Porositë e reja për mallrat e prodhuara në SHBA u rritën më shumë nga sa pritej gjatë muajit maj, duke përmbysur një mori të dhënash të fundit që tregonin një zbutje të aktivitetit ekonomik dhe duke nënvizuar kështu se kërkesa për produkte vazhdon të mbetet e lartë, edhe pse Rezerva Federale po shtrëngon në mënyrë agresive kushtet financiare.
Departamenti i Tregtisë tha të martën se porositë për fabrikat u rritën me 1.6% në maj, pas rritjes me 0.7% në prill. Ekonomistët e anketuar nga Reuters kishin parashikuar që porositë për fabrikat do të rriteshin me 0.5%.
Treguesit e tjerë nuk kanë pasur këtë nivel rritjeje. Një sondazh i publikuar të premten tregoi se indeksi kombëtar i aktivitetit të fabrikave nga Instituti për Menaxhimin e Furnizimeve pësoi një rënie për të dytin muaj radhazi, megjithëse “shumica dërrmuese” e kompanive u përgjigjën se po rrisnin personelin e tyre.
Kjo pasoi një rritje të moderuar të shpenzimeve të konsumatorëve gjatë majit, së bashku me ndërtimet e reja të shtëpive, lejet e ndërtimit dhe prodhimin e fabrikave që mbetën në nivele të ulëta.
Prodhimi përbën 12% të ekonomisë amerikane dhe ai po mbështetet nga kërkesa e fortë për mallra, edhe pse shpenzimet e përgjithshme po orientohen më shumë drejt sektorit të shërbimeve. Banka Qendrore e SHBA-së po kërkon të reduktojë kërkesën në të gjithë ekonominë, teksa përpiqet të frenojë inflacionin e lartë.
Në muajin maj, ka pasur rritje të porosive për metalet primare, për makineritë dhe për pajisjet e transportit, ndër të tjera. Edhe porositë për kompjuterët dhe produktet elektronike u rritën me 0.5%. Por, porositë për pajisjet elektrike, për ato elektroshtëpiake dhe për pjesët e këmbimit ranë me 1.0%.
Dërgesat e mallrave të përpunuara u rritën me 1.8%, pas rritjes prej 0.6% që patën në muajin prill. Inventarët e fabrikave u rritën me 1.3%. Porositë e paplotësuara u rritën me 0.4% në maj krahasuar me rritjen prej 0.5% që patën në prill.
Departamenti i Tregtisë raportoi gjithashtu se porositë për produktet kapitale që nuk lidhen me mbrojtjen, duke përjashtuar avionët, të cilat shihen si një masë e planeve të shpenzimeve të bizneseve për pajisjet teknike, u rritën me 0.6% gjatë majit, krahasuar me rritjen prej 0.5% që u raportua muajin e kaluar.
Dërgesat e të ashtuquajturave mallra kapitale bazë, të cilat përdoren për të llogaritur shpenzimet e bizneseve për pajisjet teknike në raport me produktin e brendshëm bruto, pësuan një rritje me 0.8% në muajin maj, njësoj siç u raportua edhe muajin e kaluar.
Shpenzimet e larta të biznesit për pajisjet teknike ndihmuan në rritjen e kërkesës së brendshme përgjatë tremujorit të parë, edhe pse PBB-ja u reduktua me një normë vjetore prej 1.5% gjatë kësaj periudhe.