Operatorët privatë po ‘rrëmbejnë’ tregun e porteve shtetërore, pas spostimit drejt tyre të kompanive të naftës dhe të gazit. Si po rriten me shpejtësi Petrolifera dhe Romano Port, ndërkohë që portet shtetërore po humbin terren
Nga Laura Çela
Vitet e fundit kanë qenë dinamikë për sektorin e porteve në vend. Me hyrjen në treg të dy operatorëve të rinj privatë, Romano Port dhe La Petrolifera Italo-Albanese, që veprojnë në bazë të marrëveshjeve koncesionare me qeverinë shqiptare, tregu është spostuar me shpejtësi drejt tyre duke lënë “në hije” portet e tjera të mëdha të vendit.
Duket tashmë se ‘privatët’ janë duke mundur ‘shtetërorët’ falë investimeve, infrastrukturës moderne dhe hapësirave që u kanë krijuar kompanive të mëdha të import-eksporteve të naftës e gazit për të ngritur depozitat e tyre.
Që nga viti 2008, kur nisën aktivitetin e tyre Romano Port, në zonën e Durrësit dhe Petrolifera, në zonën e Vlorës, në to u spostuan me shpejtësi kompanitë që tregtojnë naftë dhe gaz, çka solli edhe tkurrjen e veprimtarisë së porteve shtetërore.
Krahas me ndërtimin e porteve private u investua dhe për ngritjen e depozitave të naftës dhe gazit pranë tyre. Romano Port, sipas marrëveshjes koncesionare me qeverinë, operon vetëm me aktivitetin e portit, ndërsa kompanitë e naftës e gazit kanë investuar vetë për ndërtimin e depozitave. Nga ana tjetër, Petrolifera menaxhon si aktivitetin portal ashtu dhe atë të depozitave.
Zhvendosja e përpunimit të naftës dhe gazit në portet private ka çuar në ndryshime të rëndësishme në aktivitetin portual në vend, për shkak se këto dy produkte zënë rreth 20% të totalit të importeve shqiptare në volum, sipas të dhënave nga INSTAT.
Portet shtetërore tashmë duket se shërbejnë vetëm për përpunimin e anijeve të të gjitha mallrave, përveç naftës e gazit, e cila ‘posedohet’ nga portet private.
Gjatë vitit 2012, vëllimi i ngarkim shkarkimit të mallrave në katër portet shtetërore (Durrës, Vlorë, Sarandë, Shëngjin) ishte 17% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2008, edhe pse volumi i tregtisë (vëllimi i importit dhe eksportit) u rrit me 22% gjatë të njëjtës periudhë. Të dhënat bëhen të ditura nga INSTAT.
Porti i Vlorës është ndikuar më negativisht nga hyrja e operatorëve private, që kanë zhvendosur aktivitetin e tyre tek Petrolifera, duke sjellë njëherësh edhe rënien e vazhdueshme të volumeve të përpunimit në Portin e Vlorës.
Ky i fundit ka regjistruar 78% më pak volum ngarkim-shkarkimi se në vitin 2008, kohë kur në treg hyri Petrolifera, sipas të dhënave nga INSTAT.
Nga ana tjetër, Porti i Durrësit pas një rënieje në vitin 2009, ka arritur të shënojë rritje të lehtë në vitet në vazhdim.
Tashmë, Petrolifera është porti i dytë më i madh në vend, pas atij të Durrësit, bazuar në xhiron vjetore. Edhe Porto Romano, porti tjetër privat i ngritur në Durrës, ka shënuar një rritje të qëndrueshme gjatë viteve të fundit.
Në vitin 2011, Porti i Durrësit, Petrolifera dhe Porto Romano regjistruan përkatësisht një xhiro prej 20 milionë euro, 8.2 milionë euro dhe 2.7 milionë euro, ndërsa ai i Vlorës kishte një qarkullim vjetor prej vetëm 1.3 milionë euro, sipas të dhënave nga tatimet.
Rritja e Petrolifera
Petrolifera ka patur një rritje të shpejtë në vitet e fundit duke regjistruar një rritje të xhiro me 32% në 2011, duke i çuar ato në afro 8.2 milionë euro.
Sipas të dhënave nga kompania, rritja ka vazhduar edhe në vitin 2012. Vëllimi i ngarkim-shkarkimit arriti në 1,108 mijë ton në vitin 2012, kundrejt 767,000 ton në 2011, duke u rritur rreth 40% në bazë vjetore dhe duke u shndërruar në porti i dytë më të madh në Shqipëri, pas Durrësit, nga volumi.
Bankers Petroleum është klienti më i madh i Petrolifera, që nga viti 2009, duke kryer 85-90% të vëllimit të punës pikërisht përmes këtij porti. Kjo kompani ka depozitat e tek Petrolifera, me një kapacitet prej afro 26 mijë m3 për të lehtësuar eksportet e shpejta dhe të mëdha të naftës.
“Për vitin 2013 kemi parashikuar që arrijmë një volum përpunimi deri në 1.4 milionë ton, kjo edhe në përputhje me planet e Bankers, që pritet të rrisë eksportet e saj gjatë të njëjtës periudhë”, thotë Drejtori Teknik i Petrolifera, Kastriot Gishti.
Klientë të tjerë të Petrolifera janë ENI- AGIP dhe Everest Oil, (importues të karburantit cilësor); Steam Oil & Gas (që ka filluar eksportet e naftës vitet e fundit) dhe BP, që importon naftë për avionët, e cila ka zgjedhur të punojë me këtë port për shkak të standardeve të tij ndërkombëtare, pavarësisht disavantazhit të largësisë gjeografike me aeroportin e Rinasit, pohon Kastriot Gishti.
Gjatë vitit 2012, kompania ka përpunuar 90,000 ton naftë dhe benzinë, krahasuar me 60 mijë ton në vitin 2011, duke u rritur me 33% vëllimin e veprimtarisë së saj në përpunimin e karburanteve, edhe pse importet e karburantit në total ranë 5% gjatë së njëjtës periudhë.
La Petrolifera Italo Albanese është një terminal bregdetar për naftën, gazin dhe nënprodukte të tyre me një kapacitet total depozitimi prej rreth 61,000 metër kub.
Kompania e nisi ndërtimin e terminalit në 2007-ën dhe e përfundoi atë (fazën e parë e ndërtimit), në gjysmën e parë të vitit 2009, kohë kur nisi edhe aktivitetin. Petrolifera, me një sipërfaqe prej 18 hektarësh ndodhet në bregdetin e Adriatikut, 4 km në veri të Portit të Vlorës.
Porto Romano, rritje më modeste
Ndryshe nga Petrolifera, rritja e Romano Port ka qenë më e moderuar. Në fund të vitit 2011, të ardhurat e këtij porti ishin 2.7 milionë euro, sipas të dhënave nga tatimet, me një rritje prej 8% në krahasim me një vit më parë, sipas të dhënave nga tatimet.
Në këtë port kaë ndërtuar depozita kompanitë më të mëdha treguese të naftës, si Kastrati dhe Kaspetrol, Taçi Oil, Europetrol Durrës Albania (Elda), ndërsa Intergaz zotëron depozita të gazit.
Portet shtetërore, ‘triumfon’ Durrësi
Të katër portet shtetërore në vend (Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë) kryejnë një vëllim mesatar vjetore të ngarkim-shkarkimit në rreth 3 milion ton, ndërsa trajtojnë rreth 1.4 milionë pasagjerë në vit.
Porti i Shëngjinit ka arritur të mbajë një rritje të qëndrueshme, ndërsa aktiviteti i Portit të Sarandës është i kufizuar.
Porti i Durrësit mbetet porti më i madh të anijeve në Shqipëri, duke realizuar rreth 90% të totaleve ngarkim- shkarkimit në vitin 2012, ndjekur nga Shëngjini, Vlora dhe Saranda.
Sipas të dhënave nga INSTAT, gjatë 9 muajve të 2012, vëllimi i ngarkimit në portet shtetërore shqiptare ka rënë me 2% në bazë vjetore, duke reflektuar tkurrjen e ekonomisë, pasi importet ranë për herë të parë gjatë të njëjtës periudhë.
Vetëm porti i Durrësit ka arritur të mbajë të njëjtin vëllim pune si në vitin 2011, ndërsa tre portet e tjera kanë shënuar një rënie dy shifrore të vëllimit të tyre të ngarkimit-shkarkimit, gjatë 9-mujorit 2012.
Portet në vend
Industria e porteve në Shqipëri është në zhvillim të vazhdueshëm. Pozicionuar në bregun lindor të ulët të Adriatikut – që mundëson pozicionimin si një qendër rajonale të transportit detar – Shqipëria ka:
• 4 porte kryesore tregtare dhe anijesh: Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë, që janë të gjithë nën pronësinë shtetërore.
• 2 porte dhe rafineri të prodhimit të naftës dhe gazit: La Petrolifera dhe Porto Romano Albanese. Këto dy kompani janë themeluar dhe funksionojnë sipas një marrëveshjeje koncesionare, dhe janë të vetmet pikat hyrëse që ofrojnë këtë shërbim nëpërmjet rrugëve detare, pasi në vitin 2004, Këshilli i Ministrave me vendim ka miratuar master – planin për importimin e naftës dhe LPG (gazit ) – nëpërmjet terminaleve Romano Port dhe Vlora Port. Ato kanë shënuar një zhvillim të shpejtë në vitet e fundit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.