Porti i Shëngjinit pa investime, KLSH: Shoqëria me humbje, pagat u caktuan nga titullari

07/09/2020 12:00 PM 0 komente

Menaxhimi i kompanive publike ku shteti është aksioneri që zotëron 100 për qind të tyre është shfaqur problematik në disa raste dhe një prej tyre duket se është edhe Porti i Shëngjinit. I lakuar herë pas herë nga qeveria për ta zhvilluar dhe orinetuar atë drejt një porti turistik, këto kanë mbetur thjesht deklarata. Një auditim i Kontollit të Lartë të Shtetit që ka marrë në analizë tre viet e fundit ka konstatuar se si investimet, ashtu edhe performanca e të ardhurave kanë qenë në përkeqësim.

Sipas KLSH nga auditimi i planifikimit dhe realizimit të programit ekonomiko financiar të shoqërisë dhe realizimin e objektivave për vitet 2017, 2018 dhe 2019 rezultoi se, realizimi i të ardhurave në 3 vite paraqitet me oshilacione negative: viti 2017- 70%, viti 2018- 80%, viti 2019 -68.5%, duke sjellë përkeqësim të situatës ekonomike dhe thellim të rezultatit ekonomik negativ në fund të vitit 2019 me humbje në shumën 105,210 mijë lekë.

“Shoqëria për 3 vitet, nuk ka realizuar të ardhurat nga përpunimi i anijeve, i cili është aktiviteti kryesor i punës dhe krijimit të të ardhurave, kjo jo vetëm për shkak të rënies së aktivitetit në përpunimin e anijeve por edhe pasojë e keqmenaxhimit të burimeve të brendshme të shoqërisë, pasi procesi i ngarkim-shkarkimit është kryer me mjetet e operatorëve ekonomikë privat me zbritje të vlerës së tarifës me 56 % se tarifat e miratuara për proceset e punës me mjetet e portit. Rritja e të ardhurave nga zëra “të tjerë” si tarifat portuale, qiratë etj., jo vetëm që shfaq mangësitë e programimit, por në të njëjtën kohë shfaq prirjen për sigurimin e të ardhurave jashtë aktivitetit kryesor të shoqërisë, duke shkaktuar paqëndrueshmëri financiare afatgjatë” vlerëson KLSH.

Më problematike situata shfaqet tek investimet ku edhe pse janë gjashtë punonjës në këtë drejtori menaxhimi i tyre ka qenë në nivele shumë të ulëta. Për të paktën dy vite janë realizuar zero leke investime ndërsa për njërin prej tyre realzimi është vetëm 9.6 për qind.

“Shoqëria Porti Detar Shëngjin, për 3 vitet objekt auditimi, konstatohet se nuk ka realizuar investimet e parashikuara, për vitet 2017 dhe 2019 janë parashikuar 2,570 milionë lekë investime, realizuar 0 lekë dhe për vitin 2018 janë parashikuar 1,183 milionë lekë, realizuar vetëm 9.6%. Realizimi i investimeve në këto nivele flet për një punë të dobët nga strukturat drejtuese si edhe nga Dega e investimeve, e cila përbëhet nga 6 punonjës, 1 shef sektori dhe 5 specialistë” thuhet në raportin e auditimit.

Pozicione pune të njëjta, paga të ndryshime të caktuara nga titullari

Një nga precedentët që ka konstatuar KLSH në rastin e auditimit të Portit të Shëngjinit ka qenë ajo e mënyrës sesi janë caktuar pagat. Këto të fundit janë vendosur nga titullari duke respektuar kufijtë e pagës minimale dhe asaj maksmale të njohur me vendim qeverie por për pozicione të njëjta pune janë vënë paga të ndryshme duke treguar kështu sjellje preferenciale.

“Niveli i pagave për vitin 2017 është i pa përcaktuar dhe është operuar sipas urdhërave të titullarit të shoqërisë. Në këtë mënyrë i lihet hapësirë e lirë titullarit për vendimmarrje në nivelin e pagave të punonjësve ku konstatohet se për pozicione të njejta ka nivele të ndryshme page duke treguar sjellje preferenciale ndaj punonjësve. Po kështu niveli i pagave për vitin 2017 nuk është miratuar në Këshillin Mbikqyrës. Për vitet 2018-2019 nivelet e pagave janë miratuar nga organet kolegjiale drejtuese të shoqërisë brenda kufirit minimal e maksimal të pagës së caktuar nga Këshilli i Ministrave, në varësi të mundësive financiare të shoqërisë, por nuk janë miratuar nga ministri përkatës” thuhet në dokument.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of