Porti i Vlorës do të orientohet drejt përpunimit të trageteve dhe anijeve turistike. Në dokumentet e vetë Portit Detar “Vlorë” sh.a ku kërkohet një kompani që do të hartojë projektin për rikonstruksionin e kalatës lindore bëhen të ditura edhe detajet. Aktualisht porti i Vlorës e zhvillon aktivitetin e vet përpunues në dy kalata, kalata lindore ku përpunohen anijet tregtare dhe kalata perëndimore ku përpunohen tragetet.
“Kalata lindore me një platformë betoni mbi pilota, shtrihet rreth 330 m nga bregu i detit, ka një thellësi maksimale prej 10.5m, përpunohen anije trgtare deri në 6 000 ton. Eshtë ndërtuar me seksione midis viteve 1943 dhe 1973. Vazhdimi i kalatës në drejtim të tokës shërben si rrugë hyrëse.
Në projektin e “Rehabilitimit të Portit të Vlorës”, hartuar nga GIBB në vitin 1997 dhe rishikuar nga grupi projektues Joint – venture më vonë, kalata lindore ka qenë e destinuar për tu shembur (e amortizuar totalisht). Me përfundimin e punimeve të investimit prej 15 milion Euro për “Rehabilitimit të Portit të Vlorës” me kontraktor Shoqërinë “Piacentini Construzioni”, përpunimi i anijeve që sot realizohet në kalatën lindore do të realizohet në kalatën perëndimore.
Pozicionimi i portit të Vlorës pranë shëtitores kryesore të qytetit, Lungomare, si dhe kalimi i një pjese të aktivitetit tregtar tek Petrolifera, e kthejnë portin e Vlorës në port turistik. Rrjedhimisht kalata lindore do të destinohet për anije turistike” thuhet në dokumentet e Autoritetit Portual të Vlorës.
Porti i Vlorës është porti i dytë i Shqipërisë, i radhitur pas portit të Durrësit përsa i përket madhësisë dhe kapacitetit. Eshtë një port i hapur me dy kalata në të cilat përpunohen anije tregtare dhe tragete. Porti i Vlorës është pjesë përbërëse e korridorit të 8-të. Falë pozicionit gjeografik që ka gjiri i Vlorës, mungesës së rrymave të fuqishme, batica/zbaticave të forta që mund të ndikojnë në lundrim, aksesimi i portit të Vlorës nga mjetet lundruese apo ankorimi i tyre në radë është i thjeshtë.
Kompanitë që do të shprehin interes për të hartuar projektin për rikonstruksionin e kalatës lindore kanë kohë deri më 7 maj për të paraqitur ofertat. Fondi limit për këtë procedurë është mbi 10 milionë lekë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.