Programi i reformave ekonomike, Denaj shpjegon masat që po merren

14/02/2020 3:56 PM 0 komente

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, zhvilloi një takim të  nivelit të lartë me përfaqësues të  Misionit vlerësues të Komisionit Evropian për Programin e Reformave Ekonomike 2020-2022, dokument që është miratuar në fillim në muajit shkurt nga Këshilli i Ministrave.

Misioni kryesohej nga Drejtorja e Strategjisë dhe Turqisë në DG NEAR, znj. Myriam Ferran dhe përfaqësues të strukturave të Komisionit për çështje të energjisë, punësimit, arsimit profesional, shëndetësisë etj.

Diskutimet u fokusuan në përfundimet e bisedimeve dypalëshe me ministritë e linjës dhe mbi rekomandimet e reja për Shqipërinë, veçanërisht në fushat e financave publike, arsimit profesional, zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, energjisë, shëndetësisë etj.

Ministrja Denaj vlerësoi përfshirjen nga ana e Komisionit të progresit të realizuar në Kriterin Ekonomik, në çështjet teknike të mbuluara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe për kapitujt në kuadrin e përgjithshëm vlerësues për procesin e integrimit. Mbështetja e vazhduar e Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare për Shqipërinë, sipas Denaj, shpreh besimin se progresi i bërë drejt Reformave Ekonomike dhe angazhimi i mëtejshëm i Qeverisë Shqiptare japin siguri për hapjen e negociatave dhe përmbushjen e rekomandimeve teknike të përcjella nga Komisioni Evropian.

Znj. Denaj ritheksoi rëndësinë që ka për Qeverinë Shqiptare zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, stabiliteti i financave publike dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve shqiptarë dhe sipërmarrjeve në vend.

Znj. Ferran vuri në dukje rëndësinë e takimit dhe të diskutimeve për avancimin e reformave të ndërmarra dhe reformave të reja nga Qeveria Shqiptare, edhe në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe metodologjisë së re të vlerësimit nga strukturat evropiane. Ajo shtoi se përfshirja e të gjitha kritereve në metodologjinë e vlerësimit, edhe atyre të lidhura me progresin teknik të bazuar në rezultate, do të jetë në përfitim të vendeve aspiruese dhe do të sjellë në vëmendje të vendeve anëtare përgatitjen për anëtarësim në tregun e përbashkët evorpian. Sipas saj, rëndësia e konvergjencës sociale dhe ekonomike të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian do të kenë mbështetjen e vazhduar të Komisionit Evropian.

“Programi i Reformave Ekonomike duhet të harmonizohet edhe me prioritetet e fondeve IPA 3 që janë në mbështetje të procesit të integrimit”, tha znj. Ferran.

Znj. Denaj dhe znj. Ferran vlerësuan pozitivisht progresin e realizuar deri tani dhe synimet e përcaktuara për vitet e ardhshme.

Ministrja Denaj mori angazhim  realizimin e rekomandimeve dhe falënderoi Komisionin Evropian dhe zyrën e Delegacionit Evropian në Shqipëri për mbështetjen financiare dhe teknike në progresin e 13 Kapitujve që Ministria e Financave dhe Ekonomisë drejton.

Ndër Reformat e reja të përfshira në Programin afatmesëm janë format e lidhura ngushtësisht me përmirësimin e klimës së biznesit, si lehtësimi i lëvizjes ndërkufitare të mallrave; zhvillimi i kuadrit ligjor në mbështetje të start up innovative, rritja e standardeve të shërbimeve në sektorin e turizmit dhe përmirësimi i aksesit në financë për NVM-të.

Gjatë vitit të kaluar, Qeveria Shqiptare ka qënë aktive me reforma drejt forcimit të sistemit të drejtësisë, liberalizimit efektiv të tregut të energjisë, bursës funksionale dhe integrimit të burimeve të rinovueshme të energjisë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë, gjatë 2019, ka ndërmarrë masa drejt politikave aktive të tregut të punës dhe zbatimit të paketës së re të arsimit dhe aftësimit profesional, përmirësimit të ofrimit të shërbimeve të ndihmës teknike për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, përfshirë zhvillimin e një rrjeti mbështetës për t’i ndihmuar të investojnë, sjellin risi, të dixhitalizohen dhe të rrisin eksportet.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of