Porosia e fundit si kryeministër e Haradinaj: Taksa ndaj Serbisë mbetet

22/07/2019 11:28 AM 0 komente

 Të premten që lamë pas,  kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dha dorëheqjen nga shefi i Qeverisë, për shkak të ftesës në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale.  Dorëheqja e tij, nënkupton që ka rënë edhe Qeveria. Haradinaj, gjatë ditës së sotme,  pritet të dorëzojë edhe formalisht dorëheqjen te presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Por, Haradinaj në fjalim e dorëheqjes la edhe një porosi; Taksën.

 

Ramush Haradinaj dha dorëheqje të parevokueshme të premten, kur tha se është ftuar në Hagë si i dyshuar për krime lufte. Ai tha se atje do që të dëshmojë si qytetar e ish-luftëtar e jo nga posti i kryeministrit.

Por, në fjalimin e tij që mbajt në ambientet e Qeverisë së Kosovës, Haradinaj nuk la pa përmendur edhe taksën që ka vendosur Kosova ndaj Serbisë 8 muaj më parë.

“Më lejoni të ju siguroj se: Taksa mbetet, Ushtria e Kosovës shkon para, Trepça është e gatshme për investime”, tha nder të tjera Haradinaj.

E porosia e tij duket se ka prekur shumë politikanët në Kosovë. Reagimet për taksën dhe fjalët e Haradinajt kanë nisur qysh në mëngjesin e sotëm.

https://www.monitor.al/fjalimi-i-plote-i-doreheqjes-i-haradinaj-qeverite-dhe-pushtetet-jane-te-nderrueshme-jetojme-ne-demokraci/

Deputeti i opozitës Ilir Deda ka prezantuar disa nga prioritetet që duhet të ketë Qeveria e ardhshme në 100 ditët e para.

Deda, përmes Facebook-ut, ka thënë se Qeveria e ardhshme duhet të ketë maksimumi 15 ministri. Sipas Dedës në 100 ditët e para në rrafshin ndërkombëtar Kosova duhet ta pezullojë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës

“Në rrafsh ndërkombëtar, Kosovës nuk do t’ia “vesin letrat”* dhe brenda 100 ditëshit të parë do të përballet me pritje të përfundimit të dialogut me Serbinë, dhe aty pritet që Kosova: Menjëherë ta suspendojë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës; Nuk do të ketë shumë kohë për konsolidim. Qeveria e re duhet të ndërtojë platformë në dialog me Serbinë që ta ruaj sovranitetin dhe integritetin territorial dhe duke punuar në gjetjen e një zgjidhjeje optimale për vetëqeverisjen e serbëve në Kosovë”.

Deda ka thënë se këto prioritete duhet të ndodhin ose pason izolimi i thellë, e ikja nga Kosova do të vazhdojë.

Kujtojmë se pikërisht sot janë bërë tetë muaj që kur ka hyrë në fuqi taksa ndaj Serbisë.

Më 21 nëntor të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim që të vendosë taksë prej 100 për qind ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qeveria këtë vendim e kishte marrë si kundërpërgjigje ndaj Serbisë për shkak të propagandës së saj të vazhdueshme kundër Kosovës.

Kosova nga Serbia brenda një viti, së paku zyrtarisht, importon mallra në vlerë 400 milionë euro, por eksporton vetëm rreth 40 milionë euro për në Serbi.

Që nga vendosja e taksës ndaj mallrave serbe është bllokuar edhe dialogu Kosovë-Serbi, pasi që pala serbe po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen ose pezullimin e taksës mirëpo, qeveria e Kosovës po vazhdon të këmbëngulë se taksa do të hiqet vetëm kur Serbia e Bonja të njohin pavarësinë e Kosovës.

Shfuqizim apo pezullim të taksës ka kërkuar edhe Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të vazhdohet dialogu Kosovë-Serbi.

https://www.monitor.al/taksa-100-per-qind-per-here-te-pare-bilanci-tregtar-me-serbise-kthehet-ne-favor-te-kosoves/

Për shkak të taksë, për herë të parë thuajse pas dy dekadash ka ndërruar krejtësisht bilanci tregtar mes Kosovës dhe Serbisë.

Derisa nga përfundimi i luftës e deri më tash importi nga ky shtet ka qenë qindramilionësh e eksporti shumëfish më i vogël.

Në bazë të të dhënave, të cilat janë publikuar  nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), shihet qartë se importi nga Serbia në janar të këtij viti ka qenë 800 mijë euro, nga 31 milionë euro sa ka qenë në janar të vitit 2018.

 

Dorëheqja e Haradinajt; Të gjitha partitë duan zgjedhje

Që nga e premtja, e deri më sot, partitë politike kanë kërkuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi që të caktojë datën e zgjedhjeve dhe janë shprehur të gatshme që t’i hyjnë garës së zgjedhjeve,

Se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme pas dorëheqjes së Haradinajt e ka thënë edhe kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Vesei. E gatshme për zgjedhje është shprehur edhe partia e Isa Mustafës, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka kërkuar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, që sa më shpejt ta caktojë datën e zgjedhjeve.

Edhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kërkuar nga presidenti Hashim Thaçi që sa më shpejt ta caktojë datën e zgjedhjeve.

Se vendi duhet të shkojë në zgjedhje dhe se nuk ka nevojë për Qeveri teknike, e ka thënë edhe kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Ai ka thënë se nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjedhjeve të parakohshme dhe se partia e tij është e gatshme për zgjedhje.

Po ashtu edhe  kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt, ka thënë se zgjedhjet janë të domosdoshme.

Në anën tjetër, Ligji për Zgjedhje thotë se, 10 ditë pas shpërbërjes së Kuvendit, Presidenti duhet të caktojë zgjedhjet e parakohshme.

“Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo me vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes”, thuhet në Ligjin për Zgjedhje. Ndërkaq edhe në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës parashihen hapat konkret, të cilët duhet të ndërmerr Presidenti i Kosovës. /Fatos Shala për Monitor.al/.

*Do vendosë vetë

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of