehtë kontrollimin e kanalit RTV-SLO, shkruan The Economist.
Edhe në Holandë, transmetuesi publik kombëtar i lajmeve, NOS, është themeluar si një reagim kundër propagandës autoritare, atë të pushtuesve nazistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. NOS ka një bord të pavarur dhe një buxhet të garantuar shumëvjeçar. Por kohët e fundit, edhe transmetuesit publikë holandezë janë përballur me kërcënime. Gazetarët janë sulmuar fizikisht nëpër protesta dhe ndërsa raportonin për masat ndaj Covid-19. Në tetor, NOS hoqi logon nga furgonët e saj satelitorë, pasi ata sulmoheshin vazhdimisht në rrugë.
Problemet në Slloveni dhe Holandë janë tipike për transmetuesit publikë në të gjithë Europën. Në disa vende, si Hungaria dhe Polonia, qeveritë joliberale po i kthejnë ata në zëdhënës për partinë në pushtet. Në vende të tjera, si Gjermania dhe Suedia, lëvizjet populiste po i akuzojnë për paragjykime në favor të së majtës. Mediat publike të Europës, të modeluara sipas BBC-së britanike (e cila tani po përballet edhe vetë me presione politike), u krijuan për të ankoruar demokracinë, duke u siguruar qytetarëve një raportim objektiv të lajmeve. Por në një epokë polarizimi dhe keqinformimi, kjo është duke u bërë gjithnjë e më e vështirë.
Historia nisi në Rusi
Cenimi i pavarësisë së transmetuesve publikë filloi në Rusi pasi Vladimir Putin erdhi në pushtet në vitin 1999. Nga mesi i viteve 2000, axhendat e emisioneve të lajmeve në Rusi po vendoseshin nga qeveria. Kur Viktor Orban mori pushtetin në Hungari në vitin 2010, ai ndoqi shembullin e zotit Putin, duke e shndërruar agjencinë shtetërore të lajmeve MTVA në një organ propagande. Rrjeti televiziv u ristrukturua në një kompani guaskë, në një mënyrë që e përjashton atë nga ligji që mbulon mediat publike. Gjatë zgjedhjeve të Parlamentit Europian në vitin 2019, përgjegjësit e MTVA u kapën në kamera duke i udhëzuar reporterët që të favorizonin partinë Fidesz të zotit Orban.
Partia polake Ligj dhe Drejtësi (PIS) ndoqi shembullin e zotit Orban kur mori pushtetin në vitin 2015. Ajo shpejt e shndërroi TVP, rrjetin publik televiziv, në një mikrofon qeveritar. Rrjeti mbështeti fushatat kundër të drejtave të homoseksualëve dhe sulmonte kryetarin e opozitës së Gdansk. Pasi ai u vra nga një ekstremist në vitin 2019, një gjykatë e urdhëroi TVP të paguante dëmshpërblim, gjë që ende nuk e ka bërë.
Nëse në Europën Lindore presioni mbi mediat publike ushtrohet nga qeveria, në Europën Perëndimore ai vjen nga opozita populiste. Gjatë krizës së emigracionit në Gjermani në vitin 2016, protestuesit anti-emigrantë filluan të sulmonin transmetuesit e mëdhenj publikë, ZDF dhe ARD, duke i quajtur Lügenpresse (“shtypi gënjeshtar”), një term i përdorur në epokën naziste. Një armiqësi kaq e hapur tashmë është zbutur, thotë Peter Frey, kryeredaktori i ZDF, dhe reporterët nuk shqetësohen më për sigurinë e tyre në demonstrata. Por ideja se mediat publike janë të njëanshme ndaj së majtës ka zënë rrënjë në zonat konservatore, veçanërisht në Lindjen e dikurshme komuniste të vendit.
Rreziqet
Rreziku më i madh është ana financiare. Shumica e buxhetit të ZDF dhe ARD vjen nga një taksë e posaçme që duhet të rinovohet çdo katër vjet. Por çdo shtet i Gjermanisë duhet ta nënshkruajë atë dhe një rritje e propozuar e buxhetit u bllokua nga shteti lindor Saksoni-Anhalt. Kritikët atje u ankuan se transmetuesit përqendrohen shumë në qytetet e mëdha dhe në çështje si të drejtat e homoseksualëve dhe gjinia që janë tema që tërheqin më tepër qytetarët e arsimuar në zonat urbane. Partitë populiste në Suedi dhe Holandë duan gjithashtu të shkurtojnë buxhetet e transmetuesve të tyre shtetërorë.
Transmetuesit publikë janë përpjekur të fitojnë zemrat e kritikëve. Në Gjermani, ZDF ka pranuar se nuk i ka mbuluar siç duhet zonat rurale dhe lindjen e vendit. Për tre vitet e fundit, televizioni ka transmetuar diskutime periodike të bashkive nga qytetet më të vogla përreth vendit. Sistemi holandez ka një valvul sigurie të integruar: kushdo që mund të regjistrojë 50,000 abonentë me pagesë, merr të drejtën për të hapur një stacion televiziv publik. Që nga viti 2009, janë hapur tre stacione me axhenda politike të djathta. Por kjo nuk i ka qetësuar gjërat: stacioni më i ri, Ongehoord Nederland (“Holanda e padëgjuar”), e sulmon rregullisht NOS si një rrjet që paraqet lajme të rreme.
Një aleat më i mirë ka qenë Covid-19. Vitin e kaluar, dëshira për lajme të shpejta dhe të sakta në lidhje me masat e distancimit social rriti vlerësimet për mediat shtetërore. Trafiku në faqet e internetit të transmetuesve publikë europianë është dyfishuar. Emisionet e lajmeve madje fituan disa shikues të rinj (shih grafikun).
Besimi i përgjithshëm në transmetuesit publikë është rritur gjatë viteve të fundit, sipas Unionit Europian të Transmetimeve. Por kjo fsheh një ndarje që është thelluar, atë që pasqyron ashpërsimin e polarizimit politik. Në shumicën e vendeve ku transmetuesit publikë mbeten të pavarur, publiku ka besim tek ata. Por një pakicë e pakënaqur është bërë gjithnjë e më armiqësore.
Transmetuesit publikë janë veçanërisht të rëndësishëm në vendet europiane, ku nuk ka mjaft njerëz që flasin gjuhën lokale për të mbështetur transmetime të ndryshme private. Në shtetet baltike, sulmet populiste ndaj kanaleve shtetërore nga grupe si partia e ekstremit të djathtë EKRE e Estonisë, nuk kanë arritur të kenë një ndikim të madh, sepse këto rrjete televizive janë thjesht shumë të rëndësishme. Megjithatë, edhe atje ka shqetësime. Gazetarët në transmetuesin publik të Letonisë janë përballur me më shumë kërcënime dhune në gjashtë muajt e fundit, thotë Rita Rudusa, shefja e strategjisë së grupit. Këto kërcënime kanë ardhur kryesisht nga mohuesit e Covid-19.
Në Letoni, rreziku kryesor është struktura ligjore dhe financiare. Ligji i ri i mediave publike të vendit nuk përfshin një taksë të caktuar si tarifa e licencës televizive që financon BBC-në. Kjo i bën rrjetet të cenueshme ndaj presionit politik. Dhe nuk është e qartë nëse bordi mbikëqyrës do të mbrohet nga ndikimet politike.
Në Slloveni, një kontroll i tillë politik mbi buxhetin dhe bordin mbikëqyrës kërcënon pavarësinë e transmetuesit publik. Ligji i ri i propozuar për mediat publike do t’ua japë një pjesë të të ardhurave agjencive të tjera të lajmeve, duke përfshirë ato që shërbejnë si mjete propagande për zotin Jansa. Gazetarët në RTV-SLO kishin frikë se mos humbisnin vendet e punës.
“Vetëm disa prej nesh vazhdojnë të bëjnë kritika, por ata po na heshtin gjithnjë e më shumë”, thotë një reporter. Megjithatë më 30 mars, qeveria e zotit Jansa humbi shumicën në Parlament. Nëse ai nuk mund të miratojë ligjin e ri për median, modeli i zotit Orban për kontrollin e transmetuesve publikë mund të humbasë një rekrut të ri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.